Poetja qe perktheu Migjenin Siliqin Kadarene Agollin pa njohur shqipen

Poetja qe perktheu Migjenin, Siliqin, Kadarene, Agollin, pa njohur shqipen
Joyce Lussu
Poetja që përktheu Migjenin, Siliqin, Kadarenë, Agollin, pa njohur shqipen


Joyce Lussu është një personazh i panjohur për shqiptarët, por ajo e njihte Shqipërinë. Poete, partizane, antifashiste, antikomformiste, përkthyese, është një nga personazhet më interesante dhe komplekse të 1900-s italiane. E lindur më 8 maj 1912, emri i saj i vërtetë është Gioconda Beatrice Salvadori Paleotti, e rritur nga dy prindër intelektualë që ndikuan shumë në botëkuptimin e saj. Këtë vit u shënua 100-vjetori i lindjes së saj, kësaj gruaje që ka lënë gjurmë në shumë vende të botës, në të cilat ajo ka udhëtuar personalisht, ku ka njohur kulturat dhe ka përkthyer poetët më të njohur.

Pikërisht për ta bërë të njohur për publikun shqiptar, Ornella Palmisano dhe Ira Panduku prezantuan gjatë javës në bibliotekën e Institutit Italian të Kulturës librin “Joyce Lussu; të gjitha rrugët të çojnë në shtëpi” (botimet “Flesh”). Libri, botuar me nismën e shoqatës kulturore “Dragare”, e angazhuar në iniciativa kulturore, studime, kërkime dhe botime, është përkthyer në shqip nga instrumentistja shqiptare Ira Punduku, e cila prej vitesh jeton në Itali. Ky libër është botuar fillimisht nga autoret në italisht (Zephyro). Autoret nuk e kanë takuar personalisht Joyce Lussu (e shuar më 1998), por e kanë zgjedhur si figurë që përfaqëson shoqatën e tyre. Ornella Palmisano, duke folur për Joyce Lussu nënvizoi mbi të tjerat edhe besimin e madh që ajo kishte në forcën dhe në zgjuarsinë femërore për zhvillimin e së ardhmes. Në parathënien e librit, shkrimtarja italiane Antonietta Langiu, e cila e ka njohur nga afër Lussu, e përshkruan si një grua me karakter të fortë, shtëpia e së cilës ishte e hapur për të gjithë.

“Çfarë bën ti për të ndryshuar botën?”, ishte pyetja e parë me të cilën Lussu të gozhdonte. E martuar fillimisht me Aldo Belluigi, një i ri i pasur, por me bindje fashiste dhe pastaj me Emilio Lussu, një antifashist me të cilin u njoh gjatë një misioni të fshehtë, në lëvizjen “Drejtësi dhe Liri”, jeta e saj ishte një aventurë e vërtetë. Ka udhëtuar në disa nga vendet e botës së tretë, duke shkuar edhe në frontin e luftës. Për veprimtarinë e saj është nderuar edhe me “Medaljen e Argjendtë” për vlera ushtarake, por pas luftës nuk pranoi të angazhohet politikisht. Në udhëtimet e saj të shumta ajo kaloi edhe në Shqipëri. Ira Panduku, në fjalën e saj gjatë prezantimit u ndal pikërisht te Joyce Lussu dhe Shqipëria. “Lussu ishte e bindur se rridhte nga dega e Skënderbeut, ndaj edhe udhëtimin e saj drejt Shqipërisë e quante si një rikthim në vendin e origjinës”, theksoi Panduku.

Në fakt Lussu jo vetëm udhëtoi në Shqipëri disa herë, por ka përkthyer edhe disa nga poetët më të njohur tanët si Migjenin, Aleks Çaçin, Llazar Siliqin, Fatos Arapin, Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin. Më parë ajo kishte përkthyer poetë kinezë, afroamerikanë, eskimezë, australianë, etj. Joyce nuk dinte gjithë këto gjuhë. Ajo i përkthente poezitë duke i takuar shkrimtarët, të cilët në gjuhë të tjera ia shpjegonin poezinë e tyre ose duke njohur kulturën e atij vendi. Kjo aventurë e saj filloi në vitin 1958, në Stokholm, kur, gjatë një kongresi ndërkombëtar, u njoh me Nazim Hikmetin.

Duke komunikuar në frëngjisht, Joyce përktheu mbi 7000 vargje të Hikmetit. Kështu bëri edhe me poetët shqiptarë. Emri i saj është shfaqur si përkthyese në gazetën “Drita” kur flitej për botimet e shkrimtarëve shqiptarë jashtë vendit, por vetëm kaq. Joyce përkthen dhe boton në Itali tre libra me poezi, “Tre poetë shqiptarë” (Lerici, 1965), “Tre poetë të Shqipërisë së sotme” (Lerici, 1969), “Poezia e shqiptarëve” (Eri, 1977). Më pas publikon librin “Përkthimi i poezisë” (Botimet Robin, 1998), ku një kapitull i kushtohet poetëve shqiptarë. “Indiferenca e kulturës italiane ndaj popullit shqiptar dhe historisë së tij, më ka bërë gjithmonë përshtypje si diçka jonormale. Është një komb i vogël, por me një histori të rëndësishme. Brenda pak vitesh, diti të dalë nga prapambetja dhe me shumë krijimtari arriti të ndërtojë një realitet shoqëror-kulturor të pavarur, modern dhe të pashoq në krahasim me vendet e tjera të Lindjes dhe Perëndimit. Përveç kësaj, italianët duhet të vënë dorën në zemër: që pas rënies së Perandorisë Osmane deri në pushtimin fashist gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria është sulmuar, dhunuar dhe kolonizuar nga Italia, në mënyrë po aq barbare sa paraardhësit tanë turq.

Kjo ishte një mosmirënjohje e vërtetë, po të konsideroje faktin që pakicat shqiptare në Itali, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut, morën pjesë trimërisht në lëvizjen e Rilindjes sonë, duke kombinuar betejat për pavarësinë italiane, me betejat për pavarësinë e Shqipërisë. Garibaldi, në fjalimin pas fitores në Volturno, thoshte: “Shqiptarët e Italisë janë heronj të vërtetë dhe janë dalluar në të gjitha betejat kundër tiranisë”. Njëzet vjet më vonë, tashmë e plakur, shkruante nga Kaprera: “Çështja e shqiptarëve është edhe çështja ime; do të jem i lumtur nëse mund t’i dedikoj momentet e fundit të jetës sime, në mbrojtje të këtij populli kreshnik”, shkruante ajo në librin “Poezia shqiptare”.
 
Ndërsa duke iu referuar udhëtimit në Shqipëri, theksonte: “Pasi mbaroi lufta, vendosa të shkoja dhe të rimerrja një copë të atij atdheu të largët të transmetuar nga qeleshet e familjes. Kalova Adriatikun mbi hambarin e një anije jugosllave gjysmë të rrënuar të quajtur ‘Shën Shtjefni’ që shkonte nga Bari në Bar, në Mal të Zi. Mbërrita në kufirin shqiptar me një autobus të vjetër të viteve tridhjetë, kalova në këmbë kufirin dhe nga ana tjetër një autobus po aq i vjetër i së njëjtës periudhë më çoi në Tiranë. Është e paharrueshme mirëpritja që më bënë partizanët shqiptarë. Misto Treska, luftëtar i madh dhe person me kulturë të rafinuar, më shoqëroi dhe më prezantoi me vendin e tij e me poetë të fortë dhe të sjellshëm. Menjëherë ndjeva nevojën për t’i përkthyer dhe për t’i bërë të njohur në Itali”. Joyce nuk ndjente aspak nevojën për të studiuar gjuhët që përkthente.

Nga shqipja i mjaftonte të dinte pak fjalë: shok, gëzuar, faleminderit, ju lutem, mirupafshim, grua, burrë, mal, det, shtëpi, dhi. “Poezitë m’i shpjegonin vetë poetët, që në përgjithësi flisnin tre ose katër gjuhë; poeti vetë është shumë i përpiktë dhe i qartë kur shpjegon se përse ka përdorur një fjalë të caktuar, një figurë, metaforë, aluzion ose thirrje”. Por nuk mund ta vërente që në Shqipëri nuk i folën për asnjë poete. “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, më dha të dhëna vetëm mbi shkrimtarët meshkuj. Ky fakt më vuri pak në siklet por megjithatë nuk ndërhyra në mënyrë burokratike, duke shtuar emrin e ndonjë poeteshe, në homazh të gjinisë më shumë se sa të poezisë. Aq më tepër që gratë shqiptare nuk kanë nevojë për shtojca.

Janë ndër më të përparuarat të shoqërive bashkëkohore dhe kanë arritur, më shumë se kudo tjetër, nivele të larta përgjegjësie në çdo fushë… Pra, nëse gratë tregojnë më pak interes sesa burrat për poezinë, arsyeja nuk duhet kërkuar te gratë por tek poezia”, shkruante ajo. Qëllimi i dy autoreve, Palmisano dhe Panduku ishte t’ia kthenin këtë nder Lussu-t, duke sjellë pak nga jehona e saj në publikun shqiptar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama