Lokalet e natës në Tiranë kanë qenë në qendër të vëmendjes së policisë këtë fundjavë. Nisur nga vrasja e katërfishtë e ndodhur në orët e para të së martës në lokal “Ante Grand” në kryeqytet, policia ka organizuar disa operacione për të kaluar në sitë të gjitha lokalet në çdo cep të kryeqytetit. Për të ushtruar këto kontrolle u angazhuan efektivët e të gjashta komisariateve në Tiranë, patrulla “Shqiponja” si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Burime nga policia thanë se këto aksione kanë pasur për qëllim kontrollin e dokumentacionit të lokaleve, evidentimin e personave me precedentë penalë, kontrolle për armëmbajtje pa leje apo edhe për gjetjen e lëndëve narkotike. Aksioni i parë nisi mbrëmjen e së enjtes pas orës 24:00 dhe shtysë, sipas policisë, nuk ka qenë vetëm ngjarja e së martës, por edhe denoncimet e qytetarëve për muzikën e lartë. Efektivët e të gjashtë komisariateve të shoqëruar edhe nga hetimi tatimor kanë ushtruar kontrolle në të gjitha lokalet që kanë në juridiksion. Katër makina policie të shoqëruara edhe nga një makinë e hetimit tatimor kanë ndaluar pranë lokalit të piketuar për kontroll . Efektivët e policisë kanë kërkuar nga administratorët e lokalit ndriçimin normal dhe uljen e muzikës.
Më pas ushtruan kontrolle tek personat e dyshimtë që ndodheshin në lokal, ndërsa nga ana tjetër tatimorët kryenin verifikimet e dokumentacioneve. Në aksionin e së enjtes, policia ka “mësyrë” tek lokalet me muzikë live kryesisht tallava, dhe në ato ku kërcejnë balerina. “Janë shoqëruar disa klientë, të cilët nuk kishin dokument identifikimi me vete si dhe rreth 25 balerina të huaja kryesisht serbe, bullgare dhe rumune” thanë për gazetën burimet policore, të cilat shtuan se, gjatë kontrolleve nuk janë konstatuar persona me armë pa leje me vete. Ndërkohë balerinat janë shoqëruar në komisariatet e policisë së Tiranës dhe janë intervistuar. Ndaj tyre ka nisur verifikimi nëse kanë lejë qëndrimi si dhe leje pune. Në pyetje ato janë marrë edhe nga sektori i trafiqeve për shkak të dyshimeve të ngritura se në lokalet e natës, kërcimtaret përdoren edhe si punonjëse seksi. Megjithatë një gjë e tillë nuk është konstatuar mes 25 balerinave të shoqëruara. Aksionet kanë vijuar edhe mbrëmjen e së premtes duke u gdhirë dita e shtunë. Me dhjetëra efektivë policie kanë ushtruar kontrolle paralele në shumë lokale në kryeqytet.
“Janë kontrolluar një numër i madh lokalesh dhe 90 për qind e tyre janë mbyllur menjëherë mbrëmjen e së premtes pas orës 24:00 pasi nuk posedonin leje që aktiviteti i tyre të qëndronte hapur 24 orë” thanë burimet zyrtare nga Policia e Tiranës. Nuk është regjistruar asnjë rast për rezistencë nga ana e pronarëve apo administratorëve të këtyre subjekteve. Ata kanë mirëkuptuar policinë, duke pranuar të mbyllin menjëherë lokalet pasi u është komunikuar se kishte patur njoftime nga qytetarët për ndotje akustike. Pas mbylljes së lokaleve mbrëmjen e së premtes është hedhur në aksion një ditë më pas edhe Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit. Inspektorët e këtij dikasteri kanë ushtruar kontrolle në pothuajse të gjitha lokalet me muzikë. Gjatë kontrollit janë evidentuar shkelje ligjore dhe Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit ka dhënë masa për 30 lokale. Kështu për këto lokale janë vendosur gjoba administrative ndërsa 19 të tjera janë mbyllur. Disa prej lokaleve nuk kanë qenë të pajisur me leje mjedisore. Kryesisht gjobat janë vendosur për shkak të ndotjes akustike. Lokaleve që do të mbyllen u është lënë 24 orë kohë dhe nëse nuk respektojnë vendimin e marrë nga Inspektoriati, atëherë do të veprojë policia. Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit bëri të ditur se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim me qëllim zbatimin me rigorozitet të ligjit, si në Tirane ashtu edhe në çdo qytet tjetër të vendit.
Lokalet e kontrolluara
Bora-Bora
Mexico
Candy Club
Harem Tirona
Maria Bonita
Camouflage
Club Orient
Valentino
Shqiponja
Lorenco
Crystal Club
Disko Ferrari
Tallava Kosova
Hannover
Lonto
Butterfly
Country Club
Roksi Club
Urgjenca
Nostalgjia
Tallava Lili
Element
Capriçio
Flares
E jona
Big Ben
Lizard
Lart Shpk
The Code
Crazy Calvin
ISHM: Lokalet e mbyllura, ndër më të frekuentuarat
Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit me anë të një deklarate bëri të ditur dje se lokalet e mbyllura janë ndër më të frekuentuarat në Tiranë. Sipas këtij Inspektoriati, këto lokale megjithëse shumë të frekuentuara nuk kishin lejen mjedisore për ndotjen akustike që shkaktonin. Ndaj këtyre subjekteve ka pasur edhe ankesa nga banorët e zonët të cilët shqetësoheshin nga zhurma pas mesnatës. Gjatë muajve të fundit, banorët kanë telefonuar në sallën operative të Policisë së Tiranës për të denoncuar zhurmat që shkaktonin lokalet në orët e vona të natës. Prej kohësh, këto lokale ishin kthyer në shqetësim për qytetarët për shkak të zhurmave dhe problemeve që krijoheshin me konflikte ndërmjet klientëve, ndërsa për çdo tentativë të rihapjes së tyre, efektivët blu kanë paralajmëruar edhe arrestimin e pronarëve.
Policia: Nuk tërhiqemi, kontrolle çdo fundjavë
Policia e Tiranës do të vijojë kontrolle çdo fundjavë për të mbyllur lokalet të cilat qëndrojnë hapur pas orës 24:00 megjithëse nuk janë të pajisura me lejen përkatëse. Burime nga policia thanë se kontrollet janë ushtruar edhe në fundjavat e kaluara. “Efektivët blu konstatojnë lokale hapur pas mesnatës dhe urdhërojnë mbylljen e tyre, mirëpo ato vijojnë sërish të hapen mbrëmjen tjetër. Policia nuk do të tërhiqet, por do të ushtrojë kontrolle çdo fundjave me qëllim që tu vijë në ndihmë qytetarëve të cilët ankohen për zhurmat apo edhe për probleme të tjera që shkaktojnë këto lokale” thanë për gazetën burimet policore. Ndërkohë që banorët e një pallati në zonën e ish-Bllokut në Tiranës shprehen të shqetësuar për zhurmat që krijon një lokal në katin e parë. “Policia vjen pas mesnatës për të mbyllur lokalin. Pronarët ulin menjëherë volumin e muzikës dhe fikin dritat, sapo makina e policisë largohet, lokali vijon aktivitetin” shprehen banorët. Ata kërkojnë nga policia masa të rrepta ndaj këtyre subjekteve të cilat sipas tyre po ua vështirësojnë jetesën.
Kushti, 30 lokale do të mbyllen nëse s'marrin leje
Inspektoriati i Shtetit Mjedisor ka caktuar një afat kohor prej 15 ditësh për 30 lokale me qëllim që ato të plotësojnë kushtet pasi në të kundërt do të mbyllen. Gjatë kontrollit të ushtruar në orët e vona të së premtes duke u gdhirë dita e djeshme, inspektorët e Mjedisit kanë konstatuar shkelje ligjore tek 30 subjekte ndaj të cilave është marrë masa penalizuese me gjobë. Ndërkohë që për 19 të tjera është vendosur që të mbyllen. Kontrollet e shumta janë kryer pas një urdhri të Inspektoriatit të Shtetit Mjedisor dhe Drejtorit të Policisë së Tiranës pasi janë kërkuar masa urgjente për shmangien e rasteve të ngjashme si në lokalin “Ante Grand” ku u vranë me pistoletë katër persona. ISHM dhe Policia e Tiranës do të vijojnë kontrollet edhe gjatë ditëve në vijim me qëllim mbylljen e lokaleve të cilat nuk përmbushin kushtet sipas ligjit.