Po kur vjen puna e cmimit te Evropes...

Po, kur vjen puna e çmimit te Evropes...
Nga datat 12-17 prill në Saint Petersburg është mbajtur Festivali i Çmimit të Evropës për Teatrin, vendi që numëron mbi 80 teatro, e ka prezantuar për të ftuarit e festivalit ndërtimin edhe të katër teatrove të tjera. Godinat ku janë shfaqur veprat më të mira evropiane të vlerësuara në dy kategori, autorët në karrierë dhe regjisorët për realitete të reja teatrore - pra kjo ceremoni është kryer në skenat me një jetë 300-vjeçare. Debati ka qenë i madh: të vlerësohej karriera apo gjenialiteti?! Juria me profesionistë absolutë të teatrit nga e gjithë Evropa, pasi merr në shqyrtim emrat e propozuar nga asosacione teatrore që janë anëtarë të këtij festivali, vendos për dy çmimet e mëdha. Çmimi për regjisorin ka hyrë në vitin e 14-të, ndërsa për realitetet teatrore shënon vitin e saj të 12-të. Regjisori gjerman Petër Stein ka shuar këto debate, duke u vlerësuar për gjenialitetin dhe karrierën intensive me çmimin e evropian të teatrit, i cili ka mbërritur në moshën 74-vjeçare në Saint Petersburg, duke dhënë shfaqjen e tij, si dhe performancën “Fausti”, interpretuar prej tij.

Kurse regjisorët Viliam Docolomansky, Katie Mitchel, Andrey Moguchiy, Kristian Smeds, kompania teatrore “Teatro Meridional” dhe “Vesturport Theatre” janë vlerësuar me çmimin e Evropës “Realitete të reja teatrore”. Drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Butrintit, Alfred Bualoti, i pranishëm prej edicionit të parë të Festivalit të Çmimeve Evropiane tregon këtë përvojë synuese, për t’i hapur rrugë një shansi komunikues edhe teatrit shqiptar. Shenja e parë, ndonëse jo fituese, është nominimi i dramaturgut Stefan Çapaliku në listën e gjatë për çmimin e “Realiteteve të reja teatrore”, propozuar nga Qendra Mesdhetare e Teatrove këtë vit, dhe para disa viteve edhe nga një shoqatë e kritikës teatrore, që ftohet rregullisht në Saint Petersburg, por që ka mbetur deri tani anonime në aktivitetin e saj. Në këtë udhëtim të Bualotit, ku afria personale me festivalin i dedikohet pjesëmarrjes së trupës së Saint Petersburgut në festivalin e Butrintit, një vit më parë, duket se nuk ka të bëjë me karrierën e tij “të dorëhequr” tashmë si regjisor e aktor, duke shprehur se “treni është jashtë meje”! Një mendim racional pse sot nuk gjendet në skenën kombëtare, si arsye e një niveli teatror larg asaj që e kanë magjepsur në Festivalin e Çmimeve Evropiane!

Jeni kthyer nga Festivali i Çmimeve Evropiane të Teatrit që organizohet në Saint Petersburg për të 14-in vitin. Pse bëhet kaq i rëndësishëm sa për t’ia prezantuar pjesës teatrore në Shqipëri?

Për një sqarim, që do të thotë se ky nuk është një festival i mirëfilltë, pavarësisht se merr karakterin e një ngjarjeje të madhe të Evropës. Por, them se është ngjarja më e madhe e Evropës në fushën e teatrit për të laureuar e për të dhënë atë që teatri e mirëpret. Në kuptimin e vlerësimit që bën një juri e ngritur prej nga fillimi i këtyre edicioneve, e rinovuar sigurisht, me personalitete në fushë të teatrit të Evropës, të kritikës, drejtimit artistik dhe fushën e letrave. Dhe konsiston në dy çmime të mëdha: çmimi i Evropës për teatrin, që jepet për një person dhe kjo ka të bëjë me gjithë karrierën e tij, dhe çmimi i dytë që ka filluar pas dy vitesh, sivjet është edicioni i 12-të për realitetet e reja teatrore. Pse u bë kjo?

Sepse nuk mbeti vetëm me çmimin e Evropës, pasi prurjet, pasuria e teatrit është kaq e madhe sa mundet që të ngjisin karrierën shumë personalitete, shumë njerëz pa marrë atë që meritonin. Atëherë vendosën që të ndanin edhe një çmim tjetër, që u quajt realitete teatrore dhe kjo nisi pas dy vjetësh.

Dhe Saint Petersburgu nuk është i vetmi qytet ku jepet çmimi, por ka shëtitur nëpër disa qytete të Evropës apo kryeqytete, që nga Italia, ku nisi i pari, në Torino, Milano, përfundoi në Selanik më pas në Poloni dhe sivjet në Saint Petersburg. Pra, në gjithë këto vite janë përshtatur me një qytet që flet për teatrin, do teatrin, ka historinë e teatrit dhe atje përcaktohet vendi ku do laureohen disa artistë apo kompani teatrore me këto dy çmime.

Ju si e morët ftesën?

Organizimi është i tillë, duke qenë se jam pjesëtar i shumë edicioneve i çmimit të Evropës derisa kam arritur tek i 14-i vit. Shkoj atje në kuadër të Institutit të Teatrit Mesdhetar, por edhe anëtarë të ftuar si festival teatri, drejtojnë një teatër, janë personalitete teatri në vendin e tyre - atëherë këta ftohen vazhdimisht në edicionet e çmimit të Evropës. Në këtë arsye si anëtar i Institutit të Teatrit të Mesdheut dhe si drejtues i një festivali ndërkombëtar të teatrit, kam qenë pothuaj në të gjitha edicionet. Kam qenë prezent në çmimet që u janë dhënë shumë personaliteteve të mëdha të teatrit. Ky është motivi i pranisë sime në këtë edicion, ashtu si edhe të shumë kolegeve të tjerë. Sigurisht më ka ardhur mirë kur është përmendur asosacioni i kritikës së teatrit shqiptar, është një organizëm tjetër në formën e një OJF-je i cili ka të bëjë me kritikën e teatrit shqiptar, apo me kritikën në tërësi ku i bashkëngjitet kritikës së unionit evropian.

Për cilën shoqatë të kritikës shqiptare bëhet fjalë?

Fjala është se ata kanë ftuar dikë, por unë nuk e di dhe mezi prisja ta takoja atje, që të takoja dikë në fushën e kritikës. Ky mund të mos ishte kritik, ndoshta një personalitet i cili merr pjesë në fushën e kritikës, ose dikush që merret me teatrin... por fatkeqësisht nuk ishte asnjeri, që sigurisht kjo ka një kosto, pasi shpenzimet e rrugës janë mbi vete, kurse akomodimi atje, shfaqjet është një faturë e madhe e të ftuarve që i merr organizimi atje.

Në paradoks ndoshta për të pyetur, por a bëhet fjalë për përfaqësim shqiptar në këtë vlerësim të teatrit evropian?

Kjo është një pyetje interesante, duke qenë gjithë këto edicione ndoshta në një moment propozimet që kemi bërë mundet të kishim ndonjë version të një shfaqjeje teatrore shqiptare. Por, sigurisht juria nuk e ka parë të udhës në gjithë këto vite, që të përcaktojë se kush mund të jetë nga një listë shumë e madhe propozimesh. Ne nuk kemi pasur rast të një emri apo kompanie teatrore të fituar, nuk kemi dhe as të nominuar.

Kjo do të thotë se teatri ynë është larg atij niveli që përfaqëson ky festival?

Po, duhet ndarë, se kur përmendim festivale të tilla si Saint Petersburgun, Berlinin, qoftë dhe Selanikun, Varshavën, Torinon etj., sigurisht që tradita e tyre është shumë më e madhe në fushën e teatrit sesa jona. Flitet për disa shekuj. Kurse ne nuk jemi pa traditë, por ajo është e re, është e përbërë nga njerëz të shkolluar, por është akoma larg niveleve të cilat kanë arritur ato që përmenda më lart për teatrin. Kjo nuk vjen vetëm nga tradita, por edhe nga koncepti dhe mjetet që përdorin në fushën e teatrit sot. Janë dy gjëra që ne jemi akoma nga pikëpamja e nivelit pak larg dhe nga ana tjetër marrëdhëniet tona, shkëmbimet tona, mentaliteti dhe konceptet tona në fushën e teatrit janë të paçliruara, janë akoma të ngurta. Është si puna e ushqimit; si ai që mësohet me një lloj ushqimi, me një lloj niveli gatimi dhe vazhdon të përtypin dhe të gatuajmë të njëjtat gjellëra, historia përballë atyre që përmenda sigurisht që flitet për kapjen e niveleve, dhe majave shumë të larta.

Në katalogun që keni sjellë në Tiranë, në një listë të dominuar me autorë dramaturgë, ishte dhe emri i Stefan Çapalikut. Çfarë ndjesie ju dha kjo, konsiderohet një përpjekje apo inkurajim pavarësisht se lista është e gjatë, dhe rëndësi ka vetëm fituesi?

Jo, të vjen mirë kur je në edicione të tilla dhe sigurisht shikon përpara teje në një ekran gjigand të gjithë listën e të nominuarve dhe se kush do të fitonte në këto realitete të reja teatrore. Dhe në këtë listë nuk marrin pjesë vetëm kompanitë teatrore, marrin dhe autorë, skenografë, regjisorë etj. Ne, si organizëm, Instituti i Teatrit Mesdhetar kishim propozuar që nëpërmjet meje dhe qendrës në Madrid, nga Shqipëria të ishte Stefan Çapaliku, duke vlerësuar krijimtarinë e tij me shumë interes për një vështrim të veçantë në strukturën e dramaturgjisë teatrore. Mendonim se kjo do t’u dukej atyre një gjë e këndshme për nga pikëpamja e një dramaturgu të ri, tashmë të afirmuar ardhur nga Shqipëria apo si përfaqësues ballkanik në përgjithësi. Kështu që, na u bë shumë qejfi në gjithë atë listë, pranë të nominuarve të ishte dhe emri i Çapalikut.

Ju e përzgjodhët Stefanin pa pasur parasysh autorë të tjerë këtu...

Ata donin vetëm një emër. Edhe ne, por edhe asosacioni i kritikës e ka propozuar Stefanin. Një ditë prej ditësh, zoti Kumbaro, para tre-katër vjetësh, më pyeti për propozimin që kisha bërë, pra për emrin e Çapalikut. Nuk pashë ndonjë njeri tjetër, emër, atëherë edhe ata si asosacion i kritikës çuan të njëjtin emër, Stefan Çapalikun.

Pra, shoqata e kritikës teatrore në Shqipëri e paska një emër, qenka zoti Kumbaro?

Ndoshta është edhe Kumbaro a dikush tjetër. Ata shumë mirë që janë, por puna është të jenë më prezentë, të jenë më të hapur që t’u dëgjohet fjala, sepse kritika në edicione të tilla apo në fushën e teatrit është shpesh herë determinante, udhërrëfyese, aq sa të godet, të hap horizonte dhe mundësira për të bërë atë që duhet dhe më të mirën. Kritika është një gjë me vlerë, dhe e merr shumë në bazë teatri evropian. Edhe në këtë edicion kritika apo debati për teatrin ka zënë një nga vendet kryesore të këtij festivali. Në të gjitha mëngjeset duke filluar paradite deri në mesditë ka pasur takime me autorë, debate me kritikë sa i takon teatrit sot e nesër sepse këtu është gjithë historia e ecurisë së teatrit. Në mendimin tim do ishte mirë që kjo “shoqëria e kritikës” apo ky organizëm i kritikës shqiptare të kishte zë më shumë dhe se çfarë përfaqëson, të ishte prezent edhe në Saint Peterburg.

A mund të përqendrohemi me pak fjalë tek këta emra që fituan çmimin evropian dhe cilat ishin realitetet e reja teatrore që sollën këtë edicion?

Në çdo vit në këtë festival je në kontakt me të rejat e teatrit, pasi nuk ke mundësi të shikosh që nga Finlanda, Irlanda apo të shkosh në Portugali e të dalësh në Bullgari. Është e pamundur që jo vetëm nga pikëpamja kohor, dhe financiare, që të biesh në kontakt se çfarë ndodh në të gjithë botën, apo në të gjithë Evropën, por në këtë edicion ke gjënë më të vyer, se ti je në kontakt me përzgjedhjen e disa kompanive, të cilat e kanë quajtur të arsyeshme të shpallen fitues nga një listë e madhe propozimesh për të qenë përfaqësuesit e novacioneve teatrore për vitin 2010. Për vitin 2011 juria ka filluar punën e vet, do të caktohet qyteti se ku do të jepen çmimet dhe cili do të marrë çmimin e Evropës dhe novacioneve teatrore. Secili anëtar jurie bën punën e saj dhe për shembull ne kemi propozuar sivjet regjisorin bullgar, i pranishëm në disa edicione të Butrintit, mjaft i talentuar, Aleksandër Morfov, për t’u nominuar më 2011 dhe në 2012 ai do shpallet në listë, dhe nuk dimë nëse do të fitojë apo jo.

Në emrat e sivjetëm fitues të çmimit evropian ishin Kristian Smeds, një nga regjisorët që mori çmimin për realitete të reja teatrore, me teatrin nacional të Helsinkit, me një vështrim krejt interesant sa i takon teatrit. I gjithë spektatori, bashkë me ne që ishim të ftuar ishin brenda skenës më konkretisht brenda rrotativës së skenës (pjesa që lëviz në mënyrë rrethore për të mundësuar lëvizje dekori, artisti ndriçimi, siç e ka dhe teatri ynë që i shërben teatrit për mundësi më të mira skenike). Lëvizte spektatori në një ritëm të caktuar për të ndjekur shfaqjen e Smeds-it, e cila ishte vendosur në copëza brenda skenës së teatrit, duke u lidhur gjithmonë nëpërmjet personazheve që bënin pjesë në rolet kryesore brenda veprës. Ishte i tillë sa t’i shikoje pjesëza të ndryshme, që ishin pjesë e të tërës. Kjo, sipas regjisorit, ndikohej dhe nga emri i shfaqjes që quhej “Mr. Vertigo”, tregonte një mënyrë të lindjes të së keqes tek njeriu dhe torturat dhe gjithçka që ai përjeton gjatë jetës së tij deri në transformimin e tij. Kjo ishte gjithçka në lëvizje të vështrimit të tij, të gjithë konceptit që kishte ai mbi veprën. Vendosja dhe vështrimi teatror mbi tekstin ishte një gjë krejt e veçantë dhe kjo bëri që të merrte duartrokitje të mëdha, dhe ndoshta mund të jetë kandidati i ardhshëm për ndonjë çmim të madh të Evropës.

Një tjetër emër ishte Viliam Docolomansky, një regjisori çek, mori këtë çmim duke qenë se dance teatri është në zhvillim, ka hyrë mirëfilli tashmë në teatër, tani teatri është bërë kaq afër, është njësuar me dance teatër, sa shpesh herë nuk e dallon dot dhe aktorin e mirëfilltë i cili luan dance apo aktron. Ai kishte një krijim të veçantë të tij “Ferma në bodrum”, jo një vepër, por krijim i tij, edhe ky spektatorin e kishte futur të gjithin në skenë dhe aktorët luanin në sallë. Aktorët performonin nga drejtime të ndryshme të sallës, vinin iknin nga salla drejt skenës. Ishte gjithçka e ndërtuar me një orkestër live, aktori trompist bënte dhe dance.

Po vijmë tek “Fausti”, një tjetër emër i madh përshtatur sipas tragjedisë së Gëtes, ishte regjisori Gisli Orn Gardarsson, nga teatri irlandez, një djalë kaq simpatik. Ndonëse frymëzuar nga “Fausti” i Gëtes, nuk kishte absolutisht asnjë lidhje. Ngjarja zhvillohej në një azil pleqsh me një aktor të moshuar, i cili kishte ëndërruar gjithë jetën e vet Faustin. Shfaqja fillonte me një gjë krejt realiste, të këndshme dhe më pas shikohej se si transformohej gjithçka, si futeshin elementë të dancit, këngës absurdit, imagjinatës etj. E veçanta ishte; pasi elementët nëntokësore dhe qiellore duheshin zbërthyer dhe nga ana vizive. Për këtë në teatër ishte montuar një rrjetë e madhe që nga skena deri në lozhën qendrore të spektatorit - gjithçka që mendohej në qiell luhej mbi kokën e spektatorit. Lëvizje të panumërta, fizikisht dhe në mënyrë ekspresive se si aktorët zbrisnin nga ky “qiell” dhe dilnin në skenë... Regjisori kishte gjetur masën e duhur, të mos ishte e lodhshme, pra ata zbrisnin nga lart dhe kur hidheshin me një muzikë, lëvizte mbi rrjetë me gjithë karrovën e individit e jashtëzakonshme tronditëse për një moment, të linte në magjepsje dhe dilnin në skenë. Kompania Meridional e Lisbonës, sepse çmimin e Evropës e mori kompania dhe jo regjisori, me dy shfaqje njëra monoperformancë, ku gjithçka në skenë zhvillohej me elementë të thjeshtë, që një personazh i veçantë bënte gjithë muzikën e shfaqjes me anë të elementëve që t’i thoshe; kjo s’është e mundur. Me një zorrë uji bënte si pikonte shiu, me rërën dukej si dallgë deti etj gjithë konteksti artistik mbështetej tek aktorja, e cila ishte një kërcimtare e shkëlqyer, aktore po ashtu.

Në katalogët që keni sjellë, emri i Petër Steinit, është në faqet e para, ku nuk mungojnë biografia, përvoja, novacionet gjatë gjithë karrierës, arsye pse jepet çmimi i Evropës, çfarë impresioni sillni prej këtij regjisori?

Në debatet që u bënë duhet pasur parasysh në këtë pasuri të madhe që teatri në Evropë dhe në botë, që ndoshta të vetmit janë këta përfaqësues, pra emrat që fituan. Kjo nuk është e vërtetë. Këta u përzgjodhën për këtë edicion. Juria këtu nuk ka bërë më të pabesueshmen. Kjo është një përzgjedhje, por ka nivele të tjera shumë më të mira sot.

Po atëherë kur vjen puna tek çmimi i Evropës, pse u vendos, edhe pse shihet si legjendë Peter Stein?

Ky ishte një debat sepse ka djem të rinj, të talentuar të cilët mund të ishin prezent, pranë çmimit dhe mund ta fitonin përpara gjermanit, pra Peter Stein. Kjo ka të bëjë me pasurinë dhe novacionet teatrore në Evropë e në botë, dhe “kjo na gëzon” thoshin në debat të gjithë. Madje dikush e kritikoi dhe propozoi tjetër regjisor. Megjithatë kur vjen për çmimin e Evropës, që është një gjë krejt tjetër, pra kjo nuk ka të bëjë thjesht me një shfaqje, tre apo pesë, kjo ka të bëjë me një karrierë të një artisti të vërtetë të madh, që i ka dhënë teatrit gjenialitetin e vet. Në këtë kuadër u përzgjodh për sivjet Peter Stein, pra vijmë te shtyllat e kontributit të madh të teatrit bashkëkohor, nga një jetë artistike e ngjeshur e mbushur me krijimtari, pothuajse të pafundme. Peter Stein ka moshën 74 vjeçare, drejton një teatër në Berlin prej shumë vitesh. Është interesante për të nënvizuar se në formim ky gjerman është arkitekt, që ka ndërtuar teatro, por nga pikëpamja e talentit të tij të madh në fushë të regjisurës dhe aktrimit u zbulua një e dhënë shumë interesante e tij dhe krahas ndërtimit të teatrove ju vu regjisurës dhe aktrimit, edhe duke u shkolluar- arriti që të ketë vepra të luajtur dhe vënë në skenë, jo vetëm në skenën gjermane, por në të gjithë Evropën, me autorët më të mëdhenj. Në këto përmasa në këtë edicion të 14 juria vendosi që ky çmim i Evropës, prej 60mijë euro, ti takonte Stein.

Peter Stein është arkitekt i teatrit realist. Baza e tij është Stanislavsky. Shfaqjet e tij u ngjanë tablove të neorealizmit, si pikturat e Rilindjes, dhe nga ana tjetër ai është dhe një arkitekt i madh i tekstit. Për të thoshin se punonte si arkeolog i jashtëzakonshëm deri tek presja, e germa e frazës së fundit. Aktorët e quanin zot Peter Stein, ai nuk toleron, nuk ka kompromis me të, një punëtor i jashtëzakonshëm i tekstit në veçanti të autorit, aktori apo të shkruar prej tij.

Ju keni parë ndonjë shfaqje të Peter Stein?

Pata rastin të shoh një shfaqje të tij në këtë festival, duke qenë se do merrte çmimin e Evropës ai erdhi me një shfaqje të madhe, me “Poçi i thyer”. Çuditërisht kjo vepër është përkthyer edhe në shqip, po ka mbetur pa u vënë re. Kjo shfaqje ishte vënë para një viti në Berlinare Ansambël, jo me teatrin e tij, një nga teatrot më të mëdhenj në Evropë. Me këtë trupë erdhi për të prezantuar marrjen e çmimit. Dhe pas këtij vlerëismi ai bëri një lexim në rolin e aktorit me “Faustin” e Gëtes. Ishin rreth 25 minuta në gjuhën gjermane, pas marrjes së çmimit. Ky ishte rasti që unë preka krijimtarinë e Peter Stein. Po nga ana tjetër isha në debatin që u bë ku folën aktorë dhe artistë që kishin punuar me të.

Ai u konsideruar gjenial dhe madhështor, ndërsa vetë regjisori tregoi se sot drejtonte një teatër me një trupë prej 74 veta, duke u shprehur se “ne të gjithë punojmë në mënyrë demokratike”, “ne të gjithë punojmë me buxhetin”. Ai përmendi se kishte një buxhet vjetor të madh, për hir të punës që bënte, ishte 25 milion euro. Që të flasësh për një buxhet të tillë, qoftë dhe në Evropë është pak tronditje! Pra ai punonte me të tilla parametra, me buxhete, mundësi, dhe koncepte për të fituar djersën e tij me atë që meritonte.

Ju ktheheni me akumulimin e një përvoje, që e ndiqni çdo vit këtë festival, në realitetin tonë cili është hendeku, humnera që i ndan ato?

Dy janë gjëra të dukshme, që ndihesh jo mirë në vendin tënd sa i takon kësaj fushe; nëse Saint Peterburgu është shumë larg nesh në këtë drejtim, në shumë pikëpamje, teatri për ta ishte në plan të parë. Në këtë qytet kaq të madh ti bie në kontakt me një numër teatrosh të madh. Ishin mbi 80 teatro dhe para nesh u prezantua një plan që shumë shpejt do ndërtoheshin dhe katër teatro të tjera. Shto këtu dhe teatrot privat, të gjitha të mbajtura nga shteti. Megjithatë, dua të them, se pavarësisht nga problemet që ka sot Evropa, po përfshijmë edhe veten tonë brenda, shumë pak po investohet në drejtim të teatrit. Dhe kur ka ndonjë moment që qeveria, apo dikush që menaxhon këtë vend e mendon që të bëjë diçka për teatrin, asnjë nuk reagon këtu. Gjithçka është si goditur. Gjithçka rrjedh dhe nganjëherë bëhet e kundërta, diskutohet madje pse të bëhet edhe një teatër! Kemi të bëjmë me një lloj absurdi, që dhe kur mendohet të bëhet diçka këtu reagohet në të kundërt. E para është se duhet një investim e kujdes më i madh në fushën e teatrit, e dyta është reagimi mjaft i vakët, çoroditës dhe jo në drejtimin e duhur i komunitetit teatror dhe e treta ka të bëjë me nivelin teatror. Këtu, absolutisht që e filloj tek vetja, niveli jonë është larg nivelit evropian teatror.

Një pyetje personale në këtë kontekst: Nga 20 vite, përveç kontributit në organizmin e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Butrint, ju vetë nuk jeni regjisor apo aktor aktiv në teatër, pothuaj jeni i dorëhequr. Cila është arsyeja?

Kjo është shumë e vërtetë. sigurisht që diçka kam bërë, por absolutisht atë që duhet. Duke u nisur nga eksperienca si personale, dhe nga ngasja e detyrat që kam për t’i dhënë spektatorit atë që duhet në këto kohë kaq të vështira. Sigurisht që jam përqendruar në një eveniment siç është festivali për të bërë diçka që do t’ shërbente shumë më tepër këtij komuniteti teatror, sidomos për të rinjtë, por nga ana tjetër me krijimtarinë time në teatër kam bërë shumë pak, ose aspak sepse treni është jashtë meje. Për këtë arsye, sado që propozoj vazhdimisht për të bërë diçka, pavarësisht vendimit të marrë për të qenë dikush tjetër në skenën e teatrit, kjo s’ka të bëjë fare më këtë. Pra atmosfera shumë larg asaj që unë konceptoj, dëshiroj të bëj ka bërë që unë të jem i tërhequr në këtë drejtim. Pra të mjaftoj me gjithë këto ëndrra, dëshira me realitete të reja teatrore të Evropës që nuk kanë të bëjnë aspak me realitetin e vendit tim. Kjo sigurisht që është një dramë, shqetësim i madh, por në fund të të fundit duhet të gjesh të mesmen, të luftosh sa të mundesh në këtë histori, dhe të shpresosh tek më e mira.

Festivali Ndërkombëtar që organizoni në Butrint a ju ka shërbyer si kontakt, urë komunikimi, çfarë lidhje ke gjetur me festivalet e tjera?

Vajtja nëpër festivale nuk ka të bëjë aspak me personalen, me impresionet e mia. Butrintin e prezantoj në festivale në çdo moment, por dhe festivalet në përgjithësi që bëhen në Shqipëri. Por kryesisht publicitetin për Butrintin e bëj në mënyrë konkrete, librat, katalogët, publikimet e festivalit janë nëpër duar të shumë pjesëmarrësve. Në këtë drejtim ata njohin jo vetëm Shqipërinë por në mënyrë të veçantë festivalin e Butrintit. Ishte interesante se në edicionin e 14 të festivalit të çmimit të Evropës pashë një shfaqje , të çmimit novator në teatër, një trupë të Saint Peterburgut, që vjet ishte në festivalin e Butrintit me shfaqjen e Shekspirit “Ëndrra e një nate vere”, me regjinë e Aleksandër Morfov. Takimi im me to në Saint Peterburg ishte një gjë e veçantë edhe për ta, sepse nuk është kaq e lehtë të ikësh nga Saranda në teatrin e tyre në Saint Peterburg për të parë në mënyrë konkrete se ku është ky teatër, si punojnë pasi shfaqja e tyre ishte e një niveli shumë të lartë. Në këtë drejtim janë ca kënaqësira që nuk janë personale, por kanë kaluar tashmë në një libër, në një Butrint Festival, me një teatër shqiptar, me një autor shqiptar etj në këtë drejtim Shqipëria bëhet e njohur, përmes teatrit.

E mërkura e “Torollakut”

Data 27 prill, e mërkura e kinemasë së arkivit që organizon Arkivi i Filmit, i është rezervuar regjisorit dhe animatorit Artur Dauti për një prezantim të karrierës së tij 30-vjeçare në zhanrin e animacionit duke sjellë vepra të përzgjedhura si edhe premierën e filmit më të fundit “Torollaku” prodhim i vitit 2010. Filmat që do të shfaqen janë: “Zëri i gjakut”, “Zëri i tokës”, 1985, 12’; “Vur kopan”, 1989, 8’; “Gjigandi i vetmuar”, 1993, 8’; “Tuneli”, 2000, 7’; “Torollaku”, 2010, 9’

Artur Dauti, regjisor e piktor, lindi në Tiranë, më 27 nëntor 1957. Pasi studioi në ILA për pikturë, filloi të punonte pranë sektorit të filmit vizatimor në Kinostudio në vitin 1976. Realizoi filmin e parë vizatimor "Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra" më 1981. Deri aktualisht ka realizuar rreth 22 filma të animuar, duke përdorur teknika të ndryshme të animacionit si vizatim, akuarel, plasteline, siluete, kolazh etj. "Gjigandi i vetmuar", 1993 u vlerësua me çmimin e parë në Festivalin X të Filmit Shqiptar, 1995. Filmi "Tuneli", 2000 u vlerësua me çmim të tretë në Festivalin e filmit të shkurtër në Bergamo, Itali, 2002. Filmi "Metamorfoza", 2003 me çmimin “Kult” në 2005.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama