Njëra prej autoreve të librave “fiction” për Dianën, Monica Ali, shpjegon se në librin e saj “Historia e parrëfyer” shkruan, sigurisht duke fantazuar, se si mund të kishte qenë jeta e Princeshës së ndjerë sikur të mos kishte pësuar aksidentin në vitin 1997. “Përse vendosa që të shkruaj një libër për Dianën? Kjo është pyetja që të gjithë ma kanë bërë qëkur kam njoftuar për këtë libër.
E dija që duke zgjedhur si subjekt të romanit tim gruan më të famshme në botë do të ngjallja shumë kuriozitet dhe kureshtje për atë që kisha shkruar, por nuk ma merrte mendja që emri i Dianës vazhdon që të jetë ende kaq i shumëdiskutueshëm e të ngjallë kaq shumë kuriozitete. Vitet e fundit janë botuar dhjetëra libra mbi Dianën dhe disa prej tyre janë shndërruar që ditën e parë që kanë dalë në treg në bestsellerë, shumë të tjerë kanë përfunduar në koshin e plehrave si libra të pavlerë e jo rrallë edhe të pamoralshëm”, thotë autorja. Sipas saj ka pasur ndërkohë edhe shumë dramatizime të këtyre librave të ndryshëm të historisë së Princeshës së Uellsit e madje edhe romane për të. “Ndërsa isha duke e shkruar librin tim isha plotësisht e ndërgjegjshme se mund të isha duke shtuar pikërisht listën e deritanishme të botimeve të bollshme për Dianën.
Kur ia çova kopjen e parë të librit botuesit tim në verë, Diana nuk kishte dalë në faqet e para të gazetave që prej disa vitesh, por më pas doli lajmi i fejesës së djalit të saj të madh, William me Kate dhe si pasojë edhe emri i saj u lakua sërish, sidomos pas faktit se e fejuara e të birit mbajti të njëjtën unazë që Diana vetë mbajti në gisht për sa kohë që ishte e martuar. Romani im “Historia e patreguar” rrëfen historinë hipotetike të Dianës nëse ajo do të kishte qenë gjallë”. Shkrimtarja ka qenë vazhdimisht e intriguar që nga viti 1997 në lidhje me vazhdimësinë e jetës së Princeshës nëse vdekja e papritur dhe e hershme nuk do të kishte ndodhur. Kur Diana vdiq, ajo ishte duke u përpjekur që të çimentonte rolin e saj si mbrojtëse e të drejtave të njeriut dhe si mbështetëse e fushatës kundër minave të tokës me të cilat ishte mbushur kontinenti afrikan dhe nga të cilat shumë veta kanë vdekur dhe janë gjymtuar. Diana kishte dhe probleme personale dhe ishte nën një presion të madh. Jeta e saj ishte në një udhëkryq dhe me siguri që ajo do të ketë qenë duke u menduar për të marrë vendime shumë të rëndësishme, të cilat do të kishin pasur sigurisht pasoja jo vetëm mbi të.
Por si do të kishin rrjedhur ngjarjet sikur të mos kishte ndodhur tragjedia? Cilat do të kishin qenë vendimet e Dianës në jetën personale dhe në atë shoqërore dhe më gjerë? Unë kam bërë shumë kërkime në lidhje me jetën e Dianës, megjithatë duhet të them se personazhi im është fantazi, një shtjellim i fantazisë sime sigurisht nisur nga disa premisa reale. Ajo është një Dianë që jeton në imagjinatën time, por duket se ky aspekt i librit i intrigon më së shumti edhe lexuesit. Ata janë kuriozë të dinë se si do të kishte shkuar jeta e Princeshës së popullit, sipas imagjinatës së një shkrimtareje. Një gazetë ka shkruar për librin tim se ai është thjesht një nga variantet e mundshme të historisë së Dianës nëse ajo do të ishte gjallë”. Shkrimtarja ka krijuar disa “Po sikur?” në romanin e saj dhe duke iu përgjigjur këtyre hamendësimeve ka vazhduar që të thurë një histori të tërë, që për shumë kritikë është interesante dhe mund të kishte qenë e vërtetë. Marrëdhëniet e trazuara të Dianës me meshkujt kanë qenë zakonisht “lentja” përmes secilës është parë dhe gjykuar sjellja e Dianës.
Ndaj një nga pyetjet ka qenë? Nëse ajo do të kishte jetuar dhe do të ishte martuar me një mashkull të pasur dhe të famshëm, a do të kishte vazhduar që t’u dedikohej bamirësive dhe a do të kishte vazhduar ta ruante statusin e një ikone? Shkrimtarja është e mendimit se Diana do të kishte vazhduar të ruante statusin e ikonës. “Një nga gjërat që më ka pëlqyer më shumë te Diana ka qenë vendosmëria e saj për të mos iu nënshtruar rregullave. Ajo i bënte gjërat sipas mënyrës së saj dhe ishte shpesh kokëfortë e nuk hapte rrugë për gjërat që i dukeshin të drejta.
Dhe kjo më shumë se kurrë vihej re kur ajo binte në dashuri. Në verën e vitit 1997 ajo ishte dëshpërimisht e dashuruar me mjekun pakistanez Hasnat Khan dhe ishte e vendosur që të martohej me të, madje i bëri edhe një vizitë familjes së tij në Lahore, duke u përpjekur që t’u pëlqente njerëzve të tij. Sigurisht që ata u magjepsën, si çdo kush tjetër para Dianës, por e ëma e të dashurit nuk ishte dakord për këtë martesë. Kur Diana e kuptoi se dashuria e jetës së saj nuk do të realizohej kurrë, u hodh në krahët e Dodi Al Fayed në një marrëdhënie që do të ishte për të dy fatkeqësisht e fundit.
Sipas Ali, zgjedhja e një romani me një personazh real është e vështirë dhe ka rreziqet e veta, siç ka edhe anën e përfitimit nga publiciteti. Pyetja tjetër që i kanë bërë njerëzit shkrimtares është: A jeton e lumtur Diana të paktën në këtë roman? Por kjo është përgjigjja që ajo e mban me fanatizëm për vete dhe ua zbulon vetëm lexuesve të saj përmes faqeve të librit.