I kthyer tashmë në një dialogim të përvitshëm që zhduk distancat mes letërsisë dhe publikut, mes autorëve dhe lexuesit, mes nxitjeve krijuese dhe problematikave, festivali “Poeteka” vjen në edicionin e tetë. Do të çelet sot në mbrëmje, në orën 18:00 në qendrën “Ten” dhe do të vazhdojë për tri ditë me radhë. Formati edhe këtë vit vjen ndryshe. “Korniza e edicionit të sivjetshëm të festivalit të poezisë ‘Poeteka’ shmang qëllimshëm formatet dhe rregullat e zakonshme të një feste të thjeshtë për poezinë, letërsinë dhe librin në përgjithësi.
Në vend të formateve FEST dhe POST FESTUM, edicioni i 8 i festivalit ‘Poeteka’ i adresohet përballjes së autorëve me publikun e tyre, me lexuesit, moderatorët dhe temave jetësore përthyer përmes krijimtarisë. Shkrimtarët janë të ftuar për këtë komunikim dhe për lexime autoriale që pasurojnë përvojat qoftë të vetë shkrimtarëve, por edhe të lexuesve të tyre, që zakonisht komunikojnë me autorin përmes ndërmjetësimit të letrës apo të ‘njohjes në distancë’.
‘Poeteka’ ngulmon prej vitesh të ofrojë modelin ndryshe të komunikimit me njerëzit e së njëjtës kohë, të cilët ndajnë mes tyre të njëjtin përjetim për gjithçka ndodh. Kjo lloj përballje është formë e përkushtuar e mendimit ndaj asaj që ndodh në jetën tonë dhe që ngulitet në kujtesë përmes letërsisë”, shprehet Arian Leka, poet dhe drejtues i festivalit. Secila natë do të ketë të ketë të ftuarit dhe një argument mbi të cilin do të bëhet një diskutim jo pasiv. “Factotum – 4 parabola do të hapë festivalin, ku të ftuar janë Bardhyl Londo, Fatos Kongoli, Visar Zhiti, Zija Çela, në një mbrëmje të moderuar nga Alban Bala.
Letërsia e penguar dhe e ndaluar, e cila nuk arriti të komunikojë me lexuesin e vet në kohën e krijimit do të jetë në fokus të natës së dytë nën titullin “Kundërshtarë dhe kundërshtues – Madu një argjendar i varfër”. Në këtë rast, do të flitet për Jamarbër Marko (MADU), Shpëtim Gina, Astrit Delvina, Arshi Pipa, krijimtaria dhe ndalimi i të cilëve do të përcillet përmes dokumenteve, faksimile, dorëshkrime, foto, filmime, pjesë nga ditarët dhe fletë nga dosjet. Të ftuar: Daut Gumeni, Gazmend Krasniqi, Maks Velo, Mihallaq Luarasi, nën moderimin e gazetares Elsa Demo. Festivali do të mbyllet me një diskutim mbi “Multikulti & Feminizmi”, ku të ftuar janë Albana Nexhipi, Edmond Tupja, Ema Andrea, Mimoza Hysa, Eljan Tanini, Lisjana F. Demiraj, Elona Çuliq, Sabina Veizaj, moderuar nga Milena Selimi. “Mendimet, bashkëbisedimet dhe sidomos ngulmimi ‘i pavarësimit të mendjeve’ në këtë vit të 100-vjetorit Pavarësisë do të jenë forma për të vënë në lëvizje më gjithëpërfshirëse të ekzistencës së shoqërisë shqiptare dhe formave të saj, përfshi këtu më së pari atë letrare”, shprehet Leka.
Autorët e ftuar në këtë program do të kenë në fokus përballjen jo vetëm me përvojat e tyre vetjake, jo vetëm me realitetet e brendshme lokale apo kombëtare, por edhe një zgjatim dhe përballje me të njëjtat fenomene që shoqëritë e tjera i kanë kaluar apo janë në të njëjtin proces, të tilla si krijimi i “idealeve dhe krijimi i idolatrieve” (rimarrje e tezës së P. P. Pasolinit), “Manipulimi i veprave të artit dhe përdorja e tyre si art me porosi nën metodën e realizmit socialist dhe në kohën tonë – eksporti letrar” (tezë e artikuluar nga shkrimtari Italo Calvino), “Pyetja retorike mbi rolin, ndikimin apo pushtetin e humbur të poetëve dhe i shkrimtarëve në shoqëritë e sotme” (mendim i vënë në lëvizje nga poetja Adrianne Rich), “Nënshtrimi i depolitizuar estetik në shoqëritë posttotalitare” (tezë e filozofit Edward Said), “Kalimi nga shoqëria e spektaklit drejt shoqërisë me kulturë karaoke” (sipas eseistes Dubravka Ugresic), “Të qenit Qytetar i Republikës së Letrave, pavarësisht nga vendi dhe koha ku jeton” (ide e prejardhur nga poeti slloven Ales Debeljak), etj.
Si për çdo vit, “Poeteka” në edicionin e vet të 8 ka zgjedhur si bashkëshoqërues filmin dhe nën këtë kornizë, veç formateve letrare, leximeve, poetry-film dhe debateve mbi letërsinë dhe krijuesin e saj, “Poeteka” do të paraqesë në publik edhe 10 filma me metrazh të shkurtër të studentëve të degës Regji filmi dhe Televizioni nga Universiteti i Arteve Tiranë, me udhëheqës artistik Mevlan Shanaj. Krijimtaria e tyre do të paraqitet dhe moderohet nga specialistë dhe njohës të filmit, si dhe në fund autorët do të vendosen midis veprës, kritikës së profesionistëve të ftuar dhe publikut, nën moderimin e gazetares Mira Tuci.
“‘Poeteka’ do të shfrytëzojë të gjitha mjediset e ofruara nga qendra TEN dhe në 5 sallat dhe mjediset e saj pjesëmarrësit do të kenë rast të ndjekin performim tekstesh letrare, intervista me shkrimtarë, lexim-autor (nga krijimtaria e autorëve të ftuar). Lexime-in memoriam (performancë), seanca autografesh mes autorëve, përurime botimesh të reja, LetrArt-performance, music-performance, expo të ndryshme”, tregon Leka.