Hosni Mubarak, Presidenti i Egjiptit, që nga viti 1981, është 81 vjeç. Fidel Kastro, që sapo ka mbushur 85, është prej gjysmëshekulli kreu suprem i Kubës. 83-vjeçari Bhumibol Adulyadejmban mban rekordin për sa i përket qëndrimit në detyrë: është mbreti i Tajlandës që prej vitit 1946. Abdulah in Abdul Aziz, mbreti i Arabisë Saudite, është 86 vjeç. Në fund të listës, por jo për nga rëndësia, “lideri suprem”, Kim-Jong Il, tirani i pamëshirshëm i Koresë së Veriut është duke mbushur të 70-at. Të pestë janë shumë të sëmurë, ndoshta ndonjëri prej tyre nuk do të arrijë dot deri në fund të 2011-s. Por edhe sikur kjo të mos ndodhë, dobësia fizike e këtyre liderëve përkthehet automatikisht në dobësi politike, që i detyron vendet e tyre të përballen me procesin delikat të transferimit të pushtetit, që mund të sjellë ndryshime të paparashikuara në strukturën e pushtetit. Përtej ndryshimeve të mëdha të çdo lloji, kulturore, ekonomike, gjeografike dhe sociale mes këtyre vendeve, është befasuese të zbulosh ngjashmëritë e procesit të transferimit të pushtetit.
Gjeopolitika dhe biologjia
Këto ndryshime mund të sjellin pasoja të rëndësishme edhe te vendet e tjera të interesuara në këto procese. Egjipti është një faktor kyç në botën arabe dhe në Lindjen e Mesme dhe turbulencat e lidhura me kalimin e pushtetit nuk mund të mos ndikojnë në negociatat e paqes mes Palestinës dhe Izraelit, apo mbi raportet komplekse të Iranit me të gjithë botën. Influenca kubane në Amerikën Latine është e njohur dhe do të ndihet sigurisht pas vdekjes së Fidel Kastros që sot ka ende në dorë pushtetin për të ndalur ndryshimet. Ikja e tij do ta lejonte të vëllain Raul të çonte përpara disa reforma të diskutueshme, të hapte rrugën për një afrim me SHBA-në deri në heqjen e embargos së kotë të vendosur nga superfuqia botërore me vendin e vogël ishullor.
Një përmirësim i marrëdhënieve mes SHBA dhe Kubës do të ishte një “gllënjkë” e vështirë për t’u përtypur, si për Hugo Chavez ashtu edhe për “satelitët” e tij amerikano-latinë Evo Orales dhe Daniel Ortega. Ajo që ndodh në Arabinë Saudite vendos për çmimin e benzinës për makinat tona dhe atë të konsumit tonë të energjisë elektrike. Tani, turbulencat e brendshme të destinuara të shoqërojnë ardhjen e një mbreti të ri në Riad do të ndiheshin nga Lindja e Mesme në malet mes Afganistanit dhe Pakistanit. Dhe sigurisht në Wall Street. Kjo është e vërtetë edhe për Korenë e Veriut ku dihet se Kim Jong Il ka vendosur t’ia kalojë drejtimin e vendit të birit. Tensionet e fundit në gadishullin korean, sipas ekspertëve, lidhen pikërisht me transferimin e pushtetit. Sigurisht që një konflikt i armatosur mes dy Koreve do të kishte ndikim të menjëhershëm mbi ekonominë botërore. Edhe në Tajlandë ndërrimi i mbretërve. Problemet e brendshme padyshim që do të ndikojnë në vendet fqinje, por pasojat do të ndihen në të gjithë juglindjen aziatike. Renditja e të gjitha pasojave në fushën ndërkombëtare në rast të vdekjes së ndonjë prej këtyre liderëve, sigurisht që është e paparashikueshme.
Gjithçka brenda familjes
Fideli ia ka transmetuar pushtetin të vëllait të tij Raul. Kim Jong-il ka zgjedhur si pasardhës djalin tij 26-vjeçar Kim Jong-un, që falë meritave ushtarake jo të identifikuara mirë është emëruar kohët e fundit gjeneral me katër yje. Hosni Mubarak po bën të pamundurën për t’ia kaluar pushtetin të birit Gamal. E në fakt, nëse George Bush Plaku dhe i Riu kanë qenë të dy presidentë të SHBA, pse kjo të mos vlejë edhe për ne, thonë Kim dhe Mubarak. Në rastin e mbretit, trashëgimia familjare është një proces shumë i komplikuar. Mbreti Abdullah ka cilësuar si trashëgimtarin e tij të vëllanë, princin Sultan bin Abdul Aziz. Por edhe këtu ka një problem, princi Sultan vuan nga kanceri. Nuk është ende e qartë si do të vendoset nëse Sultan vdes para se mbreti të bëjë kalimin e pushteteve. Mijëra princër të brezave dhe orientimeve të ndryshme politike do të influenconin në këtë vendim.
Edhe në rastin e Tajlandës, situata nuk është shumë e qartë. Pasardhësi natyral i mbretit do të ishte djali 57-vjeçar, princi Maha Vajiralongkorn, edhe pse është i panjohur dhe nuk ka popullaritet. Zërat për jetën e tij sentimentale, miqtë që frekuenton dhe adhurimi për qenin e tij Fu-Fu që shpesh ulet në tavolinat e banketeve janë në kontrast të dukshëm me admirimin që gëzon motra e tij, princesha Sirindhorn. Ndërsa princi mbush faqet e gazetave me festat dhe stilin e tij, princesha citohet për veprat e bamirësisë, zakonet e rezervuara dhe shumë modeste. Nuk përjashtohet mundësia që kur të jetë duke vdekur, mbreti të cilësojë si pasardhësin e tij princeshën Sirindhorn ose një nga nipërit e tij. Por në çdo rast ekziston rreziku që përplasjeve dhunshme në shesh t’u shtohen edhe ato të brenda pallatit mbretëror dhe kjo është gjëja e fundit për të cilin Tajlanda do të kishte nevojë. Fëmijë, vëllezër e gjeneralë.
Një tjetër emërues i përbashkët i këtyre pesë vendeve të përmendura është roli vendimtar që forcat e armatosura luajnë në zgjedhjen e pasardhësve të liderëve aktualë. Qeveritë respektive varen nga ushtarakët për të qëndruar në pushtet. Në Kubë, për shembull, Raul Kastro, vëllai i Fidel, ka qenë për shumë vjet kreu i forcave të armatosura. Institucionet më të rëndësishme të vendit janë padyshim ato ushtaraket, përfshi edhe shërbimet e inteligjencës. Me pak fjalë, në të gjitha këto vende, ushtarakët janë pjesë e familjes që do të zgjedhë liderin e ardhshëm të vendit.
Mosha nuk fal
Edhe pse do të donin të jetonin përjetësisht dhe të mos ia kalonin asnjë tjetër, pasardhësi që mund të bëjë ndryshimet që ata nuk do të dëshironin kurrë t’i shihnin, natyra nuk mund t’i falë. Jo të gjithë mund të jetojnë më shumë se 100 vjet, madje edhe për këtë duhet parë se çfarë do të ndodhë.