Poezia shqipe prezantohet ne Izrael

Poezia shqipe prezantohet ne Izrael

Poetët shqiptarë në Festivalin e Poezisë “Nisan”, Maghar. Gjashtë të ftuar në tre edicione


“Nisan”, në gjuhën arabe, do të thotë “pranverë”. Festivali i Poezisë me të njëjtin emër mbahet prej 15 vjetësh dhe mbledh së bashku në vendet e shenjta poetë nga kënde të ndryshme të botës, që kulturalisht dhe gjeografikisht janë thuajse krejt të pangjashme me Izraelin. Naim Araidi, një poet, lektor dhe gazetar i njohur në gjithë vendin, i përkthyer në shumë gjuhë, organizon në fshatin e tij të lindjes këtë festival krejt të veçantë

Prej disa vitesh, në Izrael ftohen poetë shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, në një prej festivaleve më seriozë në vend dhe rajon, Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, “Nisan”. Në edicionin e fundit, të mbajtur përpara disa javësh, nga Shqipëria ishte ftuar aktori Mirush Kabashi, i cili interpretoi poezi të disa autorëve shqiptarë, duke i servirur publikut një panoramë të poezisë shqipe përgjatë gjithë netëve të festivalit.

Të ftuarit shqiptarë ishin grupi më i madh midis të gjithëve në edicionin e kaluar. Dy nga Shqipëria dhe dy nga Kosova. Basri e Sazana Çapriqi vinin nga Prishtina, një çift lektorësh universiteti dhe njerëz të njohur në poezi, përkthim e botim, kurse nga Tirana poeti dhe përkthyesi Ukë Zenel Buçpapaj dhe unë, që shkoja për herë të parë në atë vend. Ndërsa një vit më parë, i ftuar ishte poeti Fahredin Shehu, nga Kosova.

“Nisan” në gjuhën arabe do të thotë “pranverë”. Festivali i Poezisë me të njëjtin emër mbahet prej 15 vjetësh dhe mbledh së bashku në vendet e shenjta poetë nga kënde të ndryshme të botës, që kulturalisht dhe gjeografikisht janë thuajse krejt të pangjashme me Izraelin. Naim Araidi, një poet, lektor dhe gazetar i njohur në gjithë vendin, i përkthyer në shumë gjuhë, organizon në fshatin e tij të lindjes këtë festival krejt të veçantë. Në vitin 2005, më kishte rënë rasti ta njihja këtë poet dhe intelektual në Rumani. Patëm dëgjuar e lexuar poezi, patëm biseduar dhe qemë ndarë me një ndjenjë të thellë respekti. Asokohe ky takim me të, së bashku me poetin Mousa Hawmadeh, i cili jetonte në Aman pas ikjes së detyruar nga vendlindja, më patën mësuar për arabët e Izraelit shumë më tepër sesa çdo informacion i marrë nga media, ose nga leximet.

Festivali

Festivali i “Nisan”-it është një ngjarje kulturore, jo vetëm për rajonin verior të Izraelit, midis Nazaretit e Galileas, por për të gjithë vendin. Një pjesë e madhe e poetëve nga Tel Avivi “shtegtojnë” drejt fshatit të vogël Maghar për të marrë pjesë në këtë Mekë të poezisë. Ai është afër kufirit me tre shtete, Jordaninë, Sirinë dhe Libanin. Nëse sheh legjendën e hartave të viteve të fundit, ngjyra që shënjon këtë rajon përshkruhet si zonë konflikti.

Maghari është fshati i Druzeve, një komunitet arab, i veçantë. Ata jetojnë të bashkuar, nuk e arrijnë shifrën e 20 mijë banorëve dhe rëndom martesat i kanë bërë brenda komunitetit të tyre. Mirëpo, sikurse edhe në shumë raste të tjera, kjo lloj tradite që mëton të ruajë trashëgiminë e prejardhjes së papërzier dhe të pasurisë, përfundon në defekte gjenetike. Disa raste të tilla vëreheshin te fëmijët e çifteve që e patën ndjekur këtë traditë. Në Maghar ka organizata që punojnë mbi baza vullnetare, por edhe me fondet e qeverisë izraelite, për të kryer shërbime në ndihmë të këtyre fëmijëve, po ashtu, aty janë edhe dy qendra kulturore e arsimore shumë aktive, që funksionojnë prej dy dekadash. Në çdo orë të ditës mund të gjesh atje banorë të moshave të reja dhe të mesme që shkojnë për t’u trajnuar profesionalisht ose për t’u argëtuar.

Teksa na shoqëron personalisht, mësojmë se Naim Araidi ka ardhur nga Norvegjia, sepse ai nuk jeton më në Maghar, që prej vitit 2012. Tashmë është ambasadori i Izraelit në Norvegji, por ai mbetet me shpirtin në Galile, në Maghar, i mungojnë ullinjtë, hurmat, mangot, fiqtë e detit, që kultivohen në plantacione. “Gjithçka që shihni është vetëm për konsum lokal”, – tregon Naimi, ndërsa secili kundron stilin arab të arkitekturës dhe shtëpitë zhytur në bimësinë mesdhetare. Askush nuk largohet nga fshati dhe emigracioni është një term e ndjesi që banorët e Magharit nuk e njohin. Rrallë ndokush mund të mos kthehet, por kjo mund të jetë në të ardhmen. Eyal Kharanba, një student që punon vullnetarisht në një nga qendrat kulturore të fshatit, pohon se dëshiron të shkojë për studime në Itali, të bëhet mjek dhe pastaj, rri pak në mëdyshje: mund të kthehet, por mbase edhe jo. Bashkëjetesa ka filluar të tregojë shenjat e veta edhe në martesat e përziera. Tashmë ka mbi 40 gra izraelite të martuara me burra nga Maghari. Ndërsa në shkollë, përzierja është e dukshme. Në aktivitetet që organizohen fëmijët flasin në të dyja gjuhët dhe i mësojnë të dyja.

Lamees Kanaane është shkrimtare e njohur për fëmijë në të dyja gjuhët dhe lektore në universitet. Ajo banon në Nazaret dhe merr pjesë rregullisht në edicionet e festivalit. Teksa bisedojmë tregon se tashmë shkrimi i librave për fëmijë është bërë modë për të gjithë shkrimtarët, edhe për ata që nuk kanë pasur kurrë interes për këtë letërsi.

Në Maghar, bashkëjetesa ndërfetare është model. Druzet janë komuniteti më madh dhe zënë 57% të popullatës së të gjithë rajonit, arabët katolikë zënë 23% të popullatës dhe hebrenjtë zënë 20%. Nëse pyet për besimin e Druzeve, shpjegimi të vjen në disa versione. Por më interesanti është ai i trashëgimisë së të fshehtave të besimit vetëm te njëri nga djemtë, kur ky mbush të dyzetat. Edhe etimologjia e toponimit Maghar mbetet e çuditshme, por rëndom vendasit e shpjegojnë me fjalën “shpellë”. Në Maghar duket sikur koha ka ndalur dhe herë pas here të krijohet ideja se përtej kodrave është deti. Por freskia që ndien në ajrin e nxehtë të verës vjen prej liqenit të Galileas.

Poetët e ftuar

Karakteristikë e këtij festivali është pjesëmarrja jo shumë e madhe e poetëve të huaj, por një përzgjedhje e përfaqësuesve mjaft cilësorë. Në edicionin e vitit të shkuar binte në sy Metin Çengiz, një poet, kritik, përkthyes dhe lektor i frëngjishtes nga Stambolli. Poezia e tij, edhe pse për ne vinte përmes anglishtes, depërtonte dhe të fuste në thellësitë e momenteve dhe brendive të gjithçkaje me një humanizëm të pazakontë. Ndjenja dhe intelekti fqinjëronin në çdo varg dhe kur bisedoje me këtë poet, diçka tjetër të shfaqej: njeriu i zakonshëm, me një natyrshmëri të tejskajshme dhe me një besim që vetëm gjeneratat e reja mund t’ia lejojnë vetes. Metini erdhi drejt e nga protestat e sheshit “Ghezi” në Stamboll dhe ishte njëri prej atyre turqve që të kujton se përherë e më tepër stereotipat për kombet janë një fiasko. Mik dhe kritik ndaj Orhan Pamukut, ai nuk mund të mos shfaqte në çdo çast një mënyrë sjelljeje dhe gjykim të një njeriu që çiltërsisë i ka shtuar përvojën dhe e jeton çdo moment të jetës pa e pasur mendjen se është një poet i madh dhe se si i tillë duhet të përmbushë pritshmëritë e të tjerëve ndaj tij. Me Metinin mund të ndaje edhe opinione për poezinë shqipe, sepse ai njeh disa poetë dhe është mjaft aktiv, duke qenë edhe vetë botues i poezisë.

Një poet më i ri, por i mirënjohur, ishte Steinar Opstad nga Norvegjia, fitues i disa çmimeve prestigjioze, por mbi të gjitha me një cikël të mrekullueshëm poezish që i kishte përzgjedhur posaçërisht për leximet në Maghar. Një dyshe e veçantë poetësh vinte nga Italia, Beppe Kosta, ndoshta ndër të rrallët përfaqësues të “Beat Generation”, i cili poezinë e kish vënë përkrah muzikës. Vite më parë, ai kishte një shtëpi botuese shumë të suksesshme në Romë dhe fqinjët tanë e njohin edhe si përkthyesin e Arrabalit në Itali. Poezitë e Beppe-s mund të shijoheshin prej nesh edhe në origjinal dhe për të flitet më me bindje, pa pasur dyshimin e humbjeve që të jep përkthimi. Ndërsa Stefania Batistella është një poete e re mjaft e talentuar, por njëherësh edhe një person me dhunti organizative dhe e prerë për të nxjerrë më të mirën nga çdo bashkëbisedues.

Një grup prej tre poetësh kinezë përfaqësonte mbase pamundësinë më të madhe të komunikimit në atë takim ndërkombëtar. Dy prej tyre nuk dinin anglisht ose ndonjë gjuhë tjetër që flisnin pjesëmarrësit, ndërsa i treti ishte shumë familjar me festivalin dhe ai bënte edhe rolin e përkthyesit.

Poetët e rajonit

Një dyshe e veçantë vinte nga Gaza, njëri prej poetëve kishte qenë basketbollist për më shumë se 12 vjet, një nga yjet e Lindjes së Mesme në këtë sport. Ai kishte luajtur me kombëtaret e tre-katër vendeve fqinje në rininë e vet. “Tani bëj ecje, një orë në ditë. Çohem më pesë dhe pasi kam bërë hapat e mi të përditshëm, kthehem te pasioni i kohës së tashme: rritja e lepujve”,- thotë. Poezia është një pasion i hershëm që e mban lidhur me gjuhën dhe ndjesitë arabe. Secilit i mbeti në mend për interpretimin e veçantë dhe tipin mjaft miqësor. Dhe poeti tjetër nga Gaza, njëkohësisht diplomat atje, prezantoi poezinë e tij me tone të forta lokale. Mund të kuptoje shumë përmes frymës së atyre vargjeve, ndërsa nga biseda me të mund të mësoje shumë më shumë. Në një nga udhëtimet jo fort të gjata më ra rasti të bisedoja me të. Mbante në dorë një qese plastike nga ato që riciklohen, ku kishte futur dy kallëpe sapuni të prodhuar në mënyrë artizanale, që i kishte marrë te një e afërme në Maghar. Aty, disa gra prodhonin vetë në shtëpi sapunë nga ullinjtë, që dukeshin si pyje në miniaturë. Gjatë rrugës, një burg, mbase më luksozi në botë, na tërhoqi vëmendjen. Midis një gurishteje dhe ullishteje, në rrugën midis Galileas dhe Magharit, në të djathtë po shihja me vëmendje kullat e rojeve dhe ndërtesat e burgut, që më krijuan përshtypjen e një lagjeje të këndshme, po qe se nuk do të ishin atje telat rrethues. E pyeta këtë poet se çfarë ishte ai vend dhe më tregoi se ishte burg. Burgu ishte për pasanikët që kishin shkelur ligjin dhe që paguanin nga 600 euro në ditë për të vijuar këndshëm jetën brenda rrethimit, me pishina, telefona, gra dhe kuzhinë speciale. I vetmi privim për ta ishte lëvizja fizike jashtë burgut, sepse gjithçka “të fortët” e vijonin si më parë.

Poetët lokalë dhe ata që erdhën nga Tel Avivi i dhanë tonin edicionit, duke sjellë timbrin arab dhe hebraik të alternuar në çdo lexim. E, në fund, ende nuk mund të thoshe se e kishe kuptuar dallimin mes këtyre gjuhëve, aq shumë orë leximesh në të dyja.

Por ajo që të mbetej në mendje ishte biseda me poetët, skenaristët, regjisorët dhe profesorët e Universitetit të Filologjisë dhe Arteve në Tel Aviv. Nga biseda mësoje se bëheshin 22-24 filma në vit me paratë e buxhetit të shtetit dhe se regjisorët e rinj e gjenin fare mirë veten në fillimet e tyre, pa pasur shtrëngesat financiare që vihen re te ne. Por edhe jeta kulturore e Tel Avivit ishte e begatë. Në një natë jepeshin të paktën 20 shfaqje teatrore, duke futur këtu të gjitha llojet e grupeve teatrore. Po me aq përkushtim, në këtë vend trajtohej trashëgimia kulturore, traditat dhe folklori i secilit grup etnik dhe po me aq përkushtim poezia.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama