Policia ka dhënë informacione paraprake për atë që ka ndodhur në Lazarat. Sipas saj, gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme, një grup personash të armatosur kanë qëlluar ndaj policisë.
Për këtë arsye, mëngjesin e sotëm ka nisur një aksion për kapjen e tyre. Por, në këtë aksion është vrarë efektivi Ibrahim Basha dhe janë plagosur dy të tjerë.
“Gjatë natës së kaluar, një grup personash të armatosur ka qëlluar me armë në drejtim të shërbimeve të Policisë së Shtetit që kryejnë shërbim në fshatin Lazarat, në Gjirokastër.
Herët në mëngjes, policia lokale, FNSH dhe RENEA kanë filluar një operacion për kapjen e personave që kishin qëlluar me armë.
Gjatë operacionit, në momentin që policia kishte bllokuar makinën me autorët e dyshuar e të armatosur, është qëlluar mbi efektivat nga një banesë aty pranë.
Për pasojë ka humbur jetën efektivi i forcave speciale RENEA, Ibrahim Basha.
Gjithashtu nga sulmi i personave të armatosur, janë plagosur edhe 2 policë të RENEA-s, me iniciale J.I. dhe P.H., të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore dhe jashtë rrezikut për jetën.
Drejt Lazaratit janë nisur forca të shumta policore, si edhe Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako”, thuhet në një reagim të policisë.