"Telenovela" e gjatë rreth të ardhmes së Pol Pogba duket se po shkon drejt fundit. Sipas britanikes "The Sun", francezi i cili ka qenë në bisedime gjatë kësaj kohe me Real Madrid, Barcelonën, Mançester Junajtid, Mançester Sitin dhe Bajern Mynihun, pa hedhur asnjëherë poshtë mundësinë e qëndrimit te Juventusi, me në fund ka vendosur të kthehet në "Old Traford", ndërsa klubi italian do të përfitojë 125 milionë euro nga shitja e tij.
Pogba, i cili u largua nga Mançester Junajtid në vitin 2012, ishte kthyer në objektivin kryesor të merkatos së Murinjos që në ditën e tij të parë te "djajtë e kuq". Si tabloidi britanik, ashtu edhe e përditshmja franceze "L'Equipe" raportojnë sot se Murinjo ka rënë dakord për shumën që do të shpenzohet për lojtarin dhe rrogën e tij, pasi e cilëson një investim shumëvjeçar dhe të rëndësishëm.
Ndërkaq, është zbuluar se rroga bazë e lojtarit do të jetë 241 mijë euro në javë, ndërsa para se të hedhë firmën në kontratë, ai do të kryejë vizitat mjekësore gjatë ditës së martë.