Me figura e derdhje origjinale, me kolorin e gjuhës së trevës nga ku ai ka marrë lëndën poetike, ai na dëfton se në sa shtigje, monopate, rrëkera, burime, blerime e dete ka kaluar poezia e tij, kjo lanete që kë nuk ka bërë për vete. Nëpërmjet dallgëve e figurave të gjithëllojshme, dëshmon për shpirtin e pashtershëm të këtij poeti, që ka afro pesë dekada, që shtegton e digjet vetëm për këngën, e plot brenga, a për qejf të shpirtit, ku ta dish, që edhe pse dremit, asnjëherë nuk fle.
Në vazhdën e traditës më të vyer kombëtare, ky poet dallohet për meloditë e rralla dhe figurat e ndritura që farfurijnë, duke i dhënë tone të reja e të përveçme poezive për këngë polifonike. Si dashuror i përvëluar i këngës, ky poet ka gjetur një linjë poetike krejt të përveçme, pse dëshirat i kthen në ëndrra dhe ëndrrat (që nuk e lenë vetëm) i kthen në musht e verë dashurie. Vëllimi më i fundit i tij, mund të cilësohet më i miri, ku poeti në fjalë nuk trembet nga telashet e pagjuma të dashurisë dhe si besimtar i thellë dhe i bindur i saj, ai e shpirtëzon aq mirë vargun-këngë, sa që e reklamon si terapinë më të dobishme të shpirtit. Duke deklaruar kështu edhe ca amanete poetike, që rrallë, shumë rrallë janë dëftuar: O shokë vdeksha nga kënga, .... është edhe titulli i kësaj të fshehte, diku në një poezi të tij.
Kuptohet qartë, shumë nga poezitë e këtij vëllimi, janë hedhur ashtu siç i kanë ardhur, netëve të vona në dritë të Hënës, a në dritë qiriri, apo me të feksur të dritës, mëngjeseve me vesë, ku poeti sheh e dëgjon gjurmë kaprollesh e zërash nga mali e karshi nga deti. Apo ndoshta diku nën ullinj bregut, karshi valëve, duke parë, sy deti, sy ulliri e vetullaja, që lëshojnë vetëtima, për të ndez se s’bën vargje dashurie. Poeti Lefter Çipa, ky kapedan i madh i deteve të shpirtit, të tabanit e më tej, kudo ku flitet gjuha jonë e ëmbël e shqipes e ku këndohet ajo, bashkë me autorë të tjerë, ka ushqyer në dekada me poezi breza të tërë.
Por siç duket poezia e tij, do të jetë prapë prezent edhe kur poeti do të niset me misione poetike deteve, reve, shpateve, majave, luginave, zallit e kudo ku ka jetë. Ai me këngët melhem në buzë, do të jetë pranë poetëve e dashamirësve të këngës, në çdo ceremoni festive apo në zijafete të tjera të çdo natyre që të jenë, edhe në situata të vështira të jetës ku edhe vajin do ta kthejë në këngë.Por është fakt se, këngët e Lefter Çipës kanë bërë emër me kohë. Ato janë vlerësuar nëpër festivale kombëtare e ndërkombëtare dhe në plot takime të tjera artistike, si perla të polifonisë shqiptare.
Me sa duket, ky poet me dhunti të lindura, e ka për kryemotiv vargun “bilbil qofsha e këndofsha”, për të zbuluar magjinë e jetës e për ta prurë të bukur, të dukur jo vetëm më inxhi fjalësh, por edhe me zë, ç’ka përbën edhe të veçantën e këtij poeti, pse shumë nga poezitë e tij janë bërë e bëhen këngë, gjithnjë në modë e të vlerësuara me pëlqim.Poeti Lefter Çipa, me një gjeografi të gjerë motivesh epike, lirike mërgimi dhe me thellësi detesh, si stërnip i De Radës, dhe bir për shpirt të Naimit të madh e sërës së tyre, është e mbetet një kalorës i papërtuar i vargut poetik, që ka lënë gjurmë të thella.Shpirti i tij zengjin, mbetet një eshkë e pashuar dashurie.
Dëshirat e tij të ndezura, avullojnë e treten, herë janë në kërkim, ndaj edhe shumë prej tyre shpesh kthehen në ëndrra, që ai ç’të bëjë, i kthen në këngë. Ky poet i rrallë, më shpirt të qëruar e plot trazime, lerë e rritur në Pilurin përmbi Himarë, që s’ka njeri mbi Vetë, veç Hënën e tij të dashur që veron karshi Jonit të thellë plot dallgë, do të bredh nëpër stane e vende të tjera rrëpira, burime e tenda verimi e dimërimi, kudo ku ka njerëz me frymë, që besojnë tek poezia dhe kurdoherë do të dëgjojnë prej tij meshën e përjetshme të këngëve, që të beharojnë. Si këngëtar i përveçëm i vargut dhe i frymës edhe në këtë vëllim dëshmon, për shtegtimet e tij të paprera poetike, duke mbetur në prita e përgjime të palodhura dashurie. Dhe ai si gjithnjë edhe në këto “beteja” edhe pse është plagosur, është shëruar dhe nuk ka mbetur sakat.
Poeti Lefter Çipa nuk predikon, por ndjen thellë dhe si magjistar i rrallë i vargut, botën nuk do ta shohë kurrë të lodhur, as ta vërë në gjumë, por e do një nuse, xhinde të bukur me topone që ja hedh sytë, të zgjuar, që të mbush trishtimin e brengën që shoqëron shpesh jetën. Ai e do jetën kurdoherë në stinë gjelbërimi e mundësisht Prill e Maj. Ky zog i bukur i këngës deri sa të jetë, do të mbetët në male e dete dhe vargje këngësh, nëpër valë gushëbardha, si ç’e shpreh në mjaftë poezi të tij, gjë e cila i ka dhënë tone të reja polifonisë tonë. Ky poet i shquar i këngës dhe i poezisë me ligjërime të tilla, të sojme, i bën nder dhe i jep krenari Labërisë dhe gjithë polifonisë shqiptare, pse si mjeshtër nga të rrallët, edhe mërzitë, bubullimat, ulërimat dhe kujën e erës dhe zemërimin e Jonit e derte të tjera, i kthen në elegji, këngë e logori, jo vetëm për Kaoninë nga ka vendlindjen, po për të gjithë dashamirësit e poezisë.
Me takëme të rënda e të reja poetike ky kalorës edhe në këtë vëllim rend e prapë do të rend i dashuruar me shpirtin e kombit, me tokën, me njerëzit e gjithësinë. Sigurisht, ai do të bëj prapë be e rrufe për kurorë të shenjtë, por syri, zemra e shpirti i tij, do të jetë kurdoherë në përgjërime, shtegtime, për ti dhuruar letërsisë, këngë e vargje të tjera taze, se betimet e tij Perëndia i ka dëgjuar me kohë dhe e fal, pse dufi i poetit me zjarrminë e tij, besoj se është njësh me dëshirën e vetë zotit për misionarët e tij të vërtetë, siç është dhe poeti në fjalë. Në ditëlindjen e këtij libri të ri, i urojmë poetit me zemër, që sevdatë e tij të pafundme, ti shëtit e ti kullos nëpër mera,limere, livadhe, burime t’u shuaj havrën me ujë gurre, e në stane të tjera të pashkelura poetike dhe ti hedhë në hoje këngësh. E di fare mirë se, në vitin 2036, në ato vise, ku u rrit e bilbiloj ky poet, do të dëgjohen ca vargje valësh, që më dolën një natë në gjumë.
Mos përto, merrja prapë këngës
Bir i shenjtë nga mëmëdheu
Të kërkojnë bejkat e zemrës...
Me shumë arsye e vëmendje, studiuesi i mirënjohur dhe miku ynë Prof. Dr. Shaban Sinani i cili ka bërë dhe parathënien, e ka përcaktuar këtë libër si “Album i dashurisë”.