Policia aksion antikanabis ne te gjithe vendin fshati Lazarat mbetet i paprekshem

Policia, aksion antikanabis ne te gjithe vendin, fshati Lazarat mbetet i paprekshem

Policia ka ndërmarrë një operacion të gjerë antikanabis në të gjithë vendin, por ashtu si çdo vit, edhe sivjet, ende nuk ka një plan të ditur për ndërhyrje në Lazarat. Këtë vit, policia mësohet se ka marra masa më të forta kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, duke futur në grupet e punës edhe forcat speciale të FNSH-së dhe të RENEA-s, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit ka bërë katër goditje në Gjirokastër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë, megjithëse vendi kryesor i kultivimit të lëndëve narkotike në vendin tonë mbetet “i paprekshëm”.

 

Lazarati, ende i paprekshëm

 

Policia, prej vitesh, ka një strategji që nis përgatitjen e saj në muajin shkurt, ndërkohë që në muajin mars dhe deri në qershor e shtrin në terren. Bëhet fjalë pikërisht për strategjinë për sensibilizimin e qytetarëve kundër kultivimit të lëndëve narkotike dhe në goditjen e rasteve të zbuluara. Madje, çdo vit thuhet se po thuren plane dhe po negociohet me faktorë të ndryshëm për ndërhyrje në Lazarat, fshati që ka mbetur si “njollë e zezë” e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, tashmë e njohur për kanabisin e saj. Por, këto fushata, kanë mbaruar dhe asnjëherë nuk është ndërhyrë brenda në fshat. Edhe sivjet, prej disa javësh, policia ka nisur negociatat me banorët e zonës dhe aktorët vendorë për të minimizuar këtë fenomen. Në këtë frymë edhe dy zëvendësdrejtorët e përgjithshëm të policisë kanë kaluar një fundjavë në Lazarat, për të cilën, njëri prej tyre tha se kishte hyrë lirisht në fshat dhe nuk kishte parë asnjë bimë kanabis. Policia organizoi edhe një ndeshje minifutbolli me banorët, me të cilët humbi me rezultatin 2 me 1, por ama kur vjen koha për të ndërhyrë dhe për të kontrolluar territorin e fshatit për kultivim kanabisi, ashtu siç ndërhyn në çdo zonë të Shqipërisë, sado e thellë qoftë ajo, çalon puna. Nëse fshati është pastruar plotësisht nga kultivimi i bimës narkotike, apo policia ndihet e frikësuar për të ndërhyrë, është një çështje që ende nuk ka marrë një përgjigje, por i rëndësishëm mbetet fakti se edhe sivjet janë të shumta gjasat që kultivuesit e drogës në Lazarat të vazhdojnë të bëjnë atë që dinë më mirë dhe që e ushtrojnë prej vitesh. Policia duket se ende po studion strategjinë për ndërhyrje, por duket se edhe sivjet, hashashi do të korret me sukses dhe lufta ndaj tij do të vijojë me postblloqe jashtë fshatit për parandalimin e trafikimit drejt vendeve të tjera. Por, zyrtarisht, policia tha se do të vijojë kontrollet në të gjithë vendin tonë, pjesë e të cilit është edhe Lazarati.

 

Katër operacione në katër qytete

 

Megjithatë, policia ka vijuar goditjet në zonat e tjera të vendit, duke e “harruar” për këtë kohë Lazaratin dhe gjatë 24 orëve, në katër qarqe ka realizuar katër operacione, pikërisht në Tiranë, Durrës, Gjirokastër dhe Lezhë, nga të cilat janë sekuestruar 218 kg kanabis, janë asgjësuar 3.898 rrënjë kanabis dhe janë arrestuar katër persona. Policia tha se në Durrës, në port, është arrestuar Mustafa Hasani, 54 vjeç, të cilit, gjatë kontrollit të ushtruar në kamionin “Benz” me targë AA419IX, iu gjetën 165.7 kg lëndë narkotike. Lënda narkotike ishte fshehur në gomat e këtij kamioni. Ky person po tentonte ta trafikonte sasinë e lëndës narkotike në drejtim të Italisë. Ndërsa në Tiranë u zhvillua operacioni “Mobilieri”, nga i cili u arrestuan Nard Deliu, 29 vjeç, dhe Hysen Hysa, 60 vjeç. Në mjetin e tyre, me targë AA710 GH, u gjet e fshehur sasia prej 52.3 kg kanabis, e ndarë në 10 pako. Ata mësohet se e tregtonin hashashin në zona të kryeqytetit

 

Në kuadër të planit të masave kundër kultivimit të bimëve narkotike, në të gjithë vendin po vazhdon kontrolli i territorit për identifikimin dhe asgjësimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike. Në këtë kontekst, efektivët e Komisariatit të Tepelenës zhvilluan operacionin e koduar “Derveni”, në fshatin Gusmar të Kurveleshit të Tepelenës. Si rezultat i këtij operacioni, në Derven u gjet dhe u shkatërrua një serë me 3500 fidanë kanabis, të vendosur në gota plastike, të cilat do të kultivoheshin në këtë zonë, ku dhe territori ishte punuar, duke hapur 3.500 gropa për mbjelljen e tyre. Gjithashtu ishin hapur edhe dy rezervate uji dhe ishin shtrirë rreth 1000 metra tub plastik. Po ashtu, në fshatin Krajen të Komunës së Blinishtit të Lezhës, janë identifikuar 4 parcela të ndryshme në një zonë të pyllëzuar, ku u gjetën 398 rrënjë kanabis. Policia tha se për posedimin e këtyre parcelave u arrestua Gjergj Brunga, 68 vjeç, banues në Lezhë. Strukturat e Policisë së Shtetit thanë se do të vijojnë masat dhe kontrollet në të gjithë territorin e vendit për goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve.

 

Specialistët

“Ushtria, e vetmja zgjidhje për Lazaratin”

Specialistët e policisë janë shprehur gjithmonë se ndërhyrja në Lazarat është e rrezikshme. Sipas informacioneve të tyre, atje kultivohet kanabis nga shumë persona dhe në territor fshihen persona të shumëkërkuar të drejtësisë. Por, nëse ndërhyhet, ata janë gati të kundërshtojnë me armë luftarake, ndërkohë që e vetmja rrugë për të depërtuar në zemër të fshatit, është në disfavor të policisë, kur pritet që do të ketë kundërshtime me armë. Pra, kundër shtetit është edhe vetë territori, ku shtrihet zona famëkeqe. Në këto kushte, punonjës policie, të cilët e njohin shumë mirë situatën, janë shprehur më parë se e vetmja zgjidhje mbetet ajo e futjes së ushtrisë. Kjo, jo për arsyen e pazotësisë policore, por për faktin se mund të ketë pasoja më të rënda në njerëz sesa në rastin e forcës ushtarake. Megjithatë, kjo mundësi është hedhur poshtë nga ministri Tahiri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama