Punonjësi i policisë së qarkullimit rrugor, Tonin Qepuri, ka vënë jetën tij në rrezik, duke ndjekur vrasësit që ekzekutuan Artan Santon. Pavarësisht se ata i kanë drejtuar armën, Qepuri ka vendosur që t’i ndjekë me motorin e policisë. Ndjekja ka zgjatur deri në zonën e Liqenit të Thatë, në periferi të Tiranës, por më pas vrasësit i janë zhdukur nga sytë. Ai thotë se gjithçka ndodhi brenda 60 sekondave dhe nuk ka pasur kohë që të bisedojë me askënd prej tyre, as me vrasësit dhe as me viktimën. “Unë di se si kam shpëtuar. Më ndihmoi Zoti dhe akoma nuk e kam marrë veten pas asaj që ndodhi. Ata më drejtuan armën dhe unë u shmanga për një moment!”, – e nis rrëfimin Qepuri.
Në një intervistë për gazetën Shqip, ai ka dhënë detaje të asaj që ka ndodhur mëngjesin e së enjtes. Është shumë i rezervuar në ato që thotë, por pavarësisht kësaj, efektivi i policisë, pas një këmbënguljeje të gjatë, pranon të flasë. Sipas tij, mëngjesi i 26 qershorit 2014, ka nisur si një ditë normale pune. Ai ka qenë duke drejtuar lëvizjen e mjeteve, në zemër të zonës së Bllokut, më konkretisht në kryqëzimin pranë Bankës “Credins”. Sipas Qepurit, motori i autorëve nuk ka qëndruar në zonën ku ai patrullonte më shumë se një minutë dhe si pasojë e kësaj, nuk ka pasur mundësi që të flasë me ta.
A mund të më përshkruani se çfarë ndodhi atë mëngjes?
Nuk kam shumë dëshirë që të flas. Madje nuk ia vlen që të flasësh, pasi gjithçka ka kaluar tashmë. Unë jam i tronditur pasi jeta m’u vu në rrezik. M’u desh të shmangesha për disa momente, në mënyrë që të shpëtoja. Ata më drejtuan armën, por falë Zotit, shpëtova.
Folët me vrasësit?
Jo, nuk kam folur. Nuk është i vërtetë një informacion i tillë. Vrasësit nuk kanë biseduar me askënd. As me viktimën, as me mua, e as me njeri tjetër. Ata kanë qenë me skafandra dhe askush nuk i ka parë e askush nuk ka komunikuar me ta. E gjithë ngjarja ka qenë një fragment prej 60 sekondash. Aq ka qenë e gjitha. Ata kanë zbritur nga motori, kanë qëlluar mbi z. Santo dhe janë larguar. Kaq ka qenë e gjithë skena e krimit.
Nuk e vutë re që motori kishte ndaluar pranë kryqëzimit?
Jo. Nuk kam pasur shanse që të flas me ata. As makinën nuk kam mundur që ta parandaloj që të parkohet aty ku u parkua, sepse isha në lëvizje në atë moment. Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe për më tepër, unë kam qenë duke kryer punën në normalizimin e qarkullimit rrugor. Nuk kam pasur kohë që të ndaloj apo komunikoj me të dyja palët, sepse isha pak larg nga ajo që do të ndodhte.
I ndoqët vrasësit?
Po. Normal që i ndoqa. Kush do t’i ndiqte ata?! Të vdekurit do t’i ndiqnin. I hipa motorit dhe u shkova nga pas deri në një moment të caktuar.
Si ju humbën nga sytë?
Unë i ndoqa me motor deri te Liqeni i Thatë. Aty tek zona e nënkalimit, m’u zhdukën. Më ikën nga sytë pastaj. Nuk arrita të kuptoj se çfarë drejtimi morën. Kontrollova në të gjithë zonën përreth, por nuk pashë asnjë lëvizje. Nuk di të them më se çfarë ndodhi më tutje.
60 sekonda
E gjithë ngjarja ka qenë një fragment prej 60 sekondash. Aq ka qenë e gjitha. Ata kanë zbritur nga motori, kanë qëlluar mbi z. Santo dhe janë larguar. Kaq ka qenë e gjithë skena e krimit
Ndjekja
Unë i ndoqa me motor deri te Liqeni i Thatë. Aty te zona e nënkalimit, m’u zhdukën. Më ikën nga sytë pastaj. Nuk arrita të kuptoj se çfarë drejtimi morën, kontrollova po nuk i gjeta