Personi që flet, është A.M., banor i Tiranës, punonjës në një kompani të madhe të kryeqytetit. Denoncimi i tij lidhur me gjobat e vendosura nga policia rrugore mbështetet edhe nga të tjerë. “Kam marrë një gjobë për tejkalim shpejtësie”, thotë Berti, i cili zotëron një “fast-food”. Lëre që e mora vesh shumë vonë se kisha marrë një gjobë të tillë, por rezultonte se këtë gjobë e kisha marrë ndërsa ikja në Durrës. Deri këtu s’ka asgjë të çuditshme. Thjesht dita dhe ora e gjobës më bëjnë të mendoj se është abuzuar. Është shënuar që e kam tejkaluar shpejtësinë ditën e hënë, në orën 11:00. Në këtë kohë unë jam në punë dhe e kam të pamundur të largohem, sepse nuk ka kush të më zëvendësojë. Ky është abuzim”.
Të flasësh për vënien e gjobave në Tiranë, duket se është si të flasësh për hedhjen e plehrave rrugës. “Ata e kanë me normë. Thjesht duhet ta plotësojnë atë dhe vendosin gjoba nga më të ndryshmet, – thotë A.M. – Çdo polici i duhet që të gjobisë në një numër të caktuar, dhe e hamë ne. Për më tepër, as nuk na njoftojnë në kohën e duhur, çka na bën që gjobat t’i paguajmë me kamatë dhe vetëm atëherë kur na ka ndaluar polici rrugor dhe ka bërë një verifikim të targave, duke na lajmëruar se kemi gjoba”.
Policia: Edhe mund të gabojmë
Për këtë çështje, drejtori i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit, drejtues Vullnet Topalli, tha për “Shekullin” se nuk përjashtohet mundësia që të ketë raste të vendosjes së gjobave në mënyrë të gabuar nga punonjësit e policisë rrugore. Por ai u shpreh i gatshëm për të verifikuar çdo rast që drejtuesit e mjeteve pretendojnë se janë gjobitur padrejtësisht nga policët rrugorë. Topalli tha se në rastet kur drejtuesit e mjeteve kanë pretendime për vendosje të gjobave në mënyrë të padrejtë apo kur pretendojnë se nuk kanë udhëtuar në akset rrugore ku pretendohet të jetë vënë gjoba, ata duhet të bëjnë një ankesë pranë Drejtorisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Megjithatë, ai shtoi se me shumë mundësi raste të tilla mund të jenë lapsuse apo gabime gjatë shkrimit të gjobave sesa veprime të qëllimshme. “Çdo drejtues mjeti që pretendon se i është vënë gjoba në mënyrë të parregullt dhe se i është vënë në një rast të tillë kur ai nuk ka udhëtuar në një aks rrugor, ku pretendon e nuk ka qenë duhe të bëjë një ankesë me shkrim pranë nesh dhe ajo do të trajtohet me përparësi”, tha Topalli, duke vijuar se, nëse ka një argumentim të saktë nga drejtuesi i mjetit, ajo gjobë mund të anulohet dhe të bëhet e pavlefshme.
Gjobë e gabuar? Vërtetoje!
Ndërkohë, një gabim i tillë në gjoba pohohet edhe nga drejtuesit lokalë të policisë rrugore. Ata thonë se gabime të tilla vijnë kur efektivë të policisë ngatërrojnë gërmat e targave apo shifrat e tyre duke ia adresuar gjobën një mjeti tjetër në vend të shkelësit real. Por, sipas tyre, në këtë rast drejtuesi i mjetit duhet të jetë i aftë të argumentojë apo edhe të provojë se nuk ka udhëtuar në një segment rrugor ku ai është gjobitur nga efektivët e policisë rrugore. “Shumë drejtuesh mjetesh mund të ngrenë pretendime të tilla për shkaqe të ndryshme. Nuk përjashtohet mundësia që një gjobë të jetë vënë gabim, të ketë qenë një lapsus apo të jetë shkruar ndonjë gërmë apo numër gabim”, thotë një drejtues i policisë rrugore të Tiranës që kërkon të mos identifikohet.
Ky oficer mohon mundësinë që gjoba apo sanksione të tilla ndaj drejtuesve të mjeteve të jenë të qëllimshme. Më tej ai pohon se në dinamikën e saj të përditshme policia rrugore gjen aq shumë shkelje që duhen ndëshkuar, saqë një polic nuk mund të gjejë kohë të merret me gjoba të vëna në mënyrë të qëllimshme ndaj mjeteve të ndryshme bazuar vetëm në një moment që një polic mund të mendojë për të realizuar normën e gjobave.
30 ditë është afati që policia rrugore të njoftojë dikë se ka marrë gjobë. Në rast se brenda kësaj kohe shoferi nuk është njoftuar, atëherë, sipas ligjit, kjo gjobë është automatikisht e anuluar