Këtë verë do të funksionojë trageti për turistë, Pogradec –Ohër. Linja u përurua pak ditë më parë dhe të pranishëm në ceremoni ishin ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto dhe homologu i tij maqedonas, si dhe ministrja e Turizmit, Eglantina Gjermeni dhe drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali. Më herët ministri Haxhinasto ka parë nga afër molin ku do të ankorohet trageti i linjës ujore Pogradec-Ohër-Strugë. Sipas tij, kjo linjë ujore do i japë një impuls të ri zhvillimit të turizmit në Pogradec.
“Qyteti i Pogradecit po përgatitet për sezonin turistik dhe është e rëndësishme që e gjithë infrastruktura të jetë e gatshme për t’i shërbyer këtij sezoni, ndërkohë që këtu kemi ardhur pikërisht tek ky mol i rikonstruktuar”, – tha ministri Haxhinasto gjatë vizitës tek moli i trageteve buzë liqenit të Pogradecit. “Ky rikonstruksion u bë me një qëllim të caktuar, për të vendosur linjën e tragetit me Ohrin në bregun tjetër, por unë jam i bindur se do t’u japë një zhvillim dhe impuls krejtësisht të ri të gjitha shërbimeve turistike të ujit për Pogradecin, por edhe për operatorët e tjerë që mund të jenë të interesuar”, – shtoi ai. Trageti i kësaj linje do të krijojë lehtësira jo vetëm për banorët e Pogradecit, por edhe për ata të Strugës dhe Ohrit.