Plazhi dhe argetimi

Plazhi dhe argetimi
Çdo vit në të gjitha vendet e Europës plazhet pasurohen dhe restaurohen, duke na ofruar iniciativa, shërbime dhe ide të ndryshme të cilat na bëjnë të kalojmë ditë të mrekullueshme dhe relaksi pranë detit. Që nga librat deri te lidhja me internetin, nga ekranet e mëdha deri te futbolli në rërë.

Jemi të varur nga çadrat, maniakë plazhesh. Kështu tregojnë studimet dhe kërkimet mbi zakonet verore të europianëve. Por mes vajrave nxirës dhe kremrave mbrojtës, diçka ka ndryshuar në plazhet tona. Çdo vit, në të gjitha vendet e Europës plazhet pasurohen dhe restaurohen, duke na ofruar iniciativa, shërbime dhe ide të ndryshme, të cilat na bëjnë të kalojmë ditë të mrekullueshme dhe relaksi pranë detit.

Që nga librat e deri te lidhja me internetin, nga ekranet e mëdha deri te futbolli në rërë. Shërbimet e ofruara në plazhe tashmë kanë filluar të vlerësohen shumë nga klientët. Dhënia e librave falas, CD, DVD apo revistave të ndryshme janë bërë të zakonshme gjatë periudhës së pushimeve. Specialistët shpjegojnë se këtë verë janë ideuar dhe aktivizuar një sërë shërbimesh të reja nëpër plazhe si: marrja hua e librave, e lojërave dhe muzikës, duke u dhënë kështu mundësinë plazhistëve për të lexuar një libër, për të luajtur një lojë apo për të dëgjuar një CD.
Përveç shërbimit të librave, muzikës dhe lojërave, në vende të caktuara të plazheve vihen ekrane të mëdha, duke u krijuar mundësi njerëzve që, pa u larguar nga plazhi, të mund të shohin edhe aktivitetet më të rëndësishme sportive si MotoGp apo Formula 1.

Në këtë mënyrë, burrat mund të qëndrojnë në plazh, të bëjnë tifo për skuadrën e tyre të preferuar dhe pjesa tjetër e familjes mund të shijojë e qetë detin dhe pushimet. Tashmë, televizori në plazh po bëhet një nevojë e pashmangshme. Por iniciativat nuk përfundojnë këtu: në fakt, në çadër është e mundur që të lidhesh me internetin për të kontrolluar postën tënde elektronike ose të "lundrosh" në sajtet e ndryshme të tij, pa e prishur fare rehatinë. Ndër të tjera, sot mund të gjenden edhe krevate me mbajtëse celulari, që të japin mundësinë për ta karikuar atë nën çadër. Pastaj, ka edhe të reja nga më të çuditshmet, siç janë çadrat për duhanpirësit, të cilat u krijojnë mundësi plazhistëve për të pirë duhan pa i shqetësuar aspak të tjerët përreth. Ndër shërbimet më të kërkuara janë edhe aktivitetet që u kushtohen fëmijëve, dhe në veçanti të sapolindurve. Vende për t’u ndërruar pampersat, për të ngrohur ushqimet, duke i ndihmuar në këtë mënyrë nënat për pushime të rehatshme.

Nën çadër mund të gjenden gjithashtu edhe krevate të përshtatshëm për gjumin e fëmijëve. Shërbimet që synojnë të tërheqin klientelën në moshë të re janë sidomos ato që bazohen te sporti, si për shembull, futbolli në rërë dhe te teknologjia, si lidhjet me internet, porositë me anë të një SMS-je apo lojërat e ndryshme me kompjuter. Madje, edhe krevati klasik për të marrë rreze (shezlongu) i përshtatet kërkesave të plazhistëve, të cilit tani mund t’i ndryshohet edhe veshja. Këtë vit është në modë shezlongu me vrima në vend të atij të veshur plotësisht, i cili të bën me djersë dhe mban rërë.

Përveç sporteve klasike në rërë, gjithmonë e më të kërkuara janë disiplinat e reja të sportit si: sërfi, uind sërfi, ecja nordike dhe lloje të tjera sportesh. Këto disiplina shpesh janë kryqëzim mes disiplinave ekzistuese, ndërsa në raste të tjera bëhet fjalë për aktivitete tërësisht të reja. Mes të rejave të verës është edhe një lloj sporti i quajtur "hidrobike", në lloj rrotullimi me biçikletë në ujë dhe ecja nordike në rërë, një disiplinë e përshtatshme për të gjitha moshat, që konsiston në ecjen mbi dy shkopinj të gjatë që stimulojnë muskulaturën e krahëve.

Të panumërta janë edhe shkollat e "kite surf"-it, që të mësojnë se si të bësh sërf nëpër dallgë i hipur në një parashutë dhe kurset e karatesë, përveç atyre të gjimnastikës dhe body building. Specialitete në disa plazhe të veçanta janë edhe turnetë e raketave, tenisi në plazh, që luhet me një lloj rakete të veçantë dhe me një rrjetë të gjatë prej dy metrash. Nuk mund të lihen pas dore edhe garat me varka, kanoe, që zhvillohen thuajse çdo gjysmë ore në të gjitha plazhet e Europës. Një varkë e veçantë është ajo në formë bananeje, në të cilën mund të hipin 10 persona që tërhiqen nga një motoskaf; një formë argëtimi që tërheq pushues të moshave të ndryshme. Por edhe sportet ekstreme pëlqehen shumë, sidomos nga moshat e reja. I zhytur në një kamerdare, duke u mbajtur fort në dorezat e saj dhe i veshur me jelek shpëtimi, i tërhequr nga një motoskaf, të duket sikur fluturon. Këto janë ato çka na ofrojnë sot plazhet më të bukura dhe më të populluara të të gjithë Europës. Aktivitete të bukura, por edhe të rrezikshme, shërbime të nevojshme dhe ndonjëherë të çuditshme, prej të cilave askush nuk do të donte të hiqte dorë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama