O brezi im u vrenjte herët
Në rrugën e mjerrimit;
Ti pe të parën ditë të errët,
Të parën të pushimit
Ti s'e mësove Shtatë Prillin
Në libër e gazetë,
Ti Shtatë Prillin me qefinin
E pe, e ndjeve vetë!
Babai me botën zemërohej
Dhe bëhej pikë e vrer,
Dhe arave ngaherë ankohej,
Dhe thoshte: "Duam nder!"
Ka qenë i ri, ka qenë i zgjuar,
Me supe të medhenj
Dhe mund të ngrinte me dy duar
Dy dema, dy shkëmbinj.
Këto dy duar unë i pashë
Tek hiqnin me rrëmbim një dërrasë
Një tra, një hu, një gur...
Atje babai e mbante fshehur
Një pushkë me fishekë,
Që trashëgim i pati mbetur
Nga gjyshi im i shkretë.
E nxorri pushkën dhe e ngriti
Me sy të përlotur:
"O plaku im, të ndrittë shpirti,
Na le një gjë të çmuar!"
Pastaj i vrenjtur si oxhaku
M'u kthye ballëlartë:
"Eh, ky dyfek që na la plaku,
Kërkon një dorë të artë!
Tani me mua eja djalë,
Të dalim në fushim,
T'ia fshijmë tytën rrath-rrathë,
Se ndryshku na e grin
E grin i shkreti si veremi
Dhe pushka mbetet shterpë,
Fishekë pak në vezme kemi,
Se pula s'pjell fishekë
Ndaj pushkën, biro, ta gatitim,
T'ia njohim degë e rrënjë
Nga tyta plumbin kur ta nisim,
Të shkojë drejt në shenjë.
Babait një ditë i thashë prapë
Te kumbulla me fletë:
-Kjo pushkë e shkretë ç'do më japë,
Ç'do bëj me të në jetë?
I ngriti sytë lart në pllajë
Dhe na tha të njëjtat fjalë:
-Që qeni shkopin mos ta hajë,
Pëllumbi im o djalë!
Ka qenër plot kjo zuskë botë,
Kjo botë e turbullt shumë,
Në zheg na vijnë e në të ftohtë
Dhe kurrë s'kanë gjumë...''
Pastaj pas kumbullës mbështetur
Këndoi ngadalë i vetëm,
Sikur mundohej për ta gjetur
në këngë të vërtetën
''Lumi vjen i turbullt,
malet borë kanë,
Dale, pusht i Shagut,
Të ta shoh fustanë!
Po thërret tellalli:
E kujt është kjo pallë!
Devolliu i vogël
Tri pëllëmbë djalë!
Devolliu i vogël,
Takijen mënjanë,
Në hendek me baltë
Hodhi kajmekamnë.
Dale pusht i Shagut,
Të ta shoh fustanë!...''