Polici i Forcave Speciale Ju rrefej operacionin nen bresherine e plumbave

Polici i Forcave Speciale: Ju rrefej operacionin nen bresherine e plumbave

Çfarë po ndodh në Lazarat mes forcave speciale dhe banorëve të armatosur. Deri ku ka hyrë policia dhe çfarë ka gjetur në shtëpitë e marra nën kontroll. Një punonjës i Forcave Speciale tregon se si po zhvillohet rrethimi i Lazaratit nën breshërinë e plumbave

Lazarat- Armë, municione, hashash apo fidanë të bërë gati për mbjellje. Gjithçka gjendet sheshit në zonën e marrë tashmë nën kontroll nga policia në Lazarat. Një efektiv i Forcave Speciale, i pranishëm në operacion tregon për MAPO-n gjithçka ndodh në brendësi të fshatit të marijuanës, ku shkëmbimi i zjarrit vazhdon prej më shumë se 48 orësh. Sipas rrëfimit të tij, efektivët specialë zëvendësojnë njëri-tjetrin dhe se kanë qenë me fat që nuk janë përballur nga afër me trafikantët e armatosur. Efektivi i policisë tregon se shumica e banorëve që s’kanë lidhje me konfliktin kanë braktisur shtëpitë dhe se në lagjen Mahmutaj, tashmë të marrë nën kontroll, janë gjetur fare pak banorë. “Kemi arritur të kontrollojmë 20 banesa, ku janë gjetur armë, municione, qindra rrënjë kanabis dhe bimë narkotike gati për shitje thuajse në çdo shtëpi”, – tregon më tej ai për MAPO-n.

Çfarë po ndodh aktualisht në Lazarat? A keni mundësi të avanconi dhe si po vazhdon operacioni i policisë?

Operacioni po vazhdon normalisht. Jemi duke kryer kontrolle në një grup banesash në fshat, ndërsa në to gjenden sheshit armë, municione, marijuanë, hashash, apo kubikë hashashi nëpër shtëpi në oborre. Ka edhe bimë të mbjella përreth këtyre shtëpive.

Ku ndodheni aktualisht ju ?

Aktualisht jemi në lagjen Mahmutaj të Lazaratit dhe po vijojmë me kontrollet e banesave.

Si keni mundur të çani rrethimin? A vazhdojnë të qëllojnë banorët?

Jemi dy grupe, një i forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë apo i forcave Delta dhe kombinohemi me një grup të RENEA-s. RENEA është grupi që udhëheq apo drejton ndërhyrjen. Më pas jemi ne, që kryejmë kontrollet nëpër shtëpi, apo nëpër ambientet ku është e vendosur droga apo municione dhe armë.

A mund të thoni se sa banesa janë kontrolluar deri më tani ?

Nuk di të them për grupet e tjera. Në grupin ku unë kam marrë pjesë në kontrolle, janë kontrolluar 20 shtëpi a më tepër. Kontrollet kanë nisur në orën 13:00 të mesditës nga grupi ynë. Rreth kaq shtëpi sa ju thashë mund të kemi kontrolluar.

A mund të thoni se sa armë apo municione e lëndë narkotike mund të keni bllokuar ?

Nuk di ta them këtë, por di të them se kanë qenë shumë armë, municione dhe po kështu edhe lëndë narkotike në kubikë, në oborre, të mbjella edhe me rrënjë.

Ka pasur të shtëna gjatë kohës që keni qenë ju në kontrolle ?

Po, ka pasur të shtëna nga pika të ndryshme në fshat. Në ndonjë rast kemi shpëtuar mrekullisht nga plumbat e këtyre të shtënave.

Keni shkëmbyer zjarr me grupin e armatosur? Shumë banorë ankohen se policia po u qëllon shtëpitë...

Në disa raste është qëlluar në ajër, por në disa raste është qëlluar edhe në drejtimin tonë, drejtpërdrejt. Ne kemi qëlluar në të gjitha rastet në ajër. Nuk kemi shkëmbyer zjarr me ta. Jemi munduar të mos reagojmë, të mos qëllojmë drejtpërdrejt ndaj njerëzve për të shmangur dëmet ndaj tyre, por edhe ndaj njerëzve të tjerë që mund jenë të pafajshëm. Por na ka ndihmuar edhe fati, sepse nuk kemi pasur raste të shkëmbimit të zjarrit nga afër.

Si keni hyrë në fshat ?

Fillimisht RENEA, pastaj grupet e tjera në mbështetje. Kemi hyrë, kemi bërë kontrolle, kemi nxjerrë ato që kemi gjetur; armë, municione, fishekë, më pas jemi futur sërish. Në këtë formë kemi hyrë dhe dalë disa herë nga fshati.

Po banorët e fshatit si kanë reaguar në shtëpitë që ju keni kontrolluar?

Nuk ka pasur njerëz nëpër banesa kur ne kemi shkuar. Banorët thuajse kanë braktisur fshatin. Them për ato banesa ku ne kemi hyrë dhe kemi gjetur armë. Ne kemi hyrë në fshat duke ngushtuar rrethimin dhe presionin, kemi hyrë kështu shtëpi më shtëpi. Ndërsa banorët janë larguar. Në këtë mënyrë kemi hyrë në fshat dhe kemi bllokuar armët, municionin dhe lëndën narkotike.

 

 

7

Persona janë arrestuar dje nga policia e Gjirokastrës për ngjarjet e ndodhura në fshatin e Lazaratit. Fillimisht u dorëzuan në polici 6 vetë dhe në mbrëmje u vetëdorëzua edhe Gate Mahmutaj

 

3

Persona kanë mbetur të plagosur nga shkëmbimi i zjarrit mes trafikantëve dhe policisë në Lazarat. Një punonjës i policisë është plagosur në dorë dhe në këmbë. Gjithashtu janë plagosur edhe dy punëtorë

 

 

800

Forca speciale ndodhen prej tri ditësh në Lazarat, në përpjekje për të marrë nën kontroll fshatin rebel. Deri tani janë sekuestruar armë, mijëra rrënjë kanabis dhe një laborator droge

 

Dorëzohen në polici 6 të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarëve

 
Përfaqësuesja për median e OSBE: Dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme. Policia arreston 6 banorët e Lazaratit

 

Policia njoftoi dje se janë arrestuar 6 persona të akuzuar për sulmin ndaj gazetarëve të “A1 Report”. Ata janë Matjas Bocia, 23 vjeç, Florian Shurdhi, 29 vjeç, Juxhin Boçia, 19 vjeç, Xhevahir Doçi, 29 vjeç, Ali Basha, vjeç 46 dhe Emiljano Aliko, 31 vjeç, banues në Lazarat të  Gjirokastrës. Këta persona janë vetëdorëzuar dje në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës, ku kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me sulmin me armë ndaj grupit të xhirimit të drejtuar nga gazetari Gerti Xhaja. Por policia ka vendosur arrestimin e tyre, pasi konstatoi se ka mospërputhje mes deklarimeve të të dyshuarve dhe dëshmive nga vendi i ngjarjes. Gjashtë personat e mësipërm kanë qenë të parët që u dorëzuan pas përballjes së armatosur në Lazarat. Menjëherë pas arrestimit policia deklaroi se gjashtë të dyshuarit së bashku me persona të tjerë janë autorë të dyshuar të sulmit me armë ndaj forcave të policisë në datat 15 dhe 16 qershor, në momentin që këto forca po zhvillonin operacionin policor për identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike dhe asgjësimin e tyre. Ata akuzohen edhe për sulmin ndaj gazetarëve të “A1 Report”. Po dje pasdite policia arrestoi një tjetër të ri nga Lazarati, që dyshohet se ka marrë pjesë në sulmin e armatosur ndaj forcave të rendit. Policia e Gjirokastrës deklaroi se paralelisht me operacionin vazhdon edhe hetimi për të implikuarit në ngjarjet e Lazaratit. Për sulmin ndaj grupit të xhirimit ndaj “A1 Report” kanë reaguar dje organizatat për mbrojtjen e gazetarëve, por edhe përfaqësuesja për lirinë e medias e OSBE, Dunja Mijatovic. “Dhuna kundër gazetarëve është e papranueshme, siguria është parakusht bazik për punën e tyre”, – tha Mijatovic.

 
Ambasada e SHBA: Mbështesim policinë, të mos ketë viktima!

 

Ambasada amerikane në Tiranë mbështeti dje operacionin e policisë ndaj kultivuesve të hashashit në Lazarat. Përmes një deklarate për mediat, ambasada e SHBA-së shpreh mbështetjen e saj ndaj oficerëve ligjzbatues shqiptarë për këtë operacion. Ambasada e SHBA-së thekson nevojën që të merren masat paraprake për të shmangur viktima, ndërsa bën thirrje që autorët e veprimtarive kriminale të ndiqen penalisht dhe të marrin dënimin e duhur. “Ambasada e SHBA-së mbështet fort përpjekjet e oficerëve ligjzbatues shqiptarë për trajtuar çështjen e kultivimit të jashtëligjshëm kronik të kanabisit në zonën e Lazaratit. Shpresojmë të merret çdo masë paraprake për të shmangur viktima dhe bëjmë thirrje që autorët e veprimtarive kriminale të ndiqen penalisht me të gjithë fuqinë e ligjit dhe të dënohen në mënyrë të përshtatshme. Po ashtu, dënojmë dhunën e drejtuar kundër zyrtarëve ligjzbatues dhe gazetarëve”,- thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane. Po dje policia ka përsëritur thirrjet për dorëzimin e personave të armatosur. “Polica e Shtetit u bën thirrje personave të armatosur që të dorëzojnë armët e të vihen në dispozicion të policisë, pasi policia është e vendosur në përmbushjen e misionit të saj dhe nuk do të mund t’i shpëtojnë përballjes me forcën e ligjit”, – thuhet në një komunikatë. “Çdo kundërshtim dhe qëndresë me armë vetëm sa rëndon pozitën ligjore, duke u bërë dhe shkak i pasojave që Policia e Shtetit deri tani është munduar të parandalojë”, paralajmërohet në të.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama