Poezia e Podrimjes dhe Spahiut vleresohen ne France

Poezia e Podrimjes dhe Spahiut vleresohen ne France
Dy poetët shqiptarë, Ali Podrimja dhe Xhevahir Spahiu dhe më i riu Ermir Nika, po marrin pjesë në Festivalin e Poetëve Botërorë në Francë. Në Setee, qytezën piktoreske të Francës që shtrihet buzë detit Mesdhe, ka filluar Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Zëri i gjallë” (Voix Vives). Është ky një takim tradicional, që kësaj radhe filloi më 23 korrik dhe që përfundon më 30 korrik. Në festivalin poetik janë prezantuar poetë nga e gjithë bota, ndërsa poezia shqipe prezantohet me poetin kosovar Ali Podrimja dhe poetin shqiptar Xhevahir Spahiu.

 Poetë të tjerë të ftuar në Festivalin e poezisë janë Andree Appercelle, Patrick Dubost, Simon Antoine (Francë), Saleh Diab (Siri). Lambert Schlechter (Luksemburg), Tal Nitzan (Izrael), Kolja Miceviç (Bosnje-Hercegovinë), Moncef Ghachem (Tunizi) etj. “Në këtë kongres poetik në Francë do të përpiqemi të japim mesazhe poetike në shqip, të tregojmë zërin tonë të gjallë për Kosovën dhe shqiptarët, për folenë poetike në tërësi dhe për prejardhjen e poezisë së tyre në veçanti”, është shprehur poeti Ali Podrimja.

Në manifestimin e fjalës së bukur poetike marrin pjesë kritikë, miq të poezisë, dhe botues nga gjithë Europa. Të dy poetët shqiptarë aty do të lexojnë në gjuhën e tyre amtare poezitë e tyre, duke u përballur me poetët e tjerë të ftuar. Por gjithashtu poezitë e dy poetëve shqiptarë do të recitohen edhe nga disa aktorë francezë - shkruhet në faqen zyrtare të Festivalit. Sipas organizatorëve të këtij festivali, eidicioni poetik i këtij vitit do të ketë një risi. Ai do të përmbyllet me botimin e një antologjie të poetëve nga mbarë bota, që marrin pjesë në festival, përfshirë këtu edhe poezitë e dy poetëve tanë Ali Podrima dhe Xhevahir Spahiu.

Ndryshe, letërsia shqipe në Francë sot prezantohet me rreth 14 autorë të përkthyer nga fusha e poezisë dhe e prozës. Xhevahir Spahiu është cilësuar nga kritika e Festivalit si një nga poetët më të rëndësishëm bashkëkohor në Shqipëri. “Poezia e tij ka fituar çmime të ndryshme kombëtar, si çmimin “Migjeni”, dhënë nga Lidhja e Shkrimtarëve në vitin 1987 dhe 1991 për “Nesër jam” dhe “Kohë e krisur”, pjesë të së cilës janë lexuar dhe mbrëmë në “Place du Pouffre”. Ndërsa poeti Ali Podrimja është cilësuar si poeti më i famshëm në Kosovë, i njohur edhe ndërkombëtarisht, duke e cilësuar si poetin më shprehës dhe më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqiptare. “Ai është autor i qindra poezive që nga vitit 1961. Në vitin 1982 publikoi përmbledhjen ‘Lum Lumi’, një moment historik jo vetëm në veprën e tij, por gjithashtu edhe për Kosovën.

 I përkthyer në disa vende të Europës, ai është vlerësuar në Gjermani me çmimin ‘Nikolaus Lenau’ në vitin 1999. Poezia e tij zbulon aftësi të pamohueshme në stolisjen e peizazhit eliptik, e ndjellë përmes poezisë tradicionale shqiptare, metaforik, origjinal, i paparashikuar në strukturë dhe i mprehtë në rimë. Këta dy poetë të njohur do t’i bashkëngjiten në fund rreth 50 poetëve që do të jenë pjesë e antologjisë së këtij Festivali. Gjatë ditëve të Festivalit janë zhvilluar takime të ndryshme. Poeti Ali Podrimja bashkë me poetin nga Shqipëria, Ermir Nika, kanë qenë të pranishëm në takimet e poezisë shqipe. Takimet janë zhvilluar si mbrëmje letrare, herë në anije e herë në kopshte private, që kanë qenë të hapura për publikun. Një vend i veçantë i është kushtuar edhe botuesve nga vende të ndryshme të Mesdheut. Një vit më parë në këtë edicion poezia shqipe u prezantua me poezinë e Arian Lekës dhe Afroviti Gushos.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama