Plazh dhe folk ne Vlore

Plazh dhe folk ne Vlore
Ka qenë tepër e veçantë atmosfera e sezonit turistik në Vlorë. Një axhendë e ngjeshur aktivitetesh ka përshkruar këto ditë të fundit të javës në qytetin bregdetar. Ndërsa epiqendra u shënuar dje përgjatë rrugës kryesore, për tu përqëndruar më pas në sheshin e skelës me xhirrot motorrike e ritmet rock, parashutistët kanë shoqëruar thuajse gjithë orët e pasdites dhe ditës së sotme me fluturimet e tyre.

Sot gjithçka nisi nga sheshi I Flamurit, ku dhjetra ngjyra kostumesh, u bashkuan në Sheshin e Flamurit. Afrimi i përvjetorit të 100-të të Pavarësisë, duket se tërhoqi vëmendjen e festivalistëve të Aulona Festival Internacional Folk, përfaqësues të grupeve folklorike të huaja, në Kosovë e Shqipëri, kanë nderuar me një homazh varrin e Ismail Qemalit, e më pas kanë ngritur flamujt e shteteve të tyre nën himnet kombëtare të secilit.

Ritmet popullore shqiptare kanë ftuar më pas të gjithë festivalistët të kapur përdore, duke kërcyer në sheshin e Flamurit. Gjithçka është kthyer në një festë të vërtetë, për tu zhvendosur më pas në ambjentet e plazhit, ku u bë edhe çelja zyrtare e sezonit turistik të këtij viti. Kryebashkiaku i Vlorës ka patur këtë herë në krah veç deputetëve Isaraj dhe Deda, edhe kryekomunarin e Klinës (Kosovë), si dhe konsullin italian në Vlorë, Sergio Strozzi, e kreun e dhomës së tregëtisë.

Nën një veshje sportive, Gjika ka kursyer fjalimet e gjata, duke thënë se do të vijojë të kontribuojë në mënyrë të dukshme në këto zhvillime, ndërsa ka uruar për një sezon të mbarë. Grupet festivaliste kanë vijuar të jehojnë edhe në skenën e vendosur tek moli, në zonën e plazhit, ndërsa shumë qytetarë sot kanë zgjedhur të frekuentojnë pikërisht zonën e Ujit të Ftohtë, ku edhe kanë vijuar aktivitetet sportive, kulturore. Dita e dielltë ka favorizuar plazhistët, të cilët këtë të shtunë kishin mbushur plazhin publik, një zonë kjo që sot ka përjetuar një ditë të vërtetë festive.

Arbëreshët e Italisë: Gjuhën e ruajmë përmes këngës

Në Vlorë këtë fundjavë ka numër rekord të huajsh. Një pjesë e mirë e tyre festivalistë të Aulona Internacional Festival Folk, e mes tyre menjëherë njeh arbëreshët. "Vërtet jemi të ardhur, por aspak të huaj", të thotë një nga djemtë e grupit. E folura e tij në dialektin arbëror përzihet me ndonjë fjalë italisht, ndërsa dy gratë më të mëdha të grupit, shumë simpatike në prezencë, të afrohen me buzëqeshje. "Morëm shumë duartrokitje sot, pasi vijmë nga larg, por jemi një", thotë njëra prej tyre.

Maria Antonieta Rimolin, zv.presidente dhe drejtoreshë artistike e grupit arbëresh e takojmë pas performimit të grupit në skenën e vendosur para Pallatit të Sportit, në Skelë. Ajo është shumë e emocionuar dhe këmbëngul që intervistën ta japë në gjuhën shqipe.

"E kemi ruajtur prej 500 vjetësh gjuhën dhe elementet folklorike, pasi ne kemi identitetin tonë të kulturës, gjuhës, fesë. Në Italinë që i bëri qytetarë të saj, vashës i thuhet "kujto, kujto se është një det që na ndan dhe na lidh. Na mban të bashkuar dhe afër, është deti Jon dhe mbrapa këtij deti është një dhe i perëndisë, ku lulëzon hënëza dhe lulëzon nerënxa. Ndaj kujto bija ime prindërit tanë. Mos e harro gjuhën, se është gjuha jonë.

Dhe mbaj mend i thonë vajzës, se ne tani s'kemi vetëm një Atdhe, kemi dy Atdhe. Një është Italia që na mbajti dhe tjetri është Arbëria, Shqipëria. Dhe vajza i dha fjalën së ëmës, besën, se unë s'do harroj më. Dhe kështu ka vajtur përpara. Unë mbaj mend se ne prindërit tanë, nëna, e përcillnin jo të shkruar. Me të kënduar, pasi tha njëherë një burrë në Itali. "Vemi duke kënduar shtëpi më shtëpi, pasi vetëm duke kënduar mbahet mend gjuha jonë, pasi s'mund të harrohet gjuha jonë dhe dheun nga erdhëm".

Tashmë në ansambël janë vajza të reja, djem të rinj. Grupi gjithmonë ka ekzistuar, psh unë dhe shoqja ime pranë, ishim këtu që kur ishim 14-15 vjeçare. Me kalimin e kohëve, hynë dhe të tjerë e tashmë ka disa veteranë, siç jemi ne e të tjerë të rinj, një qarkullim i vazhdueshëm, ndërsa ështe regjistruar në Itali në 2006-n".

Teksa flet për ruajtjen e gjuhës, një tjetër pjesëtare e grupit afrohet dhe pohon se edhe linguistë shqiptarë i janë drejtuar tokës së tyre, për të gjetur fjalë të vjetra të gjuhës sonë. "Erdhën në katundin tonë dhe morën fjalët që nuk ishin më këtu. Se gjuha jonë është më e vjetër, qëndroi edhe me përhapjen e italishtes, ndërsa gjuha juaj evoloi, jona ka mbetur më antike dhe për këtë erdhën linguistë nga Tirana për të rikërkuar fjalë dhe terma që ndoshta ekzistonin vetëm tek ne".

"Një nga grupi ynë do të bashkohet një ditë më pas me ne, pasi martohet këtu me një vajzë nga Tirana", - tregon një nga arbëreshët e ardhur në Vlorë. E shikon pra që lidhjet i mbajmë të gjalla? Do të jemi për këto tre ditë këtu dhe ndiejmë gëzim dhe emocion. Edhe kur takohemi dhe flasim, e tregojmë këtë. Jemi vërtet të gëzuar".

Dhe kjo kuptohej lehtë. Çdo gjest, çdo shtrëngim duarsh, çdo fjalë dukej se shkëmbehej mes të njohurish të vjetër. Një miqësi që e lidh gjaku...



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama