Pleqte e Krujes femijet i kendojne 100-vjetorin Bab Mucit

'Pleqte e Krujes', femijet i kendojne 100-vjetorin Bab Mucit

Rreth 100 fëmijë janë mbledhur bashkë në Krujë për të zhvilluar edicionin e 14- të të Festivalit të interpretuesve të Këngës Popullore. Ka ndodhur vetëm një ditë më parë në fushën e lojërave në Krujë, një ambient më së shumti i frekuentuar nga fëmijët e Krujës. Por, në këtë event të ftuar ishin edhe të rriturit, madje edhe të moshuarit. E gjitha është organizuar nën kujdesin e Bashkisë së Krujës, kryetari i së cilës, zoti Shkëlzen Hoxha, i është bashkuar këtij spektakli popullor me kënaqësi. Për të ndjekur edicionin e 14-të të Festivalit të interpretuesve të Këngës Popullore për Fëmijë, nuk kishte nevojë për bileta. Çdokush mund t’i bashkohej sheshit që atë ditë mori një pamje ndryshe.

Pjesëmarrësit

Ata ishin rreth 100 fëmijë, jo vetëm nga Kruja, por edhe nga Tirana, Durrësi, Fieri, Tropoja dhe shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Konkurronin denjësisht me këngë popullore, autoktone shqiptare të cilat vinin të punuara mjeshtërisht nga drejtori i festivalit, kompozitori Ylli Kalaja. Pjesë e këtij formati u bënë edhe këngëtarë të tjerë të muzikës popullore, të cilët u ngjitën në skenë për të kënduar së bashku me fëmijët. Të pranishëm gjithashtu në këtë event kanë qenë edhe princi Leka dhe princesha Elia. Në fund të  festivalit kishte edhe fitues.

Kostumet popullore

Të gjitha këngët pjesëmarrëse ishin të shoqëruara me kostumet përkatëse të trevës që i përkisnin. Ishin kostume që shkonin njësh me këngën. Dekori ishte punuar nga duart e piktorit Gazment Bakalli dhe i gjithë imazhi i këtij festivali mori një pamje tradicionale dhe të hijshme falë punës së palodhur të udhëheqëses artistike, sopranos Rakipe Karaj. Fëmijë që e duan dhe e njohin traditë, kjo ishte përshtypja e parë që të krijonin imazhet e përcjelluar atë pasdite, të cilat sot jua përcjell edhe “Shekulli”. Juria Këngëtarët e vegjël, por shumë të talentuar u vlerësuan nga një juri me artistë profesionistë. Edit Mihali, Yllka Mujo dhe Iris Bega kishin pranuar me kënaqësi që “të gjykonin” fëmijët në këtë aktivitet. Por në pamundësi për të shpallur një fitues, juria ka rënë dakord unanimisht që të shpallë dy fitues. Në të vërtetë ato janë dy vajza. Çmimi i parë iu dha dy vajzave, Xhensila Zallës dhe Florinda Barushit.

Prezantimi

Prezantimi i këtij eventi edhe këtë edicion, ashtu sikurse edhe disa edicione më parë është lënë i sigurt në duart e gazetarit dhe prezantuesit Aulon Kalaja. Por, këtë herë Auloni e ka çuar këtë iniciativë deri në fund i vetëm. Edhe pse jo në shoqërinë e një zonje të bukur dhe të suksesshme siç jemi mësuar shpesh t’i shohim meshkujt duke drejtuar festivale, Aulon Kalaja ka ditur më së miri që të realizojë një spektakël të mirë.

Momenti special

Pleqtë e Krujës, tashmë të njohur për muzikën e tyre festonin këtë vit 52-vjetorin në skenë. Edhe pse shumë prej anëtarëve të grupit të muzikës popullore janë ndarë nga jeta, duke i lënë grupit trashëgimtarët e tyre, të cilët po ashtu këndojnë, ata duket se janë të pandalshëm. Bab Muçi si e njohin të gjithë më të moshuarin e grupit, atë pasdite mbushte plot 100 vjeç. Të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë dhe i uruan bashkë me fëmijët ditëlindjen e tij të 100-të.

Tradita

Mbledhja e këtyre kostumeve popullore ka filluar pas Luftës së Dytë Botërore, më saktë në vitin 1947. Për veshjet popullore duhet ruajtur origjinaliteti i tyre, sepse ato janë një shprehje e qartë e identitetit shqiptar. Në një festival folklorik, të zhvilluar jashtë shtetit, ne duhet të përfaqësohemi me kostumin tradicional. Edhe bota i ruan dhe i mirëmban  shumë. Është një element identiteti. Gjenden forma  të ndryshme për organizimin e festivaleve folklorike. Me të vërtetë, një festival i bërë para 30 vjetësh nuk ngjan me një festival të bërë sot, por forma të tilla duhen ruajtur, pasi janë vlera të trashëgimisë kulturore të pakontestueshme të çdo populli. Kështu duket sikur thonte çdo fëmijë në këtë festival, ku më shumë se kurdoherë duket se përcillet besueshëm traditat dhe një pjesë e kulturës sonë tek brezi i së ardhmes.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama