Policia largon nga rruga te miturit i dergon ne qendra sociale dhe nis verifikimet

Policia largon nga rruga te miturit, i dergon ne qendra sociale dhe nis verifikimet

Largohen nga rrugët fëmijët që lypnin të droguar dhe në gjumë në zonat më të populluara të Tiranës, një ditë pas denoncimit publik të gazetës Shqip. Policia e Tiranës ka ndërhyrë mëngjesin e djeshëm në zonën e ish-Bllokut dhe të Parkut Rinia, duke shoqëruar në qendrat e kujdesit social të miturit, ndërsa ka “qortuar” edhe prindërit, të cilët ishin shfrytëzuesit më të mëdhenj të fëmijëve të grupmoshës nga 0-5 vjeç. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës pohuan për gazetën se këta fëmijë do të qëndrojnë në qendrat e kujdesit social, deri në marrjen e një vendimi për nisjen e procedimit penal apo jo për prindërit apo persona të tjerë, që mund t’i kenë shfrytëzuar në rrugë për të lypur. Sipas një marrëveshjeje të Ministrisë së Punës dhe Ministrisë së Brendshme, nëse konstatohej se fëmijët ishin në rrezik, atëherë ata do të strehoheshin në qendrat e njësive vendore, deri në hartimin e dokumenteve për nisjen e ndonjë procedimi penal. Deri më tani, shumë pak raste janë referuar në prokurori për shfrytëzim fëmijësh, të cilët gjendeshin fare kollaj në të gjitha rrugët e Tiranës, duke lypur në… “gjumë”. Burimet nga policia pohojnë se janë duke verifikuar denoncimin publik të gazetës Shqip bashkë me disa institucione të tjera qendrore apo vendore. Në këto raste, sipas policisë, duhet një hetim i plotë dhe i gjerë, ku në radhë të parë fëmijët të sistemoheshin në qendrat e kujdesit social dhe më pas t’u nënshtroheshin ekzaminimeve mjekësore, për të konstatuar nëse u ishte dhënë drogë apo alkool që të flinin.

 

Vëzhgimi

Gazeta ka vëzhguar sërish në rrugët kryesore të Tiranës, konkretisht në vendet ku flinin të miturit dy ditë më parë, për të parë nëse institucionet kishin marrë ndonjë masë, qoftë edhe për sistemimin e tyre në qendrat e përkujdesjes. Në zonën e parkut Rinia, afër qendrës së kryeqytetit, nëna me krahun e majtë të fashuar, të cilën e kemi fotografuar dy ditë më parë, nuk ndodhej në këtë vend. Më pas shkojmë në afërsi të Urës së Lanës, pranë “Shallvareve”, aty ky qëndronte një fëmijë i shtrirë me faqe të kuqe. Por, rruga ishte e pastër, dhe vogëlushi nuk kishte dalë në “punë” për të lypur. Më pas, vëzhgojmë zonën e Bllokut, aty ku javën e fundit, kishte dhjetëra fëmijë që lypnin në “gjumë”. Gruaja që deri pasditen e së martës, kishte dalë për të lypur me dy të mitur, një vajzë dhe një djalë, rreth dy dhe një vjeç, nuk ndodhej në vendin ku ishte fotografuar. Të martën, kjo grua, në momentin që pa aparatin fotografik, reagoi ashpër, ndoshta duke nuhatur diçka. Ajo u bë agresive dhe filloi fyerjet, megjithëse nuk ndërmori ndonjë sulm fizik. Një shitëse ambulante që ndodhet pranë vendit ku qëndronte gruaja me të miturit, thotë se nuk e kishte parë ditën e mërkurë. “Sot (dje) nuk e kam parë që të lypë. Ajo dilte çdo ditë, por sot (dje) nuk e di se përse nuk ndodhet aty. Sa keq që më vjen për ata fëmijët, të cilët dimër dhe verë dalin në mes të rrugës, për të lypur. Njërin prej tyre, çdo ditë e shoh vetëm në gjumë. Habitem se si ai fle vetëm gjumë. Diçka i bën ajo, që fëmija ndodhet në atë gjendje”, pohon shitësja. Ndërkohë, në rrugën që të nxjerr në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, afër Kryeministrisë, interesohemi për të parë nëse fëmija, i cili ishte mbuluar me batanijen ngjyrë blu dhe trëndafila rozë, kishte dalë në “punë”. Por, sërish në vendin ku e kishim fotografuar dy apo tri ditë më parë, vogëlushi nuk ndodhej.

 

Verifikimet e policisë

Gazeta ka pyetur edhe për masat e mundshme të Policisë së Tiranës, për këta fëmijë të mitur, që qëndrojnë në zonat më të populluara të kryeqytetit, në “gjumë”. Sipas burimeve zyrtare, së shpejti pritet që të nisë një procedim penal për prindërit që nxjerrin për lypje fëmijët e tyre. Zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini, thotë se mëngjesin e djeshëm është bërë një aksion për largimin e vogëlushëve nga rruga. “Dje kemi bërë një aksion për largimin e fëmijëve nga rruga. Ata janë dërguar në qendra sociale, në mënyrë që të integrohen. Për sa u përket prindërve, atyre u është bërë një qortim nga ana e policisë. Shqetësimi i ngritur është shumë i madh dhe do të bëjmë të pamundurën për zhdukjen e fenomenit të abuzimit të fëmijëve, nga ana e prindërve apo personave që kanë kujdestarinë e tyre”, shprehet Katragjini. Gjithashtu, mësohet se së shpejti do të nisin hetimet, për identifikimin e prindërve abuzues. Policia, së bashku me prokurorinë, shoqatat në mbrojtje të fëmijëve dhe me sektorin e antidrogës, do të bashkëpunojnë ndërmjet tyre, për të pasur rezultate sa më konkrete. Gjatë këtyre ditëve, pritet që të bëhet identifikimi i prindërve, të cilët do të shoqërohen nëse ka sinjalizime për abuzime. Gjatë 24 orëve të fundit, nuk ka asnjë të arrestuar apo shoqëruar. Megjithatë, zëdhënësja e Policisë së Tiranës, pohon se nuk ka asnjë denoncim për fenomenin. Sipas saj policia vepron me anë të denoncimeve. “Pranë drejtorisë sonë nuk ka qoftë edhe një rast të vetëm, nga ana e qytetarëve për shqetësimin. Nëse një gjë e tillë ndodh, policia është shumë e ndjeshme për të vepruar”, përfundon zëdhënësja e policisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama