Por ai nuk ka preferuar ta pijë kafenë, dhe as të debatojë për më të rejat, por ka përfituar nga çasti kur bashkëshortja është nisur për në punë, dhe ende me veshjen e shtratit ka shpejtuar të marrë armën e gjuetisë që mbante me leje në një cep të fshehtë të shtëpisë. Është ulur në po të njëjtin vend nga u ngrit më parë, ka vendosur ballin mbi tytën e ftohtë të armës, dhe me gishtin e madh të këmbës ka tërhequr këmbëzën. Metali i nxehtë nën krismën e thatë do t’i përshkonte tejpërtej ato pak centimetra, për të dëmtuar në mënyrë të plotë e të pariparueshme trurin e tij brilant... ...Ishte vetëm 31 vjeç, shans a ters, kjo nuk ka asnjë rëndësi. Humbja ishte e madhe, dhe jo vetëm për familjen. Ekspertët kriminalistë detajuan mbi procesverbal aktin e vetëvrasjes, por motivi mungonte. Tjetërkush do të vendoste për të. Viktimë e talentit të tij. Nuk kishte dyshim që vetëm kështu shpjegohej gjithçka. I zhgënjyer dhe i trysnuar nga një mjedis që nuk e linte të merrte frymë ai e pa të udhës të ikte nga kjo botë. Dhe iku... Pandeli Koçi, me një krijimtari të gjatë në jetën e tij prej shkrimtari, me dhimbje edhe sot pas 35 vjetësh, rrëfen jo vetëm orët e fundit të mikut të tij të ngushtë para se ai ta linte jetën e të gjallit, por dhe heshtjen trishtuese që e mbuloi pas vdekjes:
Si do të ishte për shkrimtarët viti 1973?
Problemet filluan që para plenumit IV të KQ për letërsinë dhe artet ku theksi ra: “Kundër ndikimeve borgjezo-revizionste në letërsi dhe në art”. Ishte koha kur Festivali 11 ishte dërmuar dhe Mihal Luarasit e Minush Jeros u ishin vënë prangat. Enver Hoxha gjatë fjalimit të tij të ashpër në plenum, mes të tjerash tha: “Lidhja e Shkrimtarëve dhe shtëpia botuese ‘Naim Frashëri’ janë institucione me shfaqe të huaja”. Që nga ky çast do të fillonte gjuetia e shtrigave.
Si do të përcillej në Lidhjen e Shkrimtarëve ky fjalim?
Fillimisht u shkarkua nga detyra për liberalizëm ish kryetari i Lidhjes, Dhimitër Shuteriqi. Erdhi Dritëro Agolli si dorë e fortë. Pati kritika të shuma. Unë vetë jam kritikuar ashpër në Lidhje pas këtij plenumi.. Gjithashtu do ta pësonte dhe miku im i ngushtë Faik Ballanca, një shkrimtar shumë i talentuar i cili deri në atë kohë kishte botuar disa vëllime në prozë.
Çfarë mase do të merrej për Faik Ballancën?
Pas kritikave të shumta që iu bënë, atë do ta çonin për riedukim në qytetin e Krujës dhe i thanë të punonte në gazetën lokale, “Kastrioti”. Mirëpo ishte një vendim që nuk u zbatua. Vetë Faiku protestoi fort dhe iu ktheu vendimi. Megjithatë Faiku u trondit së tepërmi.
Çfarë do ta dëmtonte më shumë një shkrimtar në shkëlqim e sipër?
Pa dyshim që goditja e parë i erdhi nga Pleniumi IV. Por më pas do të kishte dhe andralla të tjera. Ndërsa romani i tij i parë “Nomeja e largët” iu kthye nga shtëpia botuese me vërejtje të rënda ideologjike. Në atë kohë ai ia dha këtë roman Ismail Kadaresë. Pasi e lexoi Kadareja dha këtë mendim: “Asnjë nga akuzat që bën redaksia nuk qëndron. Ky është romani i tij i parë dhe çuditem se si ka mundur të realizojë një strukturë kompozicionale të tillë, sa të vështirë aq edhe moderne”.
Për çfarë kritikohej Ballanca në këtë vepër?
Kritikat u adresuan pikërisht për strukturën si dhe për personazhin kryesor. Personazhi ishte një njeri që kishte humbur kujtesën. Mirëpo realizmi socialist nuk pranonte që struktura kompozicionale të dilte nga shtrati dhe për më tepër u cilësua si një vepër me pikëpamje borgjezi-revizioniste pasi vetëm kjo literaturë vendoste si personazh kryesor njerëz të çmenduar apo me kujtesë të humbur. Ky roman Faik Ballancës iu kthye tre herë.
Kur do të fillonin t’i shfaqeshin traumat psikike?
Më kujtohet që një ditë i shkova në shtëpi, por nuk e gjeta. Më thanë se ishte shtruar në spital, tek pavijoni i neurologjisë. Shpejtova për ta shkuar atje. E kam vizituar çdo ditë. Hynin e dilnin dhe shkrimtarët e tjerë. Kur doli nga spitali, teksa punonim në një nga sallat e Bibliotekës Kombëtare, më thotë: “Më ka prerë krahët ky roman” Ishte fjala për “Nomeja e largët” me të cilën ai punonte çdo ditë duke riparuar pjesët sipas vërejtjeve të bëra. I thashë me optimizëm se do t’ia dilte. Më pas ai shkoi për ca ditë në kampin e pushimit në Korçë.
Cila ishte gjendja e tij pas pushimeve?
Sapo u kthye e mora në telefon. Ishte darkë. Më tha se ishte kënaqur në Korçë, madje i kishte rënë edhe kitarës. E lamë që të nesërmen të takoheshim. Do pinim kafe e do flisnim për punët e përditshme. Në mëngjes dal nga shtëpia dhe drejtohem për nga shtypshkronja Mihal Duri, të cilën e kisha fare pranë. Te portiku takova Adem Litën, redaktorin e vjetër, i cili më tha: “E more vesh, ka vrarë veten Faik Ballanca!”. Ishte krejt e pabesueshme. Sikur m’u shemb gjithçka mbi kokë. U ktheva menjëherë në shtëpi dhe këtë lajm ia dhashë nënës time. Ajo vuri kujën, sepse Faikun e konsideronte si djalin e shtëpisë. Mora rrugën për tek shtëpia e tij që e kishte diku pranë Medresesë. Vetëm kur pashë njerëz në oborr e kuptova që më e keqja kishte ndodhur vërtet. Deri në atë çast gjithçka më dukej një ëndërr. Ishte 5 marsi i vitit 1977.
Miqësia
Por ku do të zinte fill miqësia e përbashkët me Faik Ballancën? Pandeli Koçi thotë: “Ne vazhduam së bashku fakultetin Histori-Filologji. Ai ishte në degën e gazetarisë dhe pas përfundimit punoi në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe në revistën “Nëntori”. Kemi pasur një jetë të përbashkët, si gazetarë, si gjuetarë e si alpinist. Megjithëse ishte i një brezi me Koço Kostën, Nasi Lerën, Zija Çelën etj., ai kishte botuar romane kur këta të fundit sapo kishin filluar të botonin tregimet e para. Tregimet e tij nisën të botoheshin që në vitin 1962. Ndërkohë nevoja për të lexuar edhe literaturë jashtë kornizave të realizmit socialist, e shtynë të mësonte disa gjuhë të huaja. Përktheu nga gjermanishtja, frëngjishtja dhe italishtja. Vitet e fundit po rrekej të mësonte edhe anglisht. Me krijimet e tij, Faik Ballanca arriti të krijonte personalitet të veçantë si shkrimtar, në saje të kulturës së gjerë, intuitës së hollë artistike dhe skrupulozitetit të tij krijues”.
Shkrimtarët braktisin funeralin
Që ikte Faik Ballanca, kjo ishte më shumë se trishtuese. Por... “Në ato vite vetëvrasja ishte një veprim që dënohej politikisht. Nga Lidhja e Shkrimtarëve, Dritëro Agolli, erdhi për ngushëllim para varrimit, por në varrimin e tij nuk mori pjesë as ai e asnjë nga kryesia. Madje as kurora nuk iu vunë. E vetmja kurorë ishte e një mikut të tij, një veteran lufte me emrin Stefan, i cili për shkak se kishte marrë tre plagë dhe e kishte parë vdekjen me sy, nuk donte t’ia dinte për rregullat e Partisë. Për vdekjen e Faik Ballancën nuk u shkrua asnjë resht në gazetën Drita. Pra, ajo kaloi në heshtje të plotë”, thotë Pandeli Koçi në rrëfimin e tij për “Shekullin”.
Kanë thënë
Ismail Kadare: “Asnjë nga akuzat që i bën redaksia nuk qëndron për romanin "Nomeja e largët". Ky është romani i tij i parë dhe çuditem se si ka mundur të realizojë një strukturë kompozicionale të tillë, sa të vështirë aq edhe moderne”.
Dritëro Agolli: “Faik Ballanca e pati të shkurtër kohën e krijimtarisë, ashtu siç e patën Lermontovi, Migjeni, Veli Stafa apo Drago Siliqi. Ai u shëmbëllen në fatin tragjik këtyre shkrimtarëve, që nuk i dhanë dot të gjitha ato që mund të jepnin. Megjithatë, ky i dashuruar i marrë i librave, la një trashëgimi të vyer letrare”.
Vath Koreshi: “Jo rrallë më ndodh që, duke lexuar tregime të Faik Ballancës, më vjen në vesh zëri i tij. Gjithë artin e tij ky njeri me zemër vezullimtare e vuri në funksion të fisnikërimit të njeriut të tregojë se ç‘rrezatim të fuqishëm ka një shpirt që do, që dhemb dhe që nuk e pranon meskinitetin”.