Policet qesharake

Policët qesharakë

Të shtrirë në shtretër spitalesh. Me fytyra të mjeruara. Mimika të sforcuara që japin idenë e sikletit fizik. Një mbledhje e lehtë e trupit apo një dorë e vendosur diku në trup si mbi një plagë të bëjnë të mendosh se personi po përjeton dhimbje të madhe. Dikush merr serum në vena. Pranë dikujt tjetër janë një, dy a tre mjekë që duken të shqetësuar.

Por, nëse përqëndrohesh më shumë, kupton që nuk kanë shenja të dukshme dëmtimi. Nuk kanë as nxirje, as gjakosje, as ndonjë gërvishtje sado të vogël. Veç serumit në ca raste, ndaj tyre nuk është bërë asnjë mjekim. Të gjithë janë të veshur me rrobat e punës. Çuditërisht, rrobat nuk kanë rrudha apo ndonjë shenjë që mund të tregojë përpjekje apo diçka të pazakontë.

Janë policët qesharakë, aktorë amatorë, të cilët me rradhë, mbas çdo proteste në park, i drejtohen spitaleve për të vënë në skenë shfaqjen e rradhës me "dëshmi" dhune të është ushtruar ndaj tyre nga protestuesit.

Menjëherë, pranë tyre vjen gjithmonë Kryebashkiaku Veliaj, që pastaj menjëherë poston foto i përkulur plot shqetësim mbi trupat e tyre. Pastaj, ai del para kamerave e dënon dhunën e vandalëve e lëvdon policët heronj e të paepur.

Tek sheh këto skena, duke mos dashur kurrsesi të mendosh se këta policë dhe kryebashkiaku janë manipulatorë të rëndomtë që sajojnë shfaqje bajate, të lindin disa pyetje të thjeshta.

Nëse këta policë a police rrëzohen përtokë posa shtyhen pak nga disa civilë të paarmatosur, a nuk duhet të shkarkohen menjëherë për paaftësi? Nëse edhe pse disa herë më të shumtë në numër se protestuesit, këta policë zbehen dhe alivanosen aq sa kanë nevojë për ndihmë urgjente spitalore vetëm prej disa fërkimeve me 20-30 persona me duar në xhepa, a nuk duhet të shkarkohen për paaftësi?

Detyra e policëve është edhe të përballojnë e përdorin forcë. Ata përzgjidhen, ndër të tjera, në bazë të aftësive së tyre fizike e psikologjike për të përballuar dhunë fizike dhe situata të vështira psikologjike. Ata supozohet se janë të përgatitur të luftojnë e triumfojnë mbi keqbërës e kriminelë.

Por Bashkia Tiranë po i paraqet dhe trajton sikur ata janë fotomodelë delikatë. Diskursi publik i drejtuesve të bashkisë e qeverisë nga ai për të drejtat, liritë dhe mirëqenia e qytetarëve, tashmë, është shndërruar në përkujdesjen që qytetarët duhet të tregojnë për policinë.

Nga mëngjesi në darkë ata flasin për policët, të cilët, ne populli i pambrojtur, duhet t'i marrim me të mirë; të mos i prekim; të mos ju ofrohemi fare ose të pakteën t'ju ofrohemi me kujdes e ngadalë; t'i trajtojmë me takt; t'ju japim ndihmën e parë nëse ju merren mendtë dhe alivanosen nga klaustrofobia apo frika nga turmat.

Edhe pse shumica e tyre janë dukshëm të paaftë, të çorganizuar, të pa stërvitur. Edhe pse ata nuk dinë as të komunikojnë, as të negociojnë. Edhe pse askush prej tyre nuk e njeh ligjin dhe i bindet vetëm shefit.

Ne, populli, duhet t'u shërbejë policëve.

veliaj3

velias-spital

image_2016_03_28_2121_1459193187_2

image_2016_03_28_2121_1459193187_1 image_2016_03_28_2121_1459193187_3

image_2016_03_28_2121_1459193187_0

image_2016_03_28_2121_1459193187

218040


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama