Plumb kokes duke luajtur ruleten ruse

Plumb kokës, duke luajtur ruletën ruse

Burime nga policia lokale, bazuar në të dhënat e para, por edhe burime të afërta me familjen e të vetëplagosurit, bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur në lojë e sipër. Nuk është fjala për një vetëvrasje, por për një lojë me pistoletë. Koçi, mendohet se në gjendje të dehur ka vendosur të luajë lojën e njohur si ruleta ruse, ku një pistolete me mulli i futet vetëm një plumb dhe pjesëmarrësit në lojë e shkrepin armën në kokë, pasi kanë rrotulluar mullirin, duke rrezikuar seriozisht jetën.

Burimet nga grupi i hetimit bënë të ditur se 37-vjeçari Koçi, bashkëshortja e tij dhe një mikeshë e saj, e kanë luajtur lojën e rrezikshme pasi kanë konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli në shtëpinë ku çifti Koçi jetonte me qira, në Lagjen 17 të qytetit.

37-vjeçari ka hequr të gjithë plumbat nga pistoleta me mulli dhe ka lënë vetëm një prej tyre në të. Më pas ka nisur lojën e shkrepjeve. Të parat e kanë provuar fatin dy femrat, shkrepjet e të cilave kanë rezultuar boshe. Por kur gryka e armës ishte drejtuar në kokën e organizatorit të lojës, plumbi që ndodhej në mulli ka ndaluar në fole dhe është shkrepur, duke përshkruar tejpërtej kokën e Koçit. Loja është kthyer në një tragjedi. 

I plagosuri është dërguar menjëherë në Spitalin e Durrësit, ku po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor, që ka nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë, përmes fiksimit të provave materiale dhe marrjes së dëshmive të para. 

Ndërkaq, burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 10:55, në Lagjen 17 të Durrësit, afër shtypshkronjës. Gentian Koçi, 37 vjeç, është vetëplagosur me armë zjarri (pistoletë me mulli) në banesën e tij të marrë me qira. Burimet spitalore konfirmojnë se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë dhe ai nuk ka dalë ende nga rreziku për jetën me gjithë ndërhyrjen e bërë.

I plagosuri ishte pronar i një lavazhi makinash në qytetin e Durrësit. Ai figuron me gjendje civile banor i Lagjes numër 8 të qytetit, por banonte në një shtëpi me qira në Lagjen numër 17. Policia tha se personi në fjalë nuk njihej si problematik dhe nuk ka pasur precedentë penalë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama