Poeti i mallkuar francez Rimbaud dhe Migjeni shqiptar ?
- Botuar: 14 vite më parë
- Shkruar nga:
Rreth librit “Udhëtimi i mbramë i Arthur Rimbaud”, të eseistit Luan Rama.Nuk glorifikohet aspak figura e poetit francez, Rimbaud, kur thuhet për të se mbetet gjigand i poezisë botërore. Natyrisht, në këtë përfundim nuk arrin vetëm eseisti Luan Rama, autor i librit “Udhëtimi i mbramë i Arthur Rimbaud” , por dhe kritikë të shquar e historianë të letërsisë franceze të fundshekullit të kaluar, por dhe të kohëve të sotme moderne.
Ishte pikërisht adoleshenti Rimbaud, që në kapërcyellin e shekullit të kaluar theu “tabutë” e “poetëve të Parnasit” parisian.
Ndonëse ai krijoi në moshë rinore, nga 15 deri në 20 vjeç, mbeti korifeu i vargut të lirë dhe i figurës poetike. Autori i librit, Luan Rama, pas një pune të gjatë kërkimesh e hulumtimesh rreth jetës dhe veprës së Rimbaud, na dha një libër jo thjesht biografik për këtë poet të madh, por analizoi dhe krijimtarinë e tij të fuqishme në disa plane, në atë estetik; risitë që solli, por dhe ngjizjen e fazave më kulmore të jetës së tij me krijimtarinë.
Këtë gjeni të poezisë moderne do ta zbulonte poeti i njohur i shoqërisë së ”parnasianëve”, Verlaine, i cili sapo e takoi, e prezantoi me shkrimtarët dhe artistë. Që në takimin e parë, Rimbaud u lexoi parnasianëve pjesë nga poema “Anija e dehur”.
Vargjet e figurshme të tij, shpirti i këtij poeti kaq të ri, i shtangu parnasianët, por një vit më vonë, të paktë ishin ata që e pranuan Rimbaud si poet. Poetët e mëdhenj, “les grands parnassiens”, nuk e deshën, do të pohonte një nga adhuruesit e vetëm të tij, Verlaine.
Sidoqoftë, “Anija e dehur” la jo pak gjurmë tek artistët parisianë dhe shumë prej tyre e kopjuan dhe e mbajtën në duar atë poemë, si një “zbulim” të madh.
Verlaine do ta njihte me poetë parnasianë, si De Banvile, Charles Crosse, si dhe me “zutistët”. Do ta çonte dhe në kabaretë “Rue Buci”, “bistrotë” e panumërta deri në mesnatë, kur shkonte në dhomën e tij, diku pranë Montparnasse, në rue Campagne–Premiere, ashtu në ekstazë nga dehjet e ditës.
Ai e adhuronte Parisin që kur erdhi ditën e parë nga ferma e tij, qyteza Charleville. Ai donte të largohej nga ai mjedis mediokër për t’i hapur rrugë gjenisë së tij poetike në qytetin e njëmijë bukurive dhe mistereve, siç e quante Parisin.
Ëndrra e tij e madhe ishte të bëhej një poet parnasian, që kur zbriti për herë të parë në Paris i ftuar nga Verlaine. Dhe, në kujtesën e tij do të nguliteshin fort ato rrugë që kishte bredhur me mikun e tij, ai lokali që e quanin “Akademia e absintit” për shkak të asaj pijes jeshile që e dehte dhe e bënte që të shikonte imazhe ireale.
Tashmë ai punonte në mbrëmje, nga mesnata deri në pesë të mëngjesit, në një shtëpi pranë kopshtit të Luksemburgut, siç do t’i shkruante dhe mikut të tij, Ernest Delahaye. Dhoma e tij në Rue Monsieur le Prince shikonte mbi një kopsht të liceut të Saint Louis. Ai punonte që të mbetej, siç i shkruante mikut të tij, Paul Demeny, më 15 maj 1871, “një vjedhës zjarri”. “Pra, poeti është vërtetë një vjedhës zjarri. Ai është ngarkuar me këtë detyrë nga njerëzimi”, - do theksonte Rimbaud në letrën drejtuar mikut të tij.
Verlaine, me të cilin Rimbaud pati një dashuri, që nga poetët e kohës njihet si një nga më të çmendurat e skandalozet, do ta çonte dhe te grupi letrar i “zutistëve”, që mblidhej tek “Hotel des Etraugers”, ku poeti dhe flinte.
Edhe pse parnasianët nuk e pranuan në rrethin e tyre, dashuria për Parisin, rrugët dhe sheshet e tij, Senën dhe brigjet e saj; urat, jeta njerëzore, kafenetë, “bistrotë”, e mbi të gjitha lagjen e latinëve “Quartier Latin”, ku bridhnin nga një rrugicë në tjetrën rrotull “Saint – Michel”, deri sa dielli shuhej në qiellin gri parisian, nuk u zbeh asnjë çast.
Kjo qe dhe një nga arsyet pse ai bënte një jetë boheme, duke u cilësuar dhe si një nga bredharakët më të mëdhenj të Parisit. Një ditë ai do të vendoste ta braktiste dhe Parisin, por me një kusht: që ta ndiqte dhe miku i tij, Verlaine. Për këtë do të shkonte tek shtëpia e tij dhe pas këmbënguljes së madhe, Verlaine, siç do të shkruante më vonë, do ta ndiqte nga pas.
Po atë ditë ata do të nisnin udhëtimin e tyre drejt Belgjikës, Londrës, botës. Në korrik të vitit 1873, të dy poetët zbresin në Londër, ku vendosen në një dhomë në Howland Street, West 1, Fitz boy Square. Ata përfundojnë në lagjet e dokërve, në tavernat dhe “caffe-hauses”, duke pikëtakuar komunarët e mërguar dhe francezët e lagjes libertine “Soho”, ku gëlonin prostitutat dhe homoseksualët.
Krahas jetës boheme, Verlaine gjen kohë për të shkruar poezitë e tij të fundit për vëllimin “Romanca pa fjalë” (‘Romances sans paroles’ ). Rimbaud dhe Verlaine bëjnë një jetë aktive, duke mësuar anglisht dhe duke shkëmbyer përvojat e tyre krijuese me shkrimtarë anglezë e francezë.
Por, në dhjetor të vitit 1873 Rimbaud e dëgjon të ëmën për t’u kthyer në Charleville. Këtu ai shkroi një nga vëllimet e tij të famshme: “Një stinë në ferr”. Nëna e tij e ndihmon për botimin e librit të cilin ai e pret me një gëzim të jashtëzakonshëm. Por, miqtë e tij të dikurshëm i kthejnë shpinën. Kjo bëri që Rimbaud të kthehej i dëshpëruar dhe tepër i zhgënjyer në Charleville, ku dogji jo vetëm disa dorëshkrime që kishte marrë me vete, por dhe kopjet e vëllimit “Një stinë në ferr”.
Kjo indiferencë e parnasianëve tregoi se askush nuk e kishte kuptuar thënien e tij të famshme: “Duhet patjetër të jesh modern”. Me këtë thënie Rimbaud jepte mesazhin e një të ardhmeje të re për botën poetike. Por poetët e “Parnasit” parisian e larguan nga gjiri i tyre dhe ai mendoi se kjo botë artistësh nuk e deshi, ndaj braktisi vargjet, poetët dhe 15 vjet u nis në rrugët e Orientit. Këtu ai nisi të bënte tregti kafeje, fildishi, armësh.
Këtë tregti ai e bënte mes sfilitjesh të mëdha, mes dëshpërimit e trishtimit të pafund, duke udhëtuar që nga Aden, Harar, në thellësi të brigjeve afrikane të Abisinisë, përballë Detit të Kuq. Autori i librit, Luan Rama këtë kalvar të mundimshëm të Rimbaud në tributë e Detit të Kuq, në fshatrat e humbur të Afrikës, e jep plotë kolorite e ngjyra, me detaje e fakte interesante që i sjell edhe nga evidentimi i letërkëmbimit të poetit me të ëmën; motrën e dhembshur Isabelle, e miqtë e tij. Përmes tyre përshkruhen me mjeshtri mjediset ku u rropat ‘poeti i mallkuar’, një galeri e pasur personazhesh me të cilët ai bashkëpunoi e bëri tregti. Këto jepen me pasazhe mbresëlënëse, me fakte e detaje interesante për të zbuluar jo vetëm veçorinë gjeografike të këtyre vendeve, por dhe zakonet e doket e banorëve të tyre, deri tek indigjenët.
Në gjithë këtë peizazh lëvizës, si në një film të gjallë, jepet drama njerëzore e jetës plot peripeci të Rimbaud, që u rropat brigjeve të zhveshura afrikane, mes dunave të pafund të rërës, shpesh i pangrënë, duke u përballur me kafshë të egra e të uritura.
Por, kalvari më i dhimbshëm për të do të ishte ai i pranverës së vitit 1891, ku një dhembje e tmerrshme i shkaktoi fryrjen e këmbës, sa një ditë ai nuk mund të ecte më. Ndaj, ai u detyrua të mbledhë 16 indigjenë që do ta mbanin në një vig dhe do të transportonin së pari në portin e vogël Zeliho, e pastaj me anije ai do të hidhej në bregun tjetër të Detit të Vdekur, për të zbarkuar më së fundi në Aden.
Në monotoninë e atij kalvari, në ngjitjet e zbritjet e kodrinave, nëpër gërxhet malore iu shfaqën udhëtimet në Taxhurah. Por, udhëtimi më i tmerrshëm për të do të ishte ai nga Taxhurah në Godo, ku ai mezi doli gjallë. Atëherë ai shkonte të takonte shefin e tribusë Menelik dhe i çonte armët që kishte porositur për indigjenët ë tij. Miku i tij francez, Borezi, edhe ai merrej me tregti me indigjenët, e çmonte Rimbaud jo vetëm si njeri korrekt, por dhe si një tregtar të ndershëm e një poliglot, që dinte shumë gjuhë, ndër të cilat dhe gjuhën e indigjenëve. Peripecitë e kalvarit të tij kishin nisur që kur kishte zbritur së pari në Qipro, në Loranca dhe në malin Troados, buzë një karriere guri ku të mbyste pluhuri dhe kripa e detit, duke kërkuar punë në të gjitha portet e vogla të atyre brigjeve pa asnjë lloj gjelbërimi.
Përshkrimi i natyrës me penelata të holla, i botës së brendshme mjaft të pasur të poetit, përplasja mes dëshirës për të jetuar jetën, madje dhe për t’u martuar e bërë shumë fëmijë dhe momenteve të dëshpërimit, që vinin nga dhimbjet e mëdha të këmbës, e bëjnë këtë kapitull të trishtë të jetës së tij, një dramë në vete.
Dhe, skenat e kësaj drame, herë–herë të mbuluara me ankth e mister për të nesërmen, janë të realizuara mjeshtërisht nga Luan Rama, autor i një hulumtimi të plotë që deri më tani kishte munguar në Shqipëri, për një poet gjigand francez, siç është Rimbaud. Hapat për një ndërmarrje të tillë kurajoze, Luan Rama i Parisit do t’i hidhte që me librin “Parisi letrar”, duke ravijëzuar detaje të panjohura më parë nga jeta e shkrimtarëve francezë që bënë epokë, si Balzak, Dymas, Kamy, Sartri, Hygo, Mopasan e shumë të tjerë.
Në analet e dramës së dhimbshme të poetit do të veçonim momentin kur në spitalin “Imm a cule Conception”, mjekët konstatojnë se vuante nga një kancer i kockës, një “neoplazme” e kofshës, e cila i ishte shkaktuar pasi kishte rënë nga kali dhe kishte dëmtuar gjurin. Për këtë mjekët u detyruan t’ia presin këmbën. Ai mendonte të përdorte një këmbë druri, por kjo donte kohë.
“Një mjerim i pafund, - i shkruante ai së motrës, Isabelle. Dhe më tej: Lamtumirë martesë, lamtumirë familje, lamtumirë aveniri im. Jeta ime shkoi dhe tani nuk jam veçse një copë trung i palëvizshëm”. Më së fundi këmba artificiale erdhi, por tashmë ishte vonë. ”Unë s’do ta përdor kurrë atë. Gjithçka tani ka mbaruar. Unë do të vdes”, - do t’i thoshte motrës së tij, Isabelle. Një ditë tjetër do t’i thoshte se, “unë do të shkoj nën dhe, kurse ti do të ecësh nën diell”. Kur nëntori kishte hyrë, Rimbaud po bënte paqe me Zotin, megjithëse më parë kishte qenë ateist dhe tallej me Krishtin.
Më 10 nëntor të vitit 1891, në orën dhjetë të mëngjesit, ai do të jepte frymën e fundit. Trupin e tij e vendosin në kishën Saint–Nikolos dhe më pas e nisin drejtë Charleviles. Isabelle, pasi kishte qëndruar me ditë e net pranë kokës së tij, tashmë ishte kthyer në qytezë për të pritur trupin e vdekur të vëllait. Nëna Vitali mendoi të bëhej një varrim dinjitoz, por pa thirrur “njerëzit e letrave”, që ajo i bënte përgjegjës për ikjen e të birit para kohe në botën e përtejme. Ndaj, trupin e vdekur të Arthur Rimbaud e ndoqën veçse ato dy gra veshur me të zeza, pasi i ati i tij, kapiteni Frederik ishte shkëputur me kohë nga familja dhe s’dihej se ku ndodhej, ndërsa e motra,Vitalie kishte vdekur në moshën 17-vjeçare.
Asnjë fjalë në varrimin e poetit, megjithëse ai në Paris tashmë konsiderohej poeti më i madh i kohërave. Vetëm Paul Verlaine, miku i tij i vjetër, do të shkruante për të një poezi dhimbjeje. Gati dhjetë vjet më vonë, në hyrje të shekullit të ri, për nder të tij në qytezën e tij të lindjes, në Charleville, u ngrit një monument.
Autori Luan Rama, edhe në këtë libër arrin të gjejë pikëtakimit e poetit të madh francez me Migjenin shqiptar. Po ku qëndrojnë paralelizmat e përafërta të jetës e veprës së tij me atë të Migjenit?
Rimbaud do të fliste shqip në vitet ‘20-‘30, si poet i jetës boheme, por edhe i dhimbjes e dramës njerëzore. A nuk ishte i tillë dhe Migjeni shqiptar, që me të drejtë u quajt dhe “Poet i mjerimit”. Madje, ky pikëtakim i këtyre dy poetëve vërehet qartë dhe te përdorimi i vargut. Migjeni do të përdorte vargun Aleksandrin tek figurat poetike, tek ”Vargjet e lira”, dhe do të shfaqej si poet i modernitetit. Tashmë “poeti i mallkuar” francez, Rimbaud recitohej me pasion dhe nga liceistët francezë të Korçës. Tek mistika dhe imazhi poetik, por në një tjetër kah e ndjesi, do të shfaqej qartë profili modern i Migjenit .
Dhe, pikëtakimet e këtyre dy poetëve do të vazhdojnë dhe me kohëzgjatjen e krijimtarisë së tyre. Ashtu si me Rimbaud, që do të shkruante vetëm në pesë vite, e më pas do të braktiste poezinë, e njëjta gjë do të ndodhte dhe me Millosh Gjergj Nikollën ( Migjenin ).
Vërtet shkroi pak poezi poeti i madh francez, por ato do të vinin në shqip tepër të fuqishme, me vargje tronditëse e magjike njëkohësisht. Ky poet i dhimbjes, shpresës e ngazëllimit do të sillte risi të mëdha në botën poetike. Poet i dhimbjes e dramës njerëzore do të ishte dhe Migjeni i madh, që si Rimbaud pati pak krijimtari, por ajo qe e fuqishme dhe tronditëse...Ky paralelizëm mes dy poetëve vërehet dhe tek fati i krijimtarisë së tyre. Ndërsa poeti francez do të ndjente një dëshpërim të madh nga indiferenca e parnasianëve për librin e tij: “Një stinë në ferr”, të njëjtën dhimbje e dëshpërim do të ndjente Migjeni për “Vargjet ë lira”, kur ia censuruan veprën e tij.
Pikëtakimet janë tejet të përafërta dhe në jetën e tyre private. Olga e Migjenit, motra e dhembshur do t’i qëndronte tek kryet në sanatoriumin e “Santa Pelices”, ku ai mbylli sytë i këputur nga tuberkulozi, ashtu siç bëri dhe Isabelle me të vëllain e saj, Rimbaud , që u fundos nga kanceri i këmbës si një anije në oqeanin e dhimbjes e jetës së përjetshme.
Edhe kur gazeta “France modern” kërkoi të lidhej me të, në shkurt të vitit 1891, tashmë poezitë e tij ishin bërë të njohura, atij s’i interesonin më as poezitë, as librat. Madje, ai inatosej kur i thoshin se në Francë atë e cilësonin si poet të madh. E fundit poezi që kishte shkruar ishte ajo e vitit 1873. Ai e braktisi poezinë kur i jepte botës poetike një tjetër lloj poezie simbolike, metaforike dhe të lirë.
Kjo braktisje e madhe pasqyrohet dhe në shkrimin e gjatë për të, të poetit Louis Aragon, i cli thoshte tek “Një ngjarje poetike e vitit”: “Arthur Rimbaud e vrau poetin brenda tij, vrau ‘profetin’, atë që do të udhëhiqte aksionin, shoqërinë, poetin që shkonte mbi ‘shputat e erës”.
Kështu do të ndodhte dhe me poetin e madh shqiptar, Migjenin në dorëshkrimin e tij më 27 korrik të vitit 1938, pas të cilit ai nuk do të shkruante më. Të dy patën një jetë të shkurtër dhe një veprimtari të pakët, por që do të trondiste dhe krijuesit më të mëdhenj të kohës.
Kështu do të ndodhte dhe kur miku i Rimbaud, Verlaine u interesua për botimin e veprës “Përshëndritjet” (‘IIuminations’, apo gravurat e ngjyrosura–Colorated painting ). Kjo vepër tronditi më tej botën poetike. Por, të habit fakti se për këtë poet kaq të madh, në Shqipëri është shkruar shumë pak.
Rimbaud, që lindi më 20 tetor të vitit 1854, në Ardennes të Francës, mbetet ndër më të befasueshmit me vargjet e tij me copëra imazhesh kaotike, por që me kadencën e simboleve të tyre nxisin ndjesi e mendime të mëdha.
Ndoshta vështirësia për ta deshifruar atë (kjo tashmë është kapërcyer nga kritika dhe studiuesit e historisë së letërsisë franceze), ka bërë që ai të botohet pak në Shqipëri.
Por, me librin e Luan Ramës: “Udhëtimi i mbramë i Arthur Rimbaud”, mendoj se ky boshllëk i madh i deri më tanishëm për këtë poet është plotësuar. Ai jep jo vetëm momente kulmore të jetës së stuhishme në Paris, e ngjizur kjo me ngjarje poetike, me jetën boheme në rrugë, hotele, skuta e kafenetë, në gjithë imazherinë e misteret e këtij qyteti, por dhe aventurat londineze, udhëtimet në Gjermani, drejt Alpeve, drejt ishullit Java, e më pas drejt Egjiptit, Adenit e Hararit.
Përmes kontrasteve të drithshme, autori na zbulon jo vetëm jetën boheme, por dhe karakterin e tij të fortë, që nuk u sfidua nga vështirësitë e shumta me të cilat ai u përball në brigjet e Detit të Kuq në Afrikë, a në detin Mesdhe duke bërë tregtinë e armëve, të fildishit, të kafesë etj.
Krahas tyre, autori ndalet deri në detaje përmes dhe korrespondencës së tij me familjen; me nënë e tij, Vitalie, që i qëndronte ftohtë dhe larg, motrën e tij të dhembshur, Isabelle, që s’ju nda asnjë çast vëllait të saj në momentet kur ai, në spitalin e Marseillës bie në kllapi, dhe ditët i duken të errëta e të pashpresa.
Përmes fakteve e detajeve tronditëse, ku në qendër të tyre, përpos poetit, vihet dhe profili tepër njerëzor me fytyrë të paqtë i motrës Isabelle, na jepen skenat e një drame njerëzore. Kjo vjen së pari nga njohja e thellë dhe në tërë gjerësinë e vet të jetës së “poetit të mallkuar” francez nga Luan Rama, një kërkues pasionant i të fshehtave të kulturës franceze.