Policet me bicikleta ne bregdet sa me afer njerezve

Policet me bicikleta ne bregdet, sa me afer njerezve

Shëngjin, Tushemisht, Durrës, Velipojë, së shpejti edhe në Vlorë, patrullat e policisë me nga dy efektivë kanë filluar të policojnë me biçikleta. Këtë e keni parë nëpër filma artistikë të huaj, por kjo është pamja e re e policisë që gjithnjë e më shumë duket se, po miqësohet me shoqërinë në Shqipëri. Është në fakt një model i praktikuar në shumë vende të botës e më së shumti i përhapur në Danimarkë dhe Holandë. Kopjuar apo jo, ky patrullim duket shumë i këndshëm në rrugët e Tushemishtit në Pogradec, në rrugët e Velipojës në Shkodër, në bregdetin e Durrësit dhe të Shëngjinit.

Së shpejti, kësaj nisme do t’i bashkohet edhe Vlora. Është zgjedhur biçikleta si një mjet përafrimi me qytetarët, e pikërisht në zonat turistike, në bregdet. “Shekulli” ju sjell sot rrëfimin e Eljo Kamberaj-t, djalit që prej kohësh lëviz me biçikletë. Ai ka pasur një rol të rëndësishëm në këtë nismë, sepse ka qenë djali që ka mundësuar lidhjen e Policisë me Ecovolis, të vetmen që mund t’u siguronte brenda pak muajsh biçikleta të mira për patrullim policisë së shtetit shqiptar. Eljo na tregoi sesi është pritur nisma, sa bashkëpunuese ka qenë policia, sa muaj ka që kujdeset për këtë projekt dhe çfarë biçikletash po përdorin policët tanë.

 Si nisi kjo ide?

 Nisi si një ide që lindi nga përballja me imazhe të këtij lloji në shtetet e tjera, të cilat e përdor-  in biçikletën në disa forca policie prej një kohe të gjatë. Po ashtu u nis edhe nga fakti se policisë në Shqipëri i duhej një pamje ndryshe, më miqësore dhe më e afërt me shoqërinë, me komunitetin e një zone të caktuar. Është, në fakt, një mënyrë e mirë që forcat e policisë të afrohen me njerëzit. Sepse, ky është një lloj imazhi që të largon nga agresiviteti që përcjell policia me mjetet motorike. Dhe është shumë e përshtatshme në sezonin e verës dhe në vendet bregdetare.

Sa trupa janë pajisur deri më tani me biçikleta?

Nuk pretendohet që e gjithë trupa të patrullojë me biçikleta dhe deri më tani janë katër grupe në katër vende të ndryshme turistike. Një grup është ai i Durrësit, një në Velipojë, Shkodër, një tjetër në Shëngjin dhe një në Tushemisht. Po bëhet gati edhe një grup tjetër policësh, që do të patrullojnë gjatë këtij sezoni në Vlorë. Këtu kam përshtypje se numri do të jetë më i madh, pasi edhe hapësira është   më e madhe, por këtë e di më mirë Policia e Shtetit.

 Sa bashkëpunuese ka qenë policia me këtë nismë?

Në fillim mund të dukej skeptike si ide, për shkak të komenteve që vinin nga populli, por Policia është treguar shumë bashkëpunuese. Kjo ide ka që në muajin prill që diskutohet. Fakti që u vu në zbatim shumë shpejt do të thotë se edhe forcat e policisë e kanë mirëpritur këtë nismë pa probleme. Unë personalisht ndihem shumë i kënaqur me bashkëpunimin e tyre.

Çfarë biçikletash u keni dhënë?

Janë biçikleta Mountain Bike, disa lloje biçikletash që përballojnë përdorimin e përditshëm dhe të vështirë njëkohësisht në terren. Siguron qëndrueshmëri edhe në terren të vështirë, gropa, rrugica të pashtruara, pjesë malore etj. Është menduar që këta dyrrotakë të përballojnë patrullimin në terrene pa u dëmtuar menjëherë dhe pa kërkuar rehabilitime, rregullime a riparime të shpeshta. U vendos që brendimi të jetë ai që është paraqitur në imazhe nga media. Janë biçikleta të bardha që i përshtaten funksionit që do të kryejnë. Në të është shënuar edhe POLICIA, edhe logoja e policisë së shtetit, edhe numri i emergjencës 129, për të qenë sa më efektive dhe sa më të pangatërrueshme. Kjo është ideja e një patrulle të lëvizshme të shpejtë, që policon në hapësira të ngushta, në trafik, me një kosto të vogël dhe lehtësi të madhe. Në këtë pikë edhe shërbimi është ekologjik. 

Forcat e policisë nuk përdorin biçikleta të vjedhura

Sigurisht që reagime ka pasur. Dhe reagimet fillestare në Shqipëri nuk janë përgjithësisht të mira. Ka pasur shumë skeptikë në momentin kur lajmi u lançua. Njerëz që vazhdojnë të mos kenë besim në forcat e policisë, vazhdojnë të besojnë se këto patrullime të policëve me biçikleta nuk do të jenë efektive. Eljo na rrëfen të kundërtën dhe këtë e nis me shembuj të tjerë në botë, të cilët prej vitesh kanë një polici që lëviz me biçikleta dhe që është shumë efektive. Kamberaj do të na rrëfejë edhe për komente të çuditshme sesi në fillim është pretenduar që biçikletat mund të kenë qenë të vjedhura.

Cilat kanë qenë komentet e para për këtë lloj patrullimi?

Ka pasur komente të mira dhe komentet që shprehnin mosbesim. Më mos- besuesit kanë qenë të një forme të prerë se një polic me biçikletë nuk ka për të qenë kurrë efektiv, nëse keqbërësi është me makinë të mirë. Sigurisht që mund të ndodhë edhe kështu, por patrullimi në zonat e plazhit me një mjet të tillë është shumë efektiv. Edhe lëvizja me biçikletë është më e shpejtë, detyrimisht një nga policët shkon më shpejt në vendngjarje ndërkohë që forca të tjera policie, pra kolegët e tyre me mjete lëvizëse motorike mund të jenë rrugës drejt situatës së agravuar.

Sot, pas aksioneve të para të këtij lloji, pra pas patrullimeve në praktikë e jo më në teori komentet sa vijnë e bëhen më pozitive. Njerëzit që pushojnë diku në bregdet tashmë ndihen më të qetë dhe më të afërt kur shohin një polic që patrullon me biçikletë. Ata që e duan mjedisin e kanë përshëndetur pafund këtë nismë. Ndërsa, gjithnjë e më shumë bregdetet tona bëhen më mikpritëse dhe më pak agresive  me patrullimin e këtillë të forcave të policisë.

Dhe cili ka qenë komenti që ju ka bërë të qeshni? Shqiptarët kanë shpesh nota humori në komentimin e nismave të reja, e atyre që marrin jetë për herë të parë në Shqipëri.

Këto janë biçikleta të vjedhura. Ky është komenti më qesharak. Sigurisht që edhe kjo ide mund t’u shkojë ndër mend shqiptarëve. Më poshtë, komentuesi mund edhe të shpjegonte se policia i ka gjetur këto biçikleta të vjedhura dhe i ka mbajtur për vete.

Nuk është absolutisht kështu, pasi biçikletat janë njëlloj, kanë një numër serie që tregon se, ato janë siguruar të gjitha njëherësh dhe për këtë qëllim. Madje, këshilla ime më e mirë në këtë rast është, mos i rrëmbeni biçikletat e policisë se është një veprim i rrezikshëm. Edhe sikur t’i modifikoni ato kanë një numër serial që mund t’ju vështirësojnë jetën. (Qesh) 

Përparësitë

Çfarë fiton policia nga kjo nismë?

Së pari, ndryshon pamjen e saj, e sidomos në zonat bregdetare, ku më shumë se kurrë nevojitet siguri pa një pamje agresive. Biçikletat lëvizin shpejt edhe në trotuare, në rrugë të ngushta, në trafik, në rrugica të pashtruara. Ekonomikisht, financiarisht, ky lloj patrullimi është shumë i favorshëm.

Kostoja e një dite punë me një patrullim të këtij lloji është thuajse zero, sepse biçikletat janë zgjedhur posaçërisht të forta për të mos pasur nevojë për riparime të vazhdueshme apo të shpeshta. Nga ana mjedisore, shteti i bën një nder të madh vendit të tij, sepse kjo është nga mënyrat më ekologjike dhe më të shpejta, që një polic mund t’i shërbejë shtetasve dhe qytetarëve të vet.    


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama