Meta (L) fora-MetaF (L) ora quhet konferenca shkencore që mbahet në tre ditë 12-14 shtator, ora 17.00, në sallën “Bodrum” të Teatrit të Metropolit, e organizuar nga Festivali “Poeteka” në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Agjencinë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile. Tema e konferencës së këtij viti bazohet “mbi marrëdhënien e artistit me lirinë krijuese dhe intelektuale, në kushtet e kufizimit të lirisë dhe të mungesës së pluralizmit të estetikave”.
Gjatë ditëve të konferencës mbahen kumtesat: “Letërsia si çlirim i së vërtetës dhe interpretim asnjëanës” nga akademiku Ali Aliu, “Poezia dhe tradenshenca e munguar” nga Ma Brikena Smajli, “Çlirimi ideologjik i metaforës (Ndërkrahasim terminologjik dhe rasti i F. Rreshpjes)” nga Ma. Hajri Mandri: “Mitopoesis dhe mitema e atdheut dhe e gjuhës shqipe (idealizmi, qortimi, refuzimi dhe patriotizmi kritik në letrat shqipe) nga Ma Silvana Leka, “Petro Marko dhe “Qyteti i Fundit” i tij. Raporti i personazheve me heroin pozitiv, shmangiet dhe përputhjet me parimin” nga Ma. Ledi Ikonomi.
Ka një ndërprerje të kumtesave për të bërë të mundur prezantimin nëpërmjet “slide show-t” të temës: “Propaganda ose arti i shfarosjes në masë të estetikës” dhe vijojnë diskutimet.
Në këtë konferencë, Dr Virion Graçi, i cili është edhe njëri prej drejtuesve të seancave, mban kumtesën: “Trifon Xhagjika: lira individuale në kornizën e Hekurt të epokës”. Vijon konferencën Ma. Ermir Nika me kumtesën: “Petro Marko: Gjuha ideologjike,
përdorimi i klisheve: “stili” dhe standardizimi stilistikor”.
Poeti Bardhyl Londo mban kumtesën: “Temat e ndaluara dhe liria krijuese në
poezinë shqipe të viteve ‘80”; Prof. Dr. Valter Memisha vijon me: “Procesi i
metaforizimit në poezinë e Martin Camajt”; shkrimtari Eqrem Basha vjen me: “ Vox
Clamantis in deserto–dëshmi dhe polemika në mungesë të estetikave”. Më tej sërish slide show dhe diskutime. E vijon pjesën tjetër të konferencës Ma. Gazmend Krasniqi që flet për “Disa poema të Kadaresë si Meta(l) f(l)ora”. Nga gazetari Ben Andoni kemi trajtimin e temës: “Shkrimtarët e sotëm të Ballkanit përballë lirisë së shkrimit: njohja e tjetrit”, Ma Arjan Llanaj vijon më tej me “Amicus Plato, sed magis amica verita: parakushti i klimës krijuese”; Ma. Elida Qenami me: “Temat: trishtim dhe vdekje në letërsinë e viteve ‘70–‘80”. Më tej diskutime. Në fund të konferencës kumtojnë Ma. Rovena Vata: “Miti i teknikës në poezinë shqipe të viteve ‘60-‘70”, (leksiku industrial, funksioni i ri poetik i terminologjisë”, Prof. Dr. Shaban Sinani vijon me: “Nga dorëshkrimi te botimi: kontrolli i lirisë”. Organizatori i “Poetekës”, poeti Arian Leka flet për: “In media res–mitet apokrife në filatelinë e viteve 1945–1990”.
Përveç Lekës, Departamentin i Studimeve Letrare përfaqësohet edhe nga Prof. Ass. Laura Smaqi. Të ftuar nderi janë akademiku Ali Aliu dhe Prof. Ardian Marashi. Seancat drejtohen nga Prof. Dr. Shaban Sinani, Prof. Ass. Laura Smaqi dhe Dr. Virion Graçi
Orkestra e RTSH-së në shtator-nëntor
Koncerte me instrumentistë të rinj e me përvojë dhe nga krijimtaria e kompozitorëve shqiptarë janë planifikuar për periudhën shtator-nëntor në kalendarin e Orkestrës Simfonike të Radio-Televizionit Shqiptar. Sezoni hapet me koncertin e pianistes Edlira Braka më 16 shtator që luan pjesë nga Moxart dhe Bethoven nën drejtimin e ish drejtorit artistik të RTSH-së, Oleg Arapit. Një program i larmishëm me pjesë të kompozitorëve shqiptarë Pjetër Gaci, Prenk Jakova dhe ata të huaj Sibelius, Bizet, Dopler, Bernstein është koncerti i dytë që vijon stinën koncertore në fundshtator.
Interpretojnë: Lorenc Radovani në violinë, Evi Baba dhe Fini Negri në flaut dhe mezosopranoja Flaka Goranci.
Muaji tetor duket se i është kujtuar veprave të kompozitorëve shqiptarë, disa prej veprave luhen për herë të parë. Më 14 tetor, Orkestra e RTSH-së, luan veprat: “Koncert për piano dhe orkestër nr 2”, “Dans i dielloreve”, “Planetears” dhe “Liturgji në Tokën Time” dedikuar humanistes Nënë Tereza, krijime të kompozitorit Aleksandër Peçi, një pjesë e të cilave luhen për herë të parë. Premirë nga kompozitori David Tukiçi, drejtori artistik aktual i Orkestrës së RTSH-së, kemi koncertin “Dhuratë për ditëlindje” që organizohet me rastin e 85-vjetorit të lindjes së artistit Ibrahim Tukiçi, i ati i kompozitorit. Tukiçi biri sjell në këtë koncert vokalo-simfonik pjesët: “Ave Maria”, “Horcynus Orca”, rapsodinë “Tukiçi” dhe një suitë vokale nga opera “La vita e sogno” e prezantuar në prill 2010 në Teatrin e Operës. Më 28-29 tetor Orkestra e RTSh-së shoqëron zërat e rinj të Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”. Në fillim të nëntorit mexosopranoja Vikena Kamenica dhe pianistja Merita Rexha vijnë në një koncert me vepra të Franz Liszt, që zhvillohet me rastin e 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit. Më 11 nëntor violinistja polake Marta Lelek interpreton pjesë nga Britten dhe Brahms nën drejtimin e dirigjentit Piotr Wijatkowski.
“Falja e Gjakut” premierë për median
Nesër, ora 11.00, në kinemanë “Millennium” shfaqet premierë për median filmi “Falja e Gjakut” (109 min, 2010) i regjisorit Joshua Marston dhe skenaristit shqiptar Andamion Murataj, prodhim i “Dean Street Productions”, “Fandango Portobello” dhe “Lissus Media”. Filmi pati premierën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin këtë vit, ku u vlerësua me çmimin “Ariu i Argjendtë”. Luajnë: Tristan Halilaj, Sindi Laçej, Refet Abazi, Ilire Çelaj, Çun Lajçi.
“Falja e Gjakut” rrëfen historinë e një familjeje që i duhet të jetojë në izolim, pasi dy vëllezër janë përshirë në një zënkë toke. Është jeta e tyre në ngujim që merr tjetër kthesë nga kjo përvojë.
Western dhe fantazi në “Millennium”
“Cowboys and Aliens” (120 min) është filmi western dhe fantashkencë që ka filluar projeksionet më 9 shtator në kinemanë “Millennium”. Është realizuar nga regjisori Jon Favreau, skenari është shkruar nga Roberto Orci, Alex Kurtzman, Damon Lindelof, Mark Fergus, Hawk Ostby. Filmi ka për protagonistë aktorët: Daniel Craig, Harrison Ford, Olivia Wilde.