Në makinën e biznesmenit të ndjerë Artan Santo, në derën pasme dallohet shenja e goditjes nga një plumb. Sipas burimeve nga policia, autorët të cilët kishin mbërritur pranë bankës nga krahu i kryeministrisë dhe kryesisë së Kuvendit, kanë qëlluar fillimisht në drejtim të makinës së parkuar ndërsa Santo kishte zbritur prej saj.
Në tentativë për t’i shpëtuar plumbave të ekzekutimit, biznesmeni ka nxituar të futet në ambjentet e brendshme të bankës, ku dhe siguria është e lartë. Por fatkeqësisht nuk ka mundur t’ia dalë dot, teksa atentatorët e kanë qëlluar për vdekje me një plumb pistolete në kokë, në trotuarin vetëm pak hapa larg Bankës Credins.
LISTA E TË DYSHUARVE TË POLICISË
Policia ka listuar dy emra dhe ka dy fotot e personave që dyshohen për atentatin ndaj biznesmenit Artan Santo. Sipas policisë këta persona janë me banim në Fushë-Krujë, ndaj dhe drejt këtij qyteti janë nisur një grup i Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe sektori i krimeve të Rënda. 80 oficerë janë në terren duke u marrë me provat material dhe shoqërimet e personave, dëshmitarë në vendngjarje.
DESHMITARJA: SANTO ISHTE VETËM
Një luleshitëse në trotuarin përballë bankës Credins ku u ekzekutua biznesmeni Artan Santo, rrëfen se e pa të ndjerin Santo t’i drejtohej bankës ashtu siç bënte çdo mëngjes. Ajo tregon se 58-vjeçari ishte i vetëm, dhe se pranë tij, në kabinën në hyrje të bankës ndodhej roja i sigurisë.
OFICERI I POLICISË RRUGORE I NDALOI PARA ATENTATIT AUTORËT ME MOTOR
Një oficer i Policisë rrugore është ndeshur me dy autorët e ekzekutimit të biznesmenit Artan Santo, vetëm pak momente para se të kryenin vrasjen. Polici rrugor i është afruar motorit para ngjarje, pasi ishte parkuar në një vend që nuk lejohej, në krah të trotuarit pranë Bankës Credins, ku ndodhet dhe tabela e ndalimit të qarkullimit të automjeteve. Më tej pas këtij momenti autorët kanë kryer atentatin vdekjeprurës ndaj të ndjerit Santo. Oficeri i policisë e ka pasur të pamundur të ndeshet me autorët në kushtet kur ata ishin të armatosur, por ka dhënë menjëherë drejtimin e zutorëve. Dyshohet se ata janë nisur rreth zonës së Selitës, më tej në Kamëz dhe dyshohet se destinacioni i tyre final të jetë Fushë-Kruja.
POLICIA NIS HETIMIN PËR NGJARJEN
Rreth orës 11:10 Policia e Tiranës ka sjellë njoftimin e parë zyrtar në lidhje me ekzekutimin e dretjorit të bankës Credins. Artan Santo.
- “Ditën e sotme rreth orës 09.30 është vrarë me armë zjarri shtetasi Artan Santo, 58 vjeç, me detyrë Drejtori i Përgjithshëm i një banke të nivelit të dytë. Aktualisht grupi hetimor po kryen veprimet e para hetimore dhe proceduriale për të zbardhur tërësisht këtë ngjarje me synim identifikimin dhe kapjen e autorëve”.