“Policia greke i ka qëlluar e para”
Familjarët: S’ishin trafikantë, peshkonin për bukën e gojës
Kushërira e vëllezërve Çollaku: Policia na pyeti se kush mungonte në fshat.
Drama e varfërisë ka hapur dyert e mortit për një familje në fshatin Shuec të Devollit. Dy vëllezër, 34 dhe 28 vjeç, mbetën viktima pasi peshkonin në ujërat greke të liqenit të Prespës së Vogël. Fenomeni që për banorët e zonës është e vetmja mënyrë mbijetese, ka rezultuar fatal për një nënë, për dy bashkëshorte dhe për 4 fëmijë të mitur. Dy vëllezërit Melsi dhe Klevis Çollaku, jetesa e të cilëve përkufizohet me varfërinë e skajshme në një shtëpi tejet të amortizuar, kishin dalë për të peshkuar. Të afërmit e viktimave në fshatin Shuec tregojnë se dy vëllezërit nuk kishin lidhje me asnjë lloj trafiku. Valentina Bode tregon se vëllezërit, prindër të dy fëmijëve, dilnin gjithmonë për peshkim në ujërat greke, pasi pjesa shqiptare e Prespës së Vogël është mbuluar nga bimësia. Me vete ata mbanin edhe çiften për gjueti shpendësh. Sipas Bodes, baballarët e 4 fëmijëve ishin njerëz që përpiqeshin të siguronin të ardhura për familjen e tyre, ndërkohë që 4 vite më parë kishin humbur dhe babain.
Ju si i njihnit dy vëllezërit Melsi dhe Klevis Çollaku?
Ishin dy djem të shkëlqyer, i ndodheshin gjithkujt që kishte nevojë. Asnjëherë nuk kanë qenë dashakeqë dhe shihnin punën e tyre. Dua ta them hapur që askush të mos guxojë të hedhë baltë mbi ta, ishin dy djem, prindër dhe bashkëshortë të mirë, të cilët nuk ishin ngatërruar me asnjë pisllëk.
Me se merreshin ata?
Fshati është i vogël dhe ne lidhemi të gjithë njëri me tjetrin. Të dy dilnin shpesh për peshkim dhe tek-tuk bënin edhe ndonjë servis elektroshtëpiakësh. Melsi dinte pak më tepër, ndaj edhe shpesh e thërrisnim që na rregullonte ndonjë gjë.
Pse dilnin për të peshkuar në ujërat greke?
Se këtu në majë të malit nuk ke çfarë të bësh tjetër. Kishin nga dy fëmijë secili dhe duhet t’i rritnin. Liqeni në pjesën tonë është i mbushur me kallama, s’ka zgjidhje tjetër. S’e bënin vetëm ata, të gjithë e bëjnë këtë punë se duan të jetojnë. Ata kishin nisur të ndërtonin edhe shtëpinë, sepse e tyrja po u binte, por me këtë varfëri nuk është e lehtë të ndërtosh shtëpi.
Sa shpesh shkonin për të peshkuar?
Tani në dhjetor shkonin më shpesh. Është muaji kur mund të kapësh pak më tepër peshk, por edhe për shkak të dimrit dhe errësirës i shmangesh më lehtë policisë greke. Nuk ka afat ose kufi ditor, të gjithë përpiqen sa herë u jepet mundësia. Shkonin një natë edhe ktheheshin. Hidhnin rrjetat dhe prisnin në mes të këtij të ftohti që të kapnin peshk, por këtë herë s’do kthehen.
Ju si e mësuat lajmin?
Nga policia që nisi të pyesë nëse kishte banorë të zonës që mungonin dhe pastaj doli edhe në televizor ajo që kishte ndodhur. U shokuam të gjithë, kjo që kishte ndodhur nuk mund të besohej.
Kujtimi juaj i fundit me djemtë, cili është?
Me Melsin bëja shpesh shaka, por njëra prej atyre fjalëve do më mbetet peng. Kam pasur disa probleme shëndetësore dhe ai më thoshte: “Do të ta pi kafenë”, por ndodhi e kundërta, unë nuk arrij ta besoj që ata janë vrarë.
Policia greke ka hedhur dyshime për trafik lëndësh narkotike, ju ç’mund të thoni?
Policia greke i vrau djemtë, u mori jetën për arsye që i di vetëm ajo. Nuk e besoj që ata kanë qëlluar të parët dhe as që kanë vrarë një polic. Fakti është ky, policia qëlloi ndaj dy njerëzve të pafajshëm. I vrau, u la fëmijët jetimë. Fjalët dhe spekulimet s’kanë vend. Të gjithë e dimë që ata nuk janë trafikantë, por që shkuan atje për bukën e gojës, se jetonin dhjetë frymë në një kasolle. Të ishin trafikantë sot do kishte luks e jo mjerim në shtëpinë e tyre.