Pol Pogba tregon sekretin e fitores së Francës. Mesfushori juventin, që bëri një ndeshje të shkëlqyer duke dhënë pasimin perfekt në golin e dytë të Grizmanit, tha se ekipi është rritur shumë dhe ka fituar eksperiencën e duhur. Pas përfundimit të ndeshjes, ai ishte shumë i lumtur me ndeshjen e luajtur, edhe pse tha se nuk e mbante mend çfarë kishte bërë realisht.
"Arritëm një objektiv shumë të rëndësishëm dhe treguam se skuadra është rritur shumë. Nuk jemi më ata që humbëm në Botëror ndaj Gjermanisë sepse kemi më shumë besim në vetvete. Bëmë një ndeshje shumë të mirë dhe e merituam fitoren. U mbrojtëm mirë ndaj skuadrës më të fortë në botë. Ne i mundëm ata sepse gjithçka ishte psikologjike", tha mesfushori francez.
I pyetur për ndeshjen që zhvilloi ai u tregua shumë i ftohtë duke thënë se ishte shumë i përqendruar në atë që duhet të bënte. "Unë bëj gjithmonë ndeshjen time duke dhënë maksimumin. Nuk e mbaj mend realisht çfarë kam bërë", vazhdoi më tej futbollisti juventin.
Pogba dhe Grizman janë dy miq shumë të mirë, që kalojnë kohën e lirë në kombëtaren franceze. Numri 15-të i "gjelave" tha se ndihej shumë i lumtur që Grizman shënoi. "Më bëhet shumë qejfi për të. Është një lojtar i shkëlqyer dhe jam i lumtur që shënoi", tha Pogba. Në ditët e fundit është duke u përfolur shumë se mund të largohet nga Juventusi për të veshur fanellën e Junajtid, por tani ai është i përqendruar maksimalisht tek Europiani.
"Objektivi im është ta marr në shtëpi kupën. Duhet ta bëjmë realitet diçka të tillë. Më mirë që e nisëm këtë Europian keq, sepse mendoj se do ta përfundojmë mirë. Më e mira e mundshme është sikur ta fitojmë", përfundoi Pogba.