Në mesditë rruga e Elbasanit ofronte një pamje të pazakontë. Në të dy anët e rrugës mbizotëronte ngjyra fosforeshente e jelekëve të policisë rrugore. Nxënësit e klasës së pestë të shkollës 9-vjeçare “Mihal Grameno” të veshur si policë trafiku po zhvillonin një orë të hapur mësimore në kuadër të rritjes së sigurisë në rrugë. Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ndërmarrë fushatën “Edukim dhe sensibilizim për qarkullimin rrugor”, e cila ka si qëllim respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor nga nxënësit e shkollave dhe parandalimin e aksidenteve.
Nxënësit ishin të shoqëruar nga nëndrejtoresha e shkollës dhe mësuesja e edukatës shoqërore zonja Entela Lika. Të pranishëm ishin edhe efektivët e policisë rrugore në shenjë sensibilizimi për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor dhe për shmangien e aksidenteve. Prindërit u shprehën shumë të kënaqur për këtë nismë të Ministrisë së Arsimit, pasi e konsiderojnë shumë të dobishme dhe edukative.
Mësuesja: Teori dhe praktikë për mësimin e rregullave të qarkullimit
Për gazetën “Shekulli” mësuesja e edukatës shoqërore Eltela Lika shprehet se ky aktivitet është sensibilizues dhe ka si synim mësimin e sinjalistikës dhe rregullave të qarkullimit. “Fëmijët pasi janë njohur me to në teori, tani po i zbatojnë në praktikë. Ata i zbatojnë këto rregulla dhe ndihmojnë edhe qytetarët e moshuar në kalimin e rrugës kur është semafori jeshil dhe përpiqen të sensibilizojnë të gjithë qytetarët për të zbatuar sinjalistikën rrugore.”- thotë ajo. Ky aktivitet është shtrirë në të gjitha shkollat e Tiranës. Nxënësit kryejnë mësime të hapura në prani të policëve rrugorë të cilët u japin udhëzimet e nevojshme dhe ata përpiqen t’i memorizojnë ato. Nxënësit të veshur si policë këshillojnë kalimtarët që t’i respektojnë rregullat dhe u parashtrojnë atyre rrezikun e shkeljeve të tyre.
Nxënësit “policë” entuziastë në këtë eksperiencë
Ne pyetëm disa nga nxënësit që merrnin pjesë në këtë aktivitet, dhe na thanë se e kanë ëndërr të bëhen policë. Gjatë kësaj ore praktike, ata mësojnë si të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe përpiqen tw sensibilizojnë të gjithë kalimtarët që t’i zbatojnë ato. 11-vjeçari Elio Kondi shprehet shumë i lumtur që punoi për pak ore si polic. Ai ndihet krenar për veten që ndihmoi disa të moshuar të kalonin rrugën dhe këshilloi shumë të tjerë. Nuk la pa përmendur dhe raste kur kalimtarët tregohen indiferentë karshi këshillimeve të tij ose drejtuesit e motoçikletave nuk iu bindën shenjës së tij për ndalim. “Sot unë dhashë ndihmën time që Tirana të jetë një vend më i qetë”,- thotë ai.
Prindërit të kënaqur nga kjo nismë
Në vëzhgimin tonë gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti vumë re që nxënësit shoqëroheshin vetëm nga mësuesja dhe efektivët e policisë, por jo nga prindërit. Kjo pamje është e pazakontë në rrugët e kryeqytetit. Prindërit përpiqen t’i shoqërojnë gjithmonë fëmijët pasi i konsiderojnë rrugët të rrezikshme për kalimtarët sidomos kur ata janë fëmijë. Kontaktuam me zonjën Bruna Kondi, djali i të cilës ishte pjesëmarrës në këtë orë të hapur për sensibilizimin e qytetarëve në zbatimin e sinjalistikës rrugore.
Ajo tregon për “Shekullin” se shkolla e kishte njoftuar për këtë aktivitet para 2 javësh. “Mësuesja më siguroi se do i shoqëronte fëmijët gjatë gjithë kohës dhe me ta do të ishin edhe disa efektivë policie, prandaj unë isha e qetë për sigurinë e djalit dhe e lejova të shkonte në këtë aktivitet”, - thotë ajo. Ajo shprehet e kënaqur nga kjo nismë pasi fëmijët bëhen më të ndërgjegjshëm për rrezikun në rrugë. Shkolla po u përforcon nxënësve këshillat që prindërit u japin çdo ditë në shtëpi. Edukimi bëhet më i plotë dhe efektiv kur shkolla dhe prindërit bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.
Policia rrugore e gatshme për të ndihmuar fëmijët
Fation Mona, polici që udhëzoi nxënësit gjatë këtij aktiviteti, u shpreh shumë i kënaqur nga ky bashkëpunim. “Qëllimi ynë kryesor është respektimi i rregullave të qarkullimit dhe mbrojtja e këmbësorëve”,- thotë ai, - dhe s’ka më bukur kur ky sensibilizim vjen nga fëmijët”. Respektimi i sinjalistikës rrugore do i bëjë fëmijët më të sigurt në rrugë dhe do u japë atyre sensin e përgjegjësisë dhe rrezikut që sjell shkelja e këtyre rregullave. Të shpresojmë që kjo nismë e marrë sot të jetë pozitive dhe do të ulë numrin e aksidenteve nesër.
Nisma të tilla të policimit, po çojnë në rritjen e bashkëpunimit, edukimit, sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit të nxënësve në veçanti dhe të qytetarëve, me synim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe respektimin e rregullave në fushën e qarkullimit rrugor. “U ndjeva shumë mirë gjatë kësaj kohe”,- thotë ai, - pasi interesimi i madh i tyre për të mësuar gjithçka mbi punën time dhe admirimi me të cilin më shihnin më bëri ta dua edhe më shumë punën që bëj.” Nxënësit ishin shumë të sjellshëm, të vëmendshëm, dëgjonin dhe mbanin shënim gjithçka që ai u tregonte. Kjo orë mësimore atyre do u vlejë shumë në jetë, jo vetëm se mësuan disa rregullave rrugore, por sepse në radhë të parë sot ata mësuan të jenë të sjellshëm, të ndihmojnë të tjerët dhe të jenë të përgjegjshëm për veprimet që bëjnë. Efektivi i policisë u shpreh: “Qëllimi kryesor i profesionit tonë është të mbrojmë kalimtarët dhe të parandalojmë aksidentet. Mbrojtja më e mirë është edukimi që ata të bëhen policë të vetvetes”.
Aksion për sensibilizimin e qytetarëve
Shtimi i numrit të aksidenteve si pasojë e mosrespektimit të sinjalistikës rrugore nga këmbësorët kanë detyruar Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Arsimit të hartojnë një projekt që do të shtrihet në të gjitha shkollat e Tiranës. Ky projekt ka si qëllim sensibilizimin e nxënësve për respektimin e rregullave dhe sinjalistikës rrugore. Të gjitha shkollat e kryeqytetit do të kryejnë orë mësimore, ku do t’u mësojnë sinjalistikën rrugore dhe rregullat e qarkullimit gjatë orëve të hapura në teren. Nxënësit do të janë të asistuar nga policë rrugorë.
Qëllimi i kësaj nisme është që nxënësit të venë në zbatim këto rregulla dhe të sensibilizojnë kalimtarët në lidhje me sinjalistikën rrugore. Edukimi i këmbësorëve është parë i domosdoshëm nga të dyja këto ministri prandaj i kanë lënë hapësirën e domosdoshme për të patur një rezultat sa më efektiv pas disa vitesh. Edukimi i brezit të ri është nisma më e mirë për t’u marrë pasi ata fëmijë të vegjël sot, do të jenë qytetarë të denjë nesër, do të jenë kalimtarë të edukuar që do respektojnë sinjalistikën rrugore dhe rrjedhimisht aksidenti kalimtarautomjet do të zhduket.