Studiuesi dhe shkrimtari Moikom Zeqo theksoi se duke e njohur Xhuljetën si poete, nuk ka mbetur i befasuar nga tendenca e saj për të hyrë fuqishëm në botën e pikturës, vetë punimet e ekspozuara janë tregues të shpirtit të saj meditues, ku ka një lidhje të patjetërsueshme me poezinë, poezia dhe piktura plotësojnë njëra-tjetrën tek këto punime. Më tej Zeqo tha se ndjeshmëria e ngjyrave, relacioni i tyre me mendimin që Xhuljeta ka hedhur në telajo është tregues fakti se ajo ka ditur që në substancialen e saj të modelojë aq bukur ngjyrat më mendimet poetike. Prirjet moderne në abstraksionin e piktores flasin për një ekspozitë me nivel të lartë dhe hapja e saj edhe në galeritë e Tiranës do të ishte një vlerë për ta. Ngjyra më e preferuar e Xhuljetës në këto punime është e verdha dhe jo rastësisht, sepse, sipas koncepteve të saj, kjo i takon simbolikisht ngjyrës së Perëndisë . “Unë i besoj instinktit, pohon vetë piktorja, dhe nuk kërkoj që në momente të veçanta instinkti të më shkëputet, por e konturojë atë në perceptimet e mia në pikturë, duke u bërë kështu më e vetëdijshme për objektivat që lindin”. Ndryshe nga piktorët profesionistë, do të pohonte në këtë aktivitet piktori Nikolet Vasia, i cili priret për komercalizëm: “Piktorë të tillë si Xhuljeta që është njëherazi edhe poete bëjnë një ndërthurje të pikturës me poezinë. Realiteti është një zhurmë të cilin duhet ta kthejë në harmoni këtë postulat të A. Graf”. Këtë e ka pasur si pikë reference piktorja, që dje për vizitorët e pranishëm ka qenë një befasi ekspozita e saj, pasi Tengun e njohin si poete.
AGRON SHIMA : Gazeta Standard