Poeme per Babane e per Veten (kenga e pare)


Im atë tokën shumë e donte
Siç donte nënë e grua
Për tokën lodhej dhe rëkonte
Dhe djersën derdhte krua

Kur plis me plis hidhte hapin
I kishte hapi hije
Dhe zogjtë e malit udhë i hapnin
Me fjalë hirësie

Kur grushtin mbushte plot me farë,
Mahnitej kush e shihte,
Dhe era ndalte frymën në arë,
Që qejfin mos ja prishte

Në këmbë si në katër kleçka
Në gur ngrinte hardhucka
Përgjonte lart në shelg rebecka
Me thonjtë me majucka.

Me sqep lejleku bënte harqe
Rreth rruzullit të diellit
Dhe dukej sikur ndillte paqe
nën kaltërsinë e qiellit

Po ati im mbi plisa ecte
Me shpirt të madhërishëm
Dhe tokës shpirt me shpirt i jepte
Nga shpirti i çuditshëm

kur pranë mollës ulej qetë
të hante bukë e gjizë
Nuk fëshfërinin gjethe e fletë
Nuk pipëtinte drizë

Me tokën rrinte ditë e natë
Në vapë, erë e mjegull
Ndaj nga pasardhësit im atë
Kërkonte djersë e rregull

Nuk kish syze dijetari
Dhe rafte me defterë,
Po udhë i hapte shkencëtari
Me nam të madh e vlerë

Ky shkencëtar që njihte dhenë
Në fusha pas më mori;
''mësoje biro abecenë
në brazdat që le plori

Mësoje biro abecenë
E gjithë abeceve
Atje ku plisat shpinën ngrenë
Pas plugut e pas qeve....''

Pa dale mirë nga pelena
Më dha në dorë hostenë
Dhe shfryu si era në bedena;
''Tani përmbyse dhenë

Përmbys dhenë, dheu s'ankohet
Kur plori ia kruan shpinën,
Po qesh, lot valle dhe gëzohet
Dhe gazi çmend luginën.

Dhe të harbuar marrin vrapin
Kërcejtë radhë-radhë
Dhe sythat sytë e vegjël hapin
Për ditëzën e bardhë"...

Një ditë i lodhur, i menduar,
I thashë me ngadalë:
"Përse kaq shpejt m'i ke mësuar
Kaq punë e brengë e halle?"

Ai nga buzet llullën hoqi
E foli dy-tri fjalë:
"Që mos ta hajë qeni shkopin.
Pëllumbi im, o djalë!"

Pastaj u ngrit të përkëdhelte
Balashin dhe Kazilin,
Që nxirrnin gjuhën si lepjet
Dhe shelgjet i lëpinin.

Ata i bindeshin tim eti,
Siç binden dy fëmijë,
Me ta e lidhte fort një jetë
Me qindra mijëra fije...

Dhe nuk ia prishnin qejfin kurrë
në vapë, erë, e mjegull,
lëronin, mbillnin, mbanin grurë;
Im atë donte rregull...

Pastaj babai në plis mbështetur
Këndonte fill i vetëm,
Sikur përpiqej për ta gjetur
në këngë të vërtetën:

"Që nga maja e malit
Ta shtira dylbinë,
Pas dritës së llambës
Ta pashë stolinë.

Në gjysmën e ballit
Të derdhej shamia,
M'u në dorën time
Seç më ngriu dylbia.

Me erën e malit
Desha të të vinja,
Sarhosh seç më bëre,
Mbeta nëpër brinja.

Qetë m'i zu zekthi,
Kali malet mori,
Majë grurit mbata,
Ç'të bëj unë i gjori!...

Që nga majë e malit
Ta shtira dylbinë,
Them të vij pas teje,
Them ta shes shtëpinë..."


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama