Poketino Leicesteri eshte ne kohe per ta humbur titullin

Poketino: Leiçesteri është në kohë për ta humbur titullin

Mauricio Poketino është optimist dhe mendon se skuadra e tij ka ende shpresa për të kaluar "dhelprat" e Ranierit. poketinoEdhe pse jo gjithçka varet më prej ekipit të tij, trajneri argjentinas në prag të derbit të Londrës veriore u shpreh optimist sa u përket garave të fundit.

Shpresa e fundit

Poketino shpjegoi bazat e logjikës së tij në këtë drejtim duke pranuar se rivalëve për titull mund t'i vinte fundi pikërisht nga euforia që i ka zënë tani që janë fare pranë fundit.

"Është shumë e vështirë që të ndalësh euforinë. Te Leiçesteri të gjithë janë të gëzuar se po fitojnë titullin, prandaj them se neve na mbetet edhe një fije shprese. Situata e krijuar tek ata mund të rezultojë fatale në fund", arsyetoi 44-vjeçari.

Rruga e vetme

"Diferenca mes skuadrave është shtatë pikë (Poketino doli përpara gazetarëve kur Leiçesteri ende nuk kishte luajtur takimin e vet në 'Old Trafford' ku fitoi edhe pikën që dërgoi në tetë numrin e pikëve mes dy ekipeve) dhe deri në fund të kampionatit mbeten 9 pikë në lojë. Nuk është e lehtë, por ne duhet të besojmë deri në fund", tha 44- vjeçari. "Për ne nuk ka rëndësi vetëm që Leiçesteri të humbë pikë, por nga ana tjetër duhet që të koleksionojmë vetëm fitore", pranoi Poketino, i cili e di fare mirë shkallën e vështirësisë të ndeshjes në "Stamford Bridge". Në atë stadium, Totenhemi nuk mund Çelsin që prej 1990-ës të largët.

E ardhmja

Nëse në fund të sezonit Totenhemi do të dalë duarbosh, Maurisio Poketino ka gati "alibinë" për të hedhur gjithçka pas krahëve.

"Është e vërtetë, mund të ndihemi keq për diferencën e madhe të pikëve që na ndajnë nga Leiçesteri, por nga ana tjetër jam optimist, pasi kemi një ekip shumë të ri. Nëse do të humbim këtë garë këtë sezon do të thotë se në të tjerët që do ta pasojnë do të jemi sërish aty për të luftuar për kurorën e kampiones", tha 44-vjeçari. Në 26 vitet e fundit Totenhemi vetëm tri herë ka mundur që të renditet mes katër të parave.

Rinovimi

Mediat angleze kanë zbuluar se Poketino ka arritur akordin me presidentin e Totenhemit për të zgjatur kontratën aktuale edhe për dy vite. Argjentinasi do të qëndrojë në Londër deri 2021-n dhe falë akordit të ri do të bëhet tekniku më i paguar në historinë e skuadrës me një pagë vjetore që kap 5.5 milionë paund në vit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama