Një nga përfaqësuesit e “Polifonisë shqiptare”, Yzeir Llanaj flet për disa nga problematikat kryesore që mbart sot polifonia. Ai tregon se si po ndodhin dita-ditës deformimet nëpërmjet transformimit të polifonisë në turbofolk. “Artistët që interpretojnë turbofolkun, po shndërrojnë ‘Polifoninë shqiptare’ duke i marrë tekstet, meloditë dhe duke i vendosur mbrapa muzikë, duan apo nuk duan ata kjo mënyrë e bastardon atë”.
Llanaj i bën thirrje Ministrisë së Kulturës dhe të Arsimit që të investojnë më tepër në ruajtjen e kësaj tradite, që me shumë vështirësi po transmetohet nga njeri brez në tjetrin.
“‘Polifonia shqiptare’ ka shumë problematika. Qysh kur u ndryshua sistemi, kjo vlerë po humbet si një ‘specie’ e rrallë. Shumë shtete vazhdojnë ta ruajnë ende edhe sot këtë traditë nëpërmjet orëve mësimore, ose nëpërmjet shtëpive të kulturës”.
Llanaj tregon se, fillimisht të rinjtë mblidheshin dhe e transmetonin aq bukur në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare këtë traditë, duke e trashëguar nga të moshuarit te brezat e rinj. “Sot polifonia interpretohet vetëm nga brezat e moshuar. Ne vazhdojmë ende që të quajmë grupi i të rinjve të Gjirokastrës, të moshuarit që janë mbi 60 vjeç”. Llanaj mendon se, duhet bërë një punë kolosale, duke filluar që nga komunitetet, bashkitë dhe ministritë, në mënyrë që të krijohet një shkollë, për ruajtjen e kësaj vlere tradicionale që po humbet.
Atëherë ku e gjenit këtë traditë?! “Atëherë e ‘villnim’ në dasma, gëzime familjare apo edhe në aktivitetet shtetërore, që bëheshin në fshatra dhe në shtëpitë tona. Ruajtja e këtyre vlerave bëhet duke vepruar si grupi i fëmijëve të Skraparit, të Kalivaçit të Tepelenës, që vazhdojnë ende ta ruajnë këtë traditë. Janë shumë të paktë grupet që e trashëgojnë këtë traditë, por MK dhe MAS duhet t’i udhëheqin, ashtu sikurse edhe UNESO duhet që të investojë më tepër për këtë vlerë. Prandaj u lutem që të ndihmojnë duke bërë diçka për këtë vlerë kombëtare, që të organizojnë një festival ku një fshat të interpretojë 1 orë dhe jo një këngë. Sot, fëmijët tanë nuk kanë ku e marrin këtë traditë, nuk kanë ku mësojnë rreth saj. Sot, nuk këndohen më këngë polifonike labe, sepse në dasma këndohet me DJ, jo sikurse këndohej dikur në Skrapar, Gjirokastër, Vlorë apo Kolonjë”, përfundon Llanaj.
Mbi emërtimin zyrtar të “Polifonisë shqiptare”
Shpallja e “Polifonisë shqiptare”, “Iso-polifonisë” vlerë e rrallë e kulturës së mbarë njerëzimit dhe e vënë në mbrojtje nga UNESCO, tregon qartë për vlerat që mbart kjo trashëgimi kulturore e shpirtërore, e cila ashtu si popuj të tjerë të Europës e të Mesdheut, ka ruajtur, zhvilluar e pasuruar atë nëpër shekuj...
Ndodhur para një fakti të tillë, emërtimi i këngës polifonike shqiptare, në përcaktimin e sotëm me termin “Iso-polifonia”, në UNESCO, sipas Llanajt shqetësoi opinionin kulturor e shkencor të etnokulturës shqiptare: studiues, bartës, folkloristë dhe korifenjtë e këngës polifonike në mbarë vendin e më gjerë u shtrua një kërkesë për ndryshimin e emrit nga Iso-polifoni në “Polifonia shqiptare”.
“Në simpoziumet dhe konferencat shkencore që janë zhvilluar për polifoninë, akademikët tanë të shquar si; Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta, Spiro Shetuni, Afërdita Onuzi, Agron Xhagolli etj., kanë thënë mendimin e tyre për autoktoninë dhe zhvillimin e polifonisë shqiptare dhe paralelet e saj evropiane...
Ata kërkuan korrigjimin publik për të vënë në vend dinjitetin e kësaj pasurie etnokulturore të papërsëritshme. Në një sesion shkencor në ditët e zhvillimit të Festivalit Ndërkombëtar “Bylispolifonia 2012” specialistët e fushës miratuan një promemorie dhe kërkuan rishikimin e emërtimit të polifonisë shqiptare”.
Materiali është shkëputur nga kërkesa që i është drejtuar: ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Përgjigje nga Ministria e Kulturës (06.08.2014 Tiranë)
Ndërkohë kësaj shkrese Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit Strategjik për Trashëgiminë dhe Diversitetin Kulturor organizoi një takim ku u rrahën të gjitha shqetësimet që Llanaj ngrinte dhe në fund u vendos që, Ministria e Kulturës të përdorë termin “Polifoni shqiptare” në aktivitetet përkatëse.
“Në këtë tranzicion ka deformime të këngës polifonike”
Pas takimit në Festivalin Bylispolifonia 2014, dirigjenti Ermir Dizdari tregon për ballafaqimin e grupeve folklorike shqiptare. Për “Shekullin” është shprehur se, nga këto takime ndërkombëtare nxirren mësime qoftë nga veshjet, aksesorët, por edhe nga kualiteti i zërave. “Ata vijnë teknikisht të përgatitur dhe nga ana estetike të kuruar me të gjithë aksesorët, qysh nga shamitë e kokës, opingat dhe çorapet. Këto janë detaje të vogla, por kanë shumë vlerë në trashëgiminë kulturore. Ndodh që grupet nuk respektojnë traditat e veshjes, duke i ngatërruar ato nga një trevë në tjetrën, por ky ballafaqim përmirëson kulturën e tyre”, shprehet Dizdari.
Studiuesi i fushës së koreografisë, Rexhep Demetja tregon për veçantin e valleve folklorike në Festivalin e Bylispolifonisë.
E veçanta që solli vallja folklorike në këtë organizim?
Në Festivalin e Bylispolifonisë 2014 më ka bërë përshtypje vallja tradicionale e grupit të Vlorës “Në urën e Drashovicës qëlloi topi i Italisë”. Ishin 10 burra të kapur për krahu që këndonin njëkohësisht dhe lëvizjet e tyre nuk ishin lirike, të lehta, por të forta dhe dinamike. Goditja në dyshemenë e skenës dukej sikur goditej dheu, kaq e fortë ishte vallja, e cila shoqërohej nga një këngë polifonike shumë e bukur labe. Një tjetër grup që u vlerësua ishte ai i Urës Vajgurore. Dua të përmend grupin e Kalivaçit, tetë vajza të reja “Dilni se erdhi pranvera”, që kërcenin me një lirizëm të rrallë. Këto vajza edhe këndonin. Në antitezë me këto vajza, tetë gra në moshë të mesme, ku më e reja ishte 50 vjeçe, grupi i Selos, minoritarë të Dropullit, bënin lëvizje shumë harmonike. Për sa i përket grupit fitues, ishin në union, si kënga dhe vallja përbënin një ansambël të vërtetë. Grupi i Librazhdit, paraqitet me një valle ku kishte figura koreografike; rrethi, gjysmërrethi dhe diagonalja, por nuk kishte folklorizëm, sepse vinte si një valle e përpunuar. Organizimi i këtyre festivaleve do ta çojë përpara vallen polifonike, sepse e ardhmja e brezave të rinj është të sjellin vlera të trashëgimisë nga e kaluara. Kjo vlerë tradicionale duhet të trashëgohet në breza.
Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore
Në kuadrin e “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, “Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore” sot organizohet disa aktivitete në mbarë vendin.
Ora 09.30 - Tryezë e rrumbullakët “Trashëgimia, Restaurimi, Arkeometria” në sallën “Tefta Tashko” të Ministrisë së Kulturës.
Ora 11.30 - Paradë e ansambleve folklorike përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke u nisur që nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, për të mbërritur te kolonada përballë stadiumit “Qemal Stafa”.
Ora 12.00 - Koncert me valle i ansambleve folklorike. Krahas koncertit të pranishmit do të kenë mundësi të ndjekin dhe një Panair artizanati përballë stadiumit “Qemal Stafa”, në rast moti me shi, koncerti do të zhvillohet në Universitetin e Arteve.
Ora 18.00 -Ekspozitë me instrumente të vjetër muzikorë “Koleksioni privat i Mark Lulit”.
Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare do të zhvillojnë në kuadrin e kësaj dite:
DRKK Shkodër
Aktivitet prezantues në Galerinë e Artit në Shkodër ku do të marrin pjesë artistë shkodranë në pikturë dhe skulpturë. Ekspozita titullohet "Monumente, peizazh dhe DRKK Shkodër". Në këtë ekspozitë do të ketë fotografi të përmasave të ndryshme të trashëgimisë kulturore materiale, me monumente dhe peizazhe.
Në kuadër të kësaj dite janë botuar "Libri prezantues" dhe një fletëpalosje e DRKK-së Shkodër.
Në Kalanë e Shkodrës do të ketë guida prezantuese dhe shpjegime në muzeun e saj si aktivitete ndihmës, shoqëruar me video-prezantim.
DRKK Durrës
DRKK Durrës, në bashkëpunim me Bashkinë Durrës dhe DAR, Durrës, si dhe me faktorë të tjerë lokalë të trashëgimisë kulturore organizon një aktivitet në Qendrën Historike të Durrësit. Shkollat që kanë birësuar monumentet do të vendosen pranë tyre duke performuar dhe krijuar atmosferën që të rikujton historinë e monumentit. Qytetarët mund të bëjnë një rrugëtim të shkurtër në Qendrën Historike të Qytetit, ku do të gjejnë atmosferë festive e do të përfshihen në aktivitetin e nxënësve. Rrugëtimi zyrtar fillon në orën 16.00 - 16.15 tek Amfiteatri me një performancë të shkollës “Vinçenc Prendushi”.
Te muret, në pjesën e brendshme do të jetë shkolla “Gjergj Kastrioti” (ora 16.20-16.35), që do të prezantoi një shfaqje me këngë të vjetra shqiptare, ku të rinjtë do të jenë me kostume të epokës.
Në orën 16.45 - 17.00 te muzeu “A. Moisiu” do të jetë shkolla “Shaqe Mazreku” me një panair sendesh të vjetra, të mbledhura nga nxënësit. Te Hamami, Qendra Kombëtare e Fëmijëve do të luajë valle popullore të Shqipërisë së Mesme. Bulevardi do të jetë i mbuluar nga shkolla “Jan Kukuzeli”, me këngëtarë, performues, art-vizual, instrumentistë etj. Në orën 17.30 vizita përqendrohet te “Rotonda”, ku do të simulohet tregu i vjetër bizantin dhe në një panair dhe do të promovohet trashëgimia jonë jomateriale, artizanati, kulinaria e zonës etj.
DRKK Berat
Lektorium mbi fazat e restaurimit të një vepre arti. Aktivitet me “Miqtë e monumenteve” në disa prej monumenteve të Qendrës Historike. Çelja e punimeve restauruese në banesën Haxhistasa, monument i kategorisë së parë.
DRKK Vlorë
Shpërndarje e posterave dhe fletëpalosjeve promovuese për vlerat arkeologjike dhe mbi Ditët e Trashëgimisë Kulturore Evropiane, në bashkëpunim me Qarkun Vlorë.
Ekspozitë “Vlera monumentale në vazhdimësi të Qarkut Vlorë”.
Në kuadër të projektit “Miqtë e monumentit” do të organizohen takime me nxënësit e shkollave në qytetin antik të Orikut, Kalanë e Himarës, Kalanë e Kaninës, Manastirin e Zvërnecit, Sinagogën në Sarandë.
Në datat 24 - 29 shtator do të organizohen vizita në Muzeun e Pavarësisë, Muzeun Historik dhe Muzeun Etnografik të qytetit.
DRKK Korçë
Me rastin e 29 Shtatorit, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare ka vendosur të organizojë një simpozium për prezantimin e siteve arkeologjike dhe vlerave materiale të monumenteve të kulturës, në Bazilikën e Linit.
Gjithashtu, do të zhvillohet dhe një aktivitet në kuadër të projektit "Miqtë e monumentit", në bashkëpunim me shkollën e fshatit Lin.
Atë ditë do të ketë hyrje të lirë për vizitorët në të gjithë muzetë.
DRKK Gjirokastër
Në kuadër të 29 shtatorit, Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore dhe “European Heritage Days”, brenda territorit që mbulon DRKK Gjirokastër do të zhvillohen këto aktivitete:
Përmet:
Foto-ekspozitë, realizuar nga grupi “Miku i monumenti” me fotografi të monumenteve të kulturës të rrethit të Përmetit, pranë Shkollës së Mesme të Përgjithshme
Pastrim në monumentin e quajtur "Guri i qytetit", në bashkëpunim me Bashkinë.
Gjirokastër:
Ekspozitë fotografike në sheshin "Çerçiz Topulli".
Veprimtari në disa shkolla me këngë, valle, recitime etj.
Tepelenë:
Vizita në objekte “Monument kulture”, të shkollave të rrethit, takime biseda, fushata sensibilizuese me banorët e qendrave të banuara pranë këtyre monumenteve.
Ekspozita “Besim” e kuruar nga Edi Hila dhe Zef Paci vazhdon në MHK
Në Muzeun Historik Kombëtar vazhdon të qëndrojë hapur ekspozita "Besim", e cila është organizuar në kuadër të vizitës që bëri Papa Françeskut në Shqipëri.
Shqipëria e periudhës së diktaturës përbën një rast të papërsëritur në botë me vetëshpalljen si i vetmi vend ateist në botë dhe me ndërtimin e të vetmit muze të “Ateizmit” në Shkodër. Kjo paranojë kulmoi me fushatën e egër kundër fesë dhe moralit që ajo përfaqësonte e që binte ndesh me moralin e të ashtuquajturit “njeriu i ri”. Marrëzia anti-fetare filloi me mbylljen dhe shkatërrimin e pakthyeshëm të objekteve të kultit, shumë prej të cilave me vlera unikale nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore. Vala e egër e kësaj marrëzie nuk kurseu dhe jetën e shumë prej klerikëve, të cilët u persekutuan, u torturuan dhe u asgjësuan fizikisht nga diktatura, të klerikëve që sjellin një kontribut madhor në disa nga momentet më vendimtare të zhvillimeve politike e kulturore, e posaçërisht të gjuhës e letërsisë shqipe.
U mbyllën shtypshkronja, u shkatërruan biblioteka, u dogjën libra, vepra arti, ikona duke i bërë një dëm të jashtëzakonshëm kulturës dhe trashëgimisë materiale dhe jomateriale. U tentua të shkatërrohej tradita shekullore e shqiptarëve, bashkëjetesa ndërfetare, një vlerë që nuk u shua as gjatë periudhës së diktaturës.
Për të evokuar pikërisht kontributin e klerit në Shqipëri para, gjatë dhe pas periudhës së diktaturës, sakrificën e tyre në breza si dhe për të promovuar bashkëjetesën ndërfetare, këtë tipar dallues të shoqërisë shqiptare, Ministria e Kulturës, Drejtoria e Planifikimit Strategjik për Trashëgiminë dhe Diversitetin Kulturor në bashkëpunim të plotë me komunitetet kryesore fetare ne Shqipëri: mysliman, katolik, ortodoks dhe bektashi organizoi ekspozitën për klerin dhe bashkëjetesën fetare "Besim", me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë më 21 Shtator 2014. Materiali fotografik dhe filmik i mundësuar nga komunitetet fetare është kuruar nga kuratorët me përvojë artistike Edi Hila dhe Zef Paci. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 30 tetor.
Të gjithë shpresojnë në normalizimin e marrëdhënieve me pronësinë intelektuale
Pas një periudhe shumë të gjatë mosfunksionimi të shoqatës për të drejtat e autorit “Albautor”, asambleja e krijuesve arriti të zgjedhë këshillin e ri drejtues, duke ringjallur shpresën se edhe në Shqipëri pronësia intelektuale, ajo që kërkon aq mund të krijohet, do të mbrohet. Në Shqipëri krijuesit ende nuk shpërblehen financiarisht për çdo transmetim audiovizual. Në të gjithë vendin përdoret krijimtaria muzikore, pa paguar asnjë të drejtë ndaj autorëve. Dhjetëra emra të njohur, si: Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Kujtim Laro, Limoz Dizdari, Ferdinand Deda, Aleksandër Lalo, Shpëtim Kushta, Aleksandër Peçi, Haig Zaharian, Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Elton Deda, Endri Sina si dhe shumë e shumë të tjerë, së bashku me autorët e libreteve apo teksteve të këngës janë nëpërkëmbur pa gëzuar të drejtat që iu takojnë me ligj. Këshillit të ri, i cili u zgjodh i ngarkohet një punë e madhe, që në emër të çdo krijuesi të mbrojë çdo të drejtë të tyre. Emrat e këtij këshilli të ri janë: Elton Deda, Etrita Ibrahimi, Agim Doçi, Eriona Rushiti dhe Sokol Marsi.
Për herë të fundit pas konkursit publik për postin e drejtuesit e të përgjithshëm të Agjencisë së Artistëve të Veprave Muzikore dhe Audiovizuale, “Albautor”, Këshilli i Administrimit në bazë të Ligjit “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”, në bazë të Statutit dhe të Rregullores së Agjencisë pas përzgjedhjes së dosjeve dhe draft-platformave të kandidatëve të paraqitur fitues kishte shpallur Idar Bistrin.