Po behemi antinjerezore
- Botuar: 16 vite më parë
- Shkruar nga:
"Shiriti i bardhë" është filmi i dhjetë i Michael Haneke. Ngjarjet zhvillohen në prag të Luftës së Parë Botërore. Regjisori austriak jep një refleksion të ankthshëm për moralin dhe edukimin.
Në rolet kryesore interpretojnë Ulrich Tukur, Christian Friedel. Zgjat 2 orë e 25\'. Del në kinema më 21 tetor. Me këtë film, Haneke fiton "Palmën e Artë".
67-vjeçari është shpeshherë pjesëmarrës në Festivalin e Kanës. Në vitin 1997 do të bënte bujë me filmin e dhunshëm, "Funny Games" dhe më 2001-shin, "Pianistja" e tij u kurorëzua me çmimin e madh të jurisë, kurse aktores Isabelle Hupper i ofroi çmimin për interpretimin.
Dhe ja ku ajo ndodhej në pozicionin e kryetares së jurisë dhe i duhej të merrte një vendim për veprën e mjeshtrit. "E njoh mirë", - do thoshte Haneke për Huppert-in gjatë ditëve të festivalit. Është grua inteligjente dhe serioze. Ajo ka për të vlerësuar filmat që pëlqen. Të tjerat, s\'kanë rëndësi..."
Me "Shiritin e bardhë" ai kthehet në të kaluarën e Gjermanisë. Në një fshat të Gjermanisë së Veriut, ndërmjet viteve 1913-1914, në prag të Luftës së Parë Botërore, një seri ngjarjesh dramatike tronditin jetën e banorëve. Mësuesi bën hetime. A janë fajtorë fëmijët e korit?
"Është një film për rrënjët e së keqes, shpjegon Michael Haneke. Qëllim im ishte që të tregoja se ndërsa krijohen principe ose ideale, deri diku absolute, ne bëhemi të përbindshëm dhe jo humanë. Atëkohë, protestantizmi ishte shumë i ashpër, kurse edukimi shumë strikt.
Fëmijët kanë prirjen që ta marrin shumë seriozisht atë që u predikohet. Ata do të bëhen gjykatës të atyre, pastorë dhe prindër, të cilët u kanë rrënjosur një moral të sertë, por që kanë qenë fare të paaftë për ta vënë në shërbim të veprave të tyre. Atëherë këta fëmijë përdoren dhe përmbushin të keqen. Është brezi që do të bëhet nazist... Por nuk është një film vetëm për origjinën e fashizmit, ai flet për të gjithë terrorizmat ideologjikë, politikë dhe religjiozë."
Në kinemanë e Michael Haneke-s është gjithnjë i pranishëm koncepti i fajit. "Si të shpëtosh? Kultura jonë mban vulën e judaizmit dhe të kristianizmit. Çfarëdo që të ndodhë, ne kemi lindur fajtorë! Ideja e filmit më lëvrinte në kokë që prej dhjetë vjetësh. Me kalimin e kohës e mbusha bibliotekën me manuale morali të shekujve të XVIII-XX. Dhe u frymëzova".
Megjithatë, gjatë fëminisë, Haneke ka marrë një edukatë "më së shumti liberale", nga babai gjerman protestant dhe nëna austriake katolike. "Prindërit e mi ishin aktorë dhe u divorcuan kur isha fëmijë".
Ai nuk e përdor muzikën në filmat e tij. "E dua shumë muzikën, aq sa të mos e përdor me qëllimin për të fshehur defektet e mia!" Michael Haneke njihet si mjeshtër që trajton të keqen dhe mashtrimin. "Mashtrimi është i pashmangshëm. Por kjo nuk ma mbush mendjen, unë dua të trondit dhe të provokoj rrethanat".
Dhe ndërsa i thonë se "Shiriti i bardhë" është bergamiane, ai përgjigjet, duke shpërthyer në të qeshur: "Është një film hanekien dhe kjo del e tepron!"
Kritika, dhe këtu u referohemi dy burimeve kryesore të kësaj përmbledhje për Festivalin e Kanës, të përditshmeve franceze, "Le Figaro" dhe "Le Monde", është shprehur se nuk mund të lihej jashtë palmave filmi i Marco Bellocchio-s, "Vincere", i cili ishte në fakt një nga brilantet e konkurrimit.
Isabelle Huppert ka mbrojtur palmën e saj të artë, duke e përkufizuar kështu Michael Haneke-n: "Është një regjisor që e adhuroj për talentin, për stilin krejtësisht etik dhe për një ndjesi njerëzore që e bën akoma më tërheqës".
Kishte dhe një provë të fundit që tregonte se ky edicion nuk ishte tamam si të tjerët. Filmi i projektuar në mbyllje, "Coco Chanel dhe Igor Stravinsky" i regjisorit Jan Kounen, i cili rrëfen lidhjen e këtyre dy personaliteteve të modës, ndryshe nga herët e tjera, nuk shprehu mungesë interesi.
Për ta mbyllur, pa dyshim që filmi më protestues i festivalit, "Papritur bosh" i Gaspar Noés, ishte ai që reflektonte ndjesinë që dominonte këtë edicion. Përvojat psikotrope të Noés shkaktuan një çoroditje të dhunshme. Dhe ashtu si heroi i "Papitur bosh", ndërmjet realitetit dhe ireales, edhe ky edicion i 62-të i Festivalit të Kanës nuk e di mirë ku ndodhet apo ku po shkon.
Kanë 2009: Gjithë çmimet
Juria e edicionit të 62-të të Festivalit të Kanës, me kryetare jurie Isabelle Huppert, mbrëmjen e 24 majit, në ceremoninë e mbylljes së festivalit, shpalli këta fitues:
Palma e Artë
"Fjongoja e bardhë" (The White Ribbon) Michael Haneke (Austri)
Grand Prix
"Profeti" (A Prophet) Jacques Audiard (Francë)
Çmimi i karrierës për veprën dhe kontributin në historinë e kinemasë
Alain Resnais (Francë)
Regjisori më i mirë
Filipinasi Brillante Mendoza, për "Kinatay"
Çmimi i Jurisë Ex-aequo:
"Akuariumi" Andrea Arnold (Britani)
"Etje" Park Chan-Wook (Kore e jugut)
Aktori më i mirë
Austriaku Christoph Waltz në "Inglourious Basterds" i Quentin Tarantino (SHBA)
Aktorja më e mirë
Francezja Charlotte Gainsbourg në "Antichrist" i Lars von TRIER (Danimarkë)
Skenari më i mirë
Mei Feng për "Spring Fever" i Lou Ye (Kinë)
Filmi i shkurtër
Palma e Artë
"Arena" i João Salaviza
Çmim Special
"The six dollar fifty man", i Mark Albiston dhe Louis Sutherland
Kamera e Artë
"Samson and Delilah" i Warwick Thornton (në seksionin Un Certain Regard)
Kamera e Artë - Çmim Special
"Ajami" i Scandar Copti dhe Yaron Shani (në seksionin Quinzaine des Réalisateurs)
Çmimi Un Certain Regard
"Dogtooth" i Yorgos Lanthimos
Çmimi i Jurisë
"Police, Adjective" i Corneliu Porumboiu
Çmimi Special Un Certain Regard 2009
"No One Knows About Persian Cats" i Bahman Ghobadi
"Father of My Children" i Mia Hansen-LØVE
"Kryepremi" i Çapalikut, sot në Akademinë e Arteve
Komedia e përgjakshme, siç e "ka klasifikuar" Stefan Çapaliku veprën e tij për teatër, "Shën Gjon krypremi", shfaqet sonte në mbrëmje, në orën 20.00, në skenën e Akademisë së Arteve. Ky prodhim i teatrit "Migjeni" vjen në Tiranë pas premierës në Shkodër.
Protagonistë janë Rikard Ljarja dhe Zyliha Miloti, të cilët drejtohen në skenë po nga Çapaliku. Është e treta komedi e tij ku luan edhe rolin e regjisorit. Kujtojmë "I\' am from Albania" dhe "Putargat e thata".
Skenografia është realizuar nga Zef Paci, kostumet nga Belinda Maçi dhe koncertmaestër është Marjan Deda. Interpretojnë Agron Dizdari (Patër Andrea), Frederik Fistani (Shoku Miltiadh ose operativi i lagjes), Enver Hyseni (Hilmiu, ose kasapi), Merita Smaja (Sadetja, ose shitësja e bukës), Rita Gjeka (Anunciata, ose një e ve italiane), Ina Gjonci (Ardita, ose revolucionarja), Marjan Deda (Arbeni, ose revolucionari), Jozef Shiroka (Leci, ose djali i shtëpisë, ushtar), Gjon Kola (Ejlli, katundar), Rajmonda Marku (Mrija, ose e shoqja e Ejllit). Ngjarjet janë vendosur në një shtëpi qytetase, më 29 Gusht të vitit 1968. Është koha e revolucionit kulturor. Ka filluar shkatërrimi i kishave dhe xhamive.
Në shtëpinë e Gjonit arrin nga jashtë televizori i parë në qytet. Ardhja e televizorit koincidon me ditën e Shën Gjon Kryepremit, apo ditën e emrit të të zotit të shtëpisë. Ardhja e televizorit nuk mbetet pa rënë në sy të banorëve të mëhallës, të cilët vijnë dhe mbushin shtëpinë e Gjonit.
Nis përpjekja për të vënë në punë këtë aparat të çuditshëm, me anë të cilit mund të çahet izolimi komunist. Përgjatë veprimit skenik kemi edhe risemantizimin e televizionit si një media që merr mbi sipër të gjithë vëmendjen dhe besimin e njerëzve.
Ndërkohë, pra, që jashtë po shkatërrohen religjionet e vjetra, brenda po lind një i ri: televizioni. Sfondi biblik të kujton fatin tragjik të Gjon Pagëzorit dhe të Gjon shqiptarit, të zotit të shtëpisë.
Gazeta Shekulli