Në një deklaratë të tyre ata thonë se “për gjendjen e rëndë ku ndodhemi fajësohet kanuni, çuditërisht edhe nga intelektualë të shquar në fushën e letrave. Edhe në një intervistë të murgeshës së shquar Kristina Faber që po punon me përkushtim prej vitesh kundër gjakmarrjes dhe po ndihmon familjet e ngujuara në veri të vendit gjejmë shprehjen se Kanuni është feja dytësore e shqiptarëve. Si e huaj ajo është futur në thellësi të botës shqiptare por nuk ka mundur të zbulojë se ç’janë krimet e sotme që thuhet se bëhen në emër të kanunit. Ne si misionarë e kemi thënë vazhdimisht se shkaku i këtyre krimeve nuk është kanuni. Ato janë në kundërshtim të plotë me kanunin...”.
Sipas misionarëve që veprojnë në terren shkaku i shumicës së krimeve që i vishen më pas kanunit dhe tentojnë të prezantohen si zbatim i rregullave të tij janë ligjet e kohës, veçanërisht ai 7501 për tokën. “Ky ligj që vazhdon të sjellë akoma gjakderdhje mbas shumë viktimash. Por si ligji për tokën është inicuar vitin që shkoi një ligj për ndërmjetësimin me liçencë që po shfrytëzohet nga sekserët për të shkuar tek familjet e ngujuara, qoftë dhe për shkak të një aksidenti me makinë, dhe kërkuar 200 milionë lekë për të bërë të mundur pajtimin. Rastin e fundit, që misionarët e ekspeditës ia prezantuan komitetit, ishte nga Fushë Kruja. Edhe pse personi kishte kryer dënimin me tre vjet burg për aksidentin që kishte bërë me makinë, këta matrapazë me liçencë i kishin kërkuar 174 milion lekë për ta mbyllur çështjen me pajtim. Janë këta sekserë me pseudo shoqata, që po e bëjnë situatën edhe më të rëndë” – thotë Gjin Marku.
Këshilli Koordinues për Gjakmarrjen, pasiv që prej 2005-s
Në një dokument të Avokatit të Popullit bërë publik në media këtë fundjavë dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Gjergj Lezhja, thuhet: “Për të parandaluar këtë fenomen, në vitin 2005 Kuvendi miratoi ligjin “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes”. Që nga miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjit të sipërpërmendur, nga drejtuesi i Këshillit Koordinues nuk është marrë asnjë iniciativë për organizimin dhe mbledhjen e këshillit, i cili ndër të tjera në zbatim të shkronjës “a” të nenit 3 , të ligjit “... përcakton detyrat dhe masat konkrete për organet ekzekutive e ato të pushtetit vendor”. Nga Këshilli Koordinues, si organ ndërinstitucional, nuk është dhënë asnjë orientim ose porosi... Roli pasiv i drejtuesit të Këshillit Koordinues ka ndikimin e vet për mos vënien në zbatim të ligjit të sipërcituar.
Kisha Katolike shkishëron ata që vrasin për gjakmarrje
Angelo Massafra, nga Arqipeshkvia e Shkodrës, deklaroi disa ditë më parë: “Disa vrasin nganjëherë pa asnjë ngurrim ose hakmerren në mënyrë të përgjakshme e barbare. Ata shpesh arsyetojnë veprimet e tyre, duke u mbështetur në një traditë shekullore, duke thënë se zbatojnë Kanunin. Ata i japin më shumë rëndësi traditës së njerëzve se sa ligjit të Hyjit. Të gjithë ata që vrasin, me sjelljen e tyre, janë duke i vënë shqelmin Ungjillit të Jetës dhe Kryqit të Zotit tonë Jezu Krishtit. Sjellja e tyre pra është një fyerje ndaj Krishtit” Ai shpalli dekretin, sipas së cilit kushdo që bën një vrasje ose bashkëpunon me vrasësin, në bazë të nenit 1331 të Kodit të së Drejtës Kanonike do ndëshkohet me shkishërim.
Dënim përjetë për ata që vrasin policë dhe për gjakmarrje
Berisha shpalli disa ditë më parë inisiativën qeveritare për të dërguar në Kuvend ligjin e ri që parashikon dënim të përjetshëm për ata që vrasin policë dhe ata që vrasin për gjakmarrje: “...Këto ditë ndodhi një nga aktet më të shëmtuara kriminale. Një kryekomisar u vra në krye të detyrës. U vra sepse po bënte detyrën për të garantuar siguri e rregull në zonën ku drejtonte komisariatin. Unë propozoj që të dërgojmë ligjin në parlament, që përcakton dënim përjetë për ata që vrasin anëtarët e efektivave të policisë. Ky ndryshim është i domosdoshëm, dhe unë besoj e shpresoj se opozita do e votojë këtë ndryshim. Unë dua të informoj shqiptarët se shkalla e zbulimit të krimit nga policia shqiptare sot është absolutisht e niveleve më të larta që ekzistojnë. Së fundmi, edhe vrasja për hakmarrje do marrë ndëshkimin maksimal. Nuk shkohet përpara me këtë trashëgimi thellësisht negative. Sot, ata të cilët vrasin për hakmarrje, dëshmojnë se udhëhiqen nga demonë të urrejtjes dhe egërsisë njerëzore. Unë dua të informoj shqiptarët se nëse ka një fakt shumë domethënës në këtë vend, është mbidyfishimi i popullatës së burgjeve. Ligji po zbatohet, drejtësia po bën ligjin. Ka një rënie drastike, shumë të madhe të vrasjeve për gjakmarrje”
"Shpirti im do të vizitojë çdo natë", i përgjigjet murgesha kërcënuesit
Klerikja gjermane që jeton prej 13 vitesh në Shkodër komenton vendimin e fundit për shkishërimin e atyre që vrasin për gjakmarrje dhe tregon një episod kur ajo vetë është kërcënuar
Kristina Färber, jeton prej 13 vitesh në Shkodër. Ajo shoqëroi në verë një grup të rinjsh në gjak në një udhëtim nëpër Gjermani, i cili përfundoi në një audiencë të Papës në Romë. Mbi këtë udhëtim u shfaq edhe një film në televizionin gjerman. E njohur për lexuesit e Shekullit edhe nga një portret i saj, botuar disa javë më parë, Farber komenton vendimin për të shkishëruar të gjithë katolikët shqiptarë, që kryejnë vrasje për gjakmarrje.
Motër Kristina, arqipeshkvitë e Shkodrës, Sapës dhe Lezhës vendosën që të shkishërojnë të gjithë katolikët shqiptarë, që kryejnë vrasje për gjakmarrje. Çfarë prisni nga kjo masë e kishës?
Unë vetëm mund të lutem që njerëzit, që janë të prekur, besimtarët në përgjithësi, ta marrin seriozisht këtë mesazh. Dhe që ne të gjithë ta kundërshtojmë gjakmarrjen dhe të punojmë më shumë, që të mos jetë nevoja të ndodhë shkishërimi. Unë lutem, që njerëzit ta marrin seriozisht këtë vendim dhe unë do të bëj gjithçka, që njerëzit ta marrin atë seriozisht. Kush jeton në Shqipëri, me sy çelë dhe zgjuar, sidomos në veri, do të ndeshet herët apo vonë me fenomenin e gjakmarrjes.
A është forcuar apo është dobësuar gjakmarrja si fenomen në vitet e fundit?
Është e vështirë të japësh një përgjigje, meqenëse unë nuk kam qenë këtu më parë. Gjakmarrja sidoqoftë i ka mbijetuar komunizmit, në të cilin ka qenë rreptësisht e ndaluar. Muajt e fundit të këtij viti ka pasur shumë viktima të gjakmarrjes.
Pushteti i këtij ligji arkaik rëndon mbi familje e fise të tëra. Njerëzit edhe po të donin, nuk dilnin dot nga ky rreth vicioz, sepse ishte presioni i farefisit dhe i mjedisit, që i fliste sedrës së tyre. Si mund të dilet nga ky qark?
Unë mendoj se zgjat shumë, shumë, derisa të bëhet ndryshimi i mentalitetit. Unë nuk mendoj se ai nuk hiqet me masa të jashtme, ndoshta pakësohet, zbutet. Unë e vras shumë mendjen për masat e të tjera. Gjithnjë e më shumë arrij në përfundimin se njerëzit shpirtërisht hyjnë në qorrsokak. Ne na nevojiten shumë lutje, shumë bekim, shumë durim, biseda, transmetimi i besimit, shumë forcë.
Shumë familje në gjak nuk jetojnë më në malësi, ku praktikohej kanuni, por janë shpërngulur në qytete. Në ç’masë e ndryshon ambienti i ri mentalitetin e tyre. Apo ekziston rreziku, që të infektojnë mjedisin e ri me gjakmarrjen?
Kanunin, ligjin e maleve, nuk e largon thjesht me ardhjen në një ambient tjetër, siç nuk kemi lënë as ne mentalitetin tonë me ardhjen në Shqipëri. Ata vazhdojnë të jetojnë sipas kanunit. Se në ç’masë e lë veten mjedisi të infektohet prej tij, varet prej secilit. Gjakmarrja nuk është ngjitëse, me të nuk mund të infektohesh.
Dëgjon që shumë të rinj, fëmijë të familjeve në gjak, nuk duan të kenë të bëjnë me këtë problem. Nuk duan të marrin gjak, të bëhen vrasës, largohen jashtë vendi pa gjurmë. A po ndodh një distancim, largim i brezit të ri nga kanuni?
Është e vështirë edhe për të rinjtë për të dalë nga ky ligj, nga mentaliteti i Kanunit. Ai që ka lindur në të, rritet me të dhe vitet e para të jetës e formësojnë njeriun. Secili djalë e di, që kur lind, se do të duhet ta japë gjakun për fisin e tij, në qoftë se kërkohet, edhe nëse është nevoja, duhet të marrë gjakun e tjetrit, d.m.th. eventualisht duhet të bëhet gjakmarrës. Në procesin e vetëdijësimit me të rinjtë tanë, (që i shoqërojmë prej më shumë se dhjetë vjetësh), ka shumë, shumë debate, shumë vështirësi, shumë, shumë pengesa. Kjo traditë është çimentuar dhe Kanuni nuk përbëhet vetëm nga gjakmarrja. Që të dalësh nga kjo traditë është më shumë se një aventurë, është një transformim, që kalon në shumë, shumë hapa të vegjël.
Sa është e vërtetë se dikush ju ka kërcënuar, duke dashur t’ju pengojë në punën tuaj të pajtimit dhe ju i jeni përgjigjur, “mund të më vrasësh, por do të të shfaqem çdo natë”, dhe ai ju ka uruar jetë të gjatë?
Unë nuk kam thënë se do të shfaqem si fantazmë, por që shpirti im do ta vizitojë çdo natë. Po, unë i kam thënë gjakmarrësit, që do të vazhdoj të shkoj tek të ngujuarit prej tij dhe ai mund të më vrasë, po të dojë. Por veçse prite “vizitën” kur të jem në qiell. Dhe ai u largua pastaj menjëherë duke thërritur: “Dyqind vjeçe u bëfsh”. Kurrë më nuk më ka shqetësuar. Unë thjesht e kam bekuar atë.
Gjatë pushtetit komunist gjakmarrja nuk ushtrohej më, por me kaosin e viteve të tranzicionit ajo u rigjallërua. A nuk tregon shteti interesin e duhur për ta luftuar këtë fenomen, apo nuk e vë dot nën kontroll atë?
Për interesimin e shtetit apo jo nuk mund të them asgjë. Këtë nuk e di. Dhe nuk ia vlen të shtrosh pyetjen e fajit. Nga secili kërkohet të bëjë punën e tij, atë që ka mundësi, për të luftuar kundër kulturës së vdekjes. Gjithmonë shembulli vetjak ka për të qenë i rëndësishëm. Varet për shembull, se si reagojmë ndaj një mallkimi, sa jemi vetë të gatshëm për falim në gjërat më të vogla, apo jo. Unë mendoj se në çdo rast pafuqishmëria luan një rol. Njerëzit janë në burg dhe megjithatë merret gjak ndaj një tjetri. Gjatë komunizmit gjakmarrja është dënuar shumë, shumë rëndë, na kanë thënë. Megjithatë Kanuni dhe gjakmarrja kanë mbijetuar. Sikur të mund të përgjigjeshim PERSE vazhdon të ekzistojë akoma ky fenomen, do të mund të bënim edhe më shumë kundër tij.
A kujdeseni edhe për familje muslimane, që janë në gjak?
Ne jetojmë këtu edhe me motrat dhe vëllezërit myslimanë në respekt të plotë reciprok për njëri-tjetrin. Ne nuk bëjmë dallim në përkujdesje. Megjithatë konstatojmë se ne këtu kemi thuajse vetëm fise katolike, që jetojnë në gjakmarrje. Por fenomeni është i pranishëm tek të dyja fete, sepse Kanuni paraqitet gati si një “fe dytësore”.
Si vendosi të qëndrojë në Shqipëri 13 vjet më parë
Që javën e parë këtu gjatë punës me refugjatë dëgjova nga një prift për një rast gjakmarrjeje. Ai duhej të shkonte në varrimin e viktimës dhe më ftoi edhe mua të vija. Unë nuk shkova. Megjithatë këtë nuk munda ta harroj dhe jam marrë me këtë fenomen, me kanunin e kështu me radhë. Pastaj u njoha këtu në Shkodër me një familje, e cila ishte prej 26 vjetësh në gjak. Ata u bënë miqtë e mi më të mirë. Ne konfrontoheshim gjithnjë e më shumë si me gjendjen e mjeruar edhe të të ngujuarve edhe të gjakmarrësit dhe kështu na u shtua edhe një detyre, krahas atyre të tjerave.