Lukas Podolski i ka bërë të qarta që në fillim gjërat për polemikat që shkaktoi grumbullimi i tij në Europianin e Francës. Sulmuesi gjerman deklaroi gjatë konferencës për shtyp në kampin e "pancerave" në Askona se ai nuk do të shkojë për të ngrohur stolin në Francë, por për të qenë protagonist këtë turne.
"Si maskotë, më mirë të mos kisha ardhur fare këtu", deklaroi 30-vjeçari, i cili numëron mbi 100 ndeshje me fanellën e kampionëve të botës dhe do të luajë turneun e shtatë me ta. "Unë kam një rol të rëndësishëm. Objektivi është të shpallemi kampionë Europe. Kam luajtur një sezon të mirë me Gallatasarajin ku kam shënuar dhe dhënë shumë asiste. Jam në formë të shkëlqyer fizike", nënvizoi "Princi".
Shumë është përfolur nga kritika për grumbullimin tuaj nga Lëv, duke e quajtur atë të pamerituar. Çfarë roli mendoni se do të keni në skuadër këtë turne?
Unë nuk e kam marrë kurrë për të mirëqenë rolin tim në ekip, por kam një rol të rëndësishëm dhe nuk kam ardhur aspak këtu për të qenë maskota e skuadrës. Kam shumë përvojë mbi supe. Ky do të jetë turneu im i shtatë me kombëtaren dhe menaxheri e di se mund të më shfrytëzojë si brenda, ashtu edhe jashtë fushe.
Cilat do të jenë objektivat tuaja në këto finale?
Synimi është që të shpallemi kampionë të Europës dhe gjithë të tjerët duhet të presin radhën. Unë jam shumë krenar që ndodhem këtu. Qëllimi personal do të jetë që të jap gjithçka në stërvitje dhe nëse do të luaj, atëherë dua ta shfrytëzoj maksimalisht shansin tim.
Si po ju duken kushtet e stërvitjes në Askona?
Si gjithnjë po stërvitemi në kushte ideale, sepse infrastruktura këtu është e nivelit më të lartë. Lojtarët e tjerë kanë qenë këtu për një kohë më të gjatë dhe janë ambientuar. Ndërsa unë erdha vetëm disa ditë më parë, por jam në formë maksimale dhe mezi po pres që të nisë turneu.
Sulmuesi
Gomez: S'ka rëndësi skema, jam në momentin më të mirë të karrierës
Trajneri Kristof Daum beson se ai do ketë një rol të rëndësishëm në sulmin e Gjermanisë, madje i ka ftuar klubet angleze që të mos e lënë në të ardhmen një lojtar, i cili i vendos i vetëm ndeshjet, në një klub si Beshiktashi. Në konferencën për shtyp të "pancerave" u shfaq edhe Mario Gomez të mërkurën. Kampi stërvitor - "Ndihem mirë dhe infrastruktura është e shkëlqyer, por fatkeqësisht ka rënë pak shi këto ditët e fundit. Ka intensitet të lartë në stërvitje dhe lojtarët po shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin". Sistemi i preferuar - "Nuk e di. Gjithçka mund të them është se unë e kam parë 9-ën false në shumë ndeshje dhe skuadra më ka befasuar. Do të presim ende për të parë se cili modul na përshtatet. Alternativat janë diçka pozitive dhe do ndihmojnë skuadrën në Francë". Sezoni në Turqi - "Ky vit ishte shumë i rëndësishëm, sepse rigjeta ritmin. Jam i lumtur se si shkuan gjërat në kampionat dhe është gjithnjë diçka e bukur të jesh pjesë e kësaj skuadre të shkëlqyer. S'jam ndier kurrë më mirë gjatë gjithë karrierës sime".
Përgatiti: Androkli Dralo