Në udhëtimin e gjatë mijëravjeçar nëpër rrjedhat e kohës, që nga lashtësia e mugëtirës e deri në kohët e sotme të teknologjisë e modernitetit, si një nga kolonat themelore të ngrehinës së identitetit kombëtar të shqiptarëve, krahas vlerave të tjera origjinale që i japin spikatje profilit unitar të kombit tonë, qëndron dhe polifonia. Apo e thënë ndryshe, shumëzërëshi karakteristik i trevave që mbartin gjurmën e trashëgimore të vijimësisë iliro-arbërore-shqiptare, apo më në taban të gjuhës popullore, kënga vendçe. Në një takim që u bë në ambientet e Ministrisë së Kulturës për "Simpoziumin V Ndërkombëtar të Polifonisë Shqiptare", anëtarë të ndryshëm të Shoqatës Kulturore Artistike “Polifonia Shqiptare” bënë thirrje Ministrisë së Kulturës për më shumë vëmendje. Gjatë aktivitetit u promovua dhe libri “Bylyspolifonia, trashëgimi dhe realitet” i autorit Yzeir Llanaj.
Llanaj u shpreh se “pavarësisht vështirësive që kemi pasur gjatë këtyre viteve, e që kemi arritur t’i kapërcejnë, duhet bërë kujdes për ruajtjen e polifonisë”. I vetmi problem për pjesëmarrësit, si Ago Nezha, Lavdosh Ahmetaj, Naxhi Kasoruho është mosmbështetja e qeverisë në aktivitete të ndryshme shqiptare dhe të huaj që duhet të bëjnë. Një problem tjetër që u diskutua nga profesori Lavdosh Ahmetaj në këtë takim ishte dhe ‘cenimi’ i këngës polifonike nga turbofolku. “Po deformohet muzika polifonike, prandaj për ta ruajtur, ashtu siç e kanë trashëguar të parët tanë, sektori i kulturës nuk duhet lënë pas dore nga qeveria, pasi polifonia është pjesë e identitetin tonë me të cilën ne krenohemi dhe në UNESCO”. E ardhur në kufijtë e legjendës prej shekujve të antikitetit, ajo është dhe një bashkudhëtare e pandashme e jetës shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve, si jehonë që përcjellë dhe skalit botën e brendshme të njeriut, që përjeton dramat dhe gëzimet, dertet e hallet, lindjet dhe vdekjet, punën dhe luftën, natyrën dhe krejt botën që e rrethon.
“Polifonia nuk ka datim historik, nuk ka moshë, nuk ka rini apo pleqëri, por është e shkrirë organikisht me bartësin e saj, njeriun, të ci-lin e shoqëron pandashëm gjatë udhëtimit të tij jetësor, duke u trashëguar brez pas brezi në përjetësi, duke evoluar bashkë me të”, shkruan Yzeir Llanaj në librin “Bylyspolifonia, trashëgimi dhe realitet”. Cili është vendi që polifonia shqiptare zë në shtrirjen kohore dhe hapësinore të trevës ballkanike? Sipas Llanajt, kjo shtrirje mbulon hapësirat verilindore përqark Strugës, në lindje të liqenit të Ohrit dhe të atij të Prespës, e deri thellë në jugun shqiptar të krahinës së Çamërisë, por në forma dhe tipare lokale e gjejmë edhe në viset e Opojës, Kërçovës e të shumë trevave shqiptare të Maqedonisë.
Sipas studiuesit Beniamin Kruta: “disa fakte dëshmojnë se një fillesë polifonike nuk duket se ka munguar edhe në ato zona veriore të Shqipërisë ku kemi shtrirje mbizotëruese të muzikës homofobike”. Kënga polifonike labe ka veçantitë e saj: marrësin, kthyesin, hedhshin dhe ison, kurse kënga polifonike toske ka: marrësin, pritësin dhe ison. Cilat janë disa nga problematikat e polifonisë tradicionale në këtë periudhë të modernitetit? Deri në shekullin e XX-të polifonia erdhi si pjesë integrale e jetës së përditshme, si bashkëshoqëruese e pandarë e popullit që e krijoj dhe e barti ndër shekuj, si një nga institucionet bazë të strukturës shpirtërore të shqiptarëve, ndërkohë, dekadat e fundit sollën një ndryshim rrënjësor në të gjitha fushat jetike të shqiptarëve me lëvizjet demografike, me prishjen e strukturave tradicionale të jetesës, me ndryshimet rrënjësore në mentalitet dhe me vlerat institucionale të trashëgimisë kulturore. Në dekadat e fundit polifonia ka ndjerë problematikat që kanë ardhur duke u theksuar përherë e më tepër me ndryshimet e sistemit në vitet ’90. Sipas Yzeir Llanaj disa nga problematikat janë: E para vjen nga humbja e truallit gjenerues të saj, pra të ndryshimit të strukturës shoqërore që e ka lindur, bartur dhe përcjellë ndër kohëra.
“Ndryshimet demografike, lëvizjet zhvendosjet masive të popullsisë në drejtim të urbanizimit të shpejt të saj, duke i përzierë elementët krahinore dhe duke krijuar një realitet të ri demografik”. E dyta është ndryshimi rrënjësor në organizimin shoqëror dhe institucional. “Nëse në sistemin e vjetër institucionet kulturore ishin të organizuara dhe të administruara nga shteti, tashmë institucionet kulturore private veprojnë sipas interesave të kohës dhe në përshtatje me logjikën dhe kërkesat e kohës moderne. Moskujdesi i institucioneve bazë rrezikon vijimësinë e saj të mëtejshme”. E treta dhe më kryesorja në këtë rrafsh është padyshim edhe orientimi i ri kulturor i të gjithë shoqërisë. “Hapja me botën e jashtme në mënyrë të pakontrolluar solli faktin që vlerat autentike trashëgimore të gjenden nën trysninë e papërballueshme të rrymave dhe drejtimeve të reja kulturore të huaja, këtu dhe në fushën e muzikës”. E katërta dhe më seriozja që e vë polifoninë shqiptare në rrezik është deformimi i emërtesës së saj në ‘isopolifoni’. “Tradicionalisht në të folurën e zakonshme popullore, thuhej kënga vençe, ndërsa më thellë në Jug, kënga labe, e kështu vazhdon të emërtohet dhe sot e kësaj dite. Në gjuhën e studimeve, profesor Ramadan Sokoli që në vitin 1960 e emërtoi me termin “Polifonia shqiptare”, që do të thotë “shumëzërësh, bashkim zërash. Kështu e kanë emërtuar dhe studiues të tjerë si Sokol Shupo, Bardhosh Gaçe, Thanas Meksi etj.