Polici mat me sy shpejtesine Tahiri pergezon denoncuesin

Polici mat me sy shpejtesine, Tahiri pergezon denoncuesin

Denoncimi i radhës nga një qytetar “vë në siklet” policinë rrugore, pasi një drejtues mjeti “zë mat” rrugorin, të cilit i mëson punën. Kjo ngjarje solli reagimin e ministrit të Brendshëm, i cili falënderoi qytetarin dhe kërkoi më tepër denoncime të rasteve të tilla, për të mos lejuar abuzimet.

 

Prej pak kohësh, në rrjetin social “Facebook” ka nisur të qarkullojë me shpejtësi një video-regjistrim, ku shfaqen një qytetar dhe një efektiv i Policisë Rrugore që debatojnë për Kodin Rrugor. Efektivi i Policisë ka ndaluar qytetarin dhe kërkon ta gjobisë për tejkalim shpejtësie. I gjithë debati është regjistruar nga një kamera amatore nga ana e qytetarit, i cili i kërkon efektivit të policisë mbi ç’bazë po e gjobit. Polici rrugor i kujton nenin 140, pika 2 të Kodit për tejkalim shpejtësie, ndërkohë që nuk kishte asnjë matës shpejtësie të përcaktuar nga neni 140, pika 6 e Kodit.

 

I zënë mat nga qytetari që i përmend këtë pikë të nenit 140, efektivi i Policisë Rrugore thotë se si matës përdori “sytë e tij”. Debati vijon për pak minuta dhe në fund rrugori duket se dorëzohet, pasi nuk kishte asnjë mjet ligjor për ta mbajtur më gjatë qytetarin. Kjo video dhe denoncimi i qytetarit është përshëndetur edhe nga vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tahiri falënderon qytetarin dhe nxit çdo qytetar tjetër që të denoncojnë abuzimet e efektivëve të policisë. Më tej, Tahiri këshillon drejtuesit e mjeteve që të blejnë kamera të vogla që kushtojnë vetëm 30 euro, për të regjistruar abuzimet.

 

Në postimin e tij në Facebook, Tahiri shkruante se “kjo është forca jonë! Të bëhemi bashkë me qytetarët për të mos pranuar modelin e abuzimit. Sa më shumë denoncime të tilla, aq më e lehtë për të shmangur abuzimin. Ndaj po reformojmë Policinë, ndaj kemi ngritur Akademinë e Sigurisë si institucion i arsimit të lartë, ndaj po investojmë për kamerat e trupit për çdo punonjës policie, por mbi të gjitha, ndaj kërkojmë kontributin e çdo qytetari”. Me dhjetëra rrugorë janë denoncuar nga qytetarët për shkelje në punë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama