Poliklinikat shperblehen mbi 9 mije punonjes

Poliklinikat, shperblehen mbi 9 mije punonjes
Personeli shëndetësor në të gjitha poliklinikat e vendit do të përfitojë deri në një pagë shpërblim në bazë të performancës dhe cilësisë. Ky shpërblim do t’iu jepet më shumë se 9 mijë punonjësve brenda muajit dhjetor. Këtë e deklaroi drejtoresha e Institutit të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana e cila theksoi se janë miratuar edhe kontratat e reja me të gjitha qendrat shëndetësore.

Mbështetur në realizimin e pritshme të treguesve për vitin 2011, rezulton se 416 qendrat shëndetësore të kujdesit shëndetësor parësor të përfitojnë edhe deri në një pagesë tjetër, kundrejt realizimit të treguesve të performancës dhe cilësisë. Sipas drejtoreshës Elvana Hana numri i planifikuar i vizitave nga mjekët e përgjithshëm e të familjes në shkallë Republike është realizuar në masën 90 %, ndërsa treguesi i cilësisë apo bonusi është realizuar rreth 50 %. “Referuar të dhënave rezulton se treguesi i performancës është realizuar në nivele mbi 80 %, nga 307 qendra shëndetësore.

Ndërsa treguesit e bonusit janë realizuar mbi 50% nga mbi 168 qendra shëndetësore. Sipas rajoneve rezulton se përfitojnë më shumë pagesë shtesë, punonjësit e rajoneve të Beratit, Dibrës, Durrës, Fier, Korçë, Vlorë, Tiranë të cilat kanë realizuar më mirë edhe treguesit e cilësisë e performancës”,- pohon Elvana Hana duke shtuar se për 6/mujorin e dytë të këtij viti, parashikohet të shpërndahen rreth  310 milion lekë. Nga ky fond përfitojnë rreth 9350 punonjës të qendrave shëndetësore, nga të cilët rreth 2000 mjekë familje e të përgjithshëm dhe specialistë, 6600 infermiere dhe 750 punonjës të tjerë, sanitare, shoferë dhe ekonomistë. Fondet për përballimin e shpërblimeve janë transferuar tashmë në pjesën më të madhe të llogarive bankare të qendrave shëndetësore të cilat duhet të veprojnë menjëherë për shpërndarjen e tyre brenda muajit dhjetor.

Gjithashtu dje me vendim të Këshillit Administrativ të ISKSH, u miratuan kontratat e reja me Qendrat Shëndetësore për vitin 2012. Vëmendja më e madhe në kontratat me Qendrat Shëndetësore për vitin 2012, iu kushtua elementeve që ndikojnë në konsolidimin e menaxhimit të qendrës shëndetësore, si një entitet publik përgjegjës për shërbimin ndaj popullatës që është regjistruar pranë qendrës shëndetësore.

Kështu, menaxhimi i regjistrit elektronik të pacientëve që tashmë është një realitet në qendrat shëndetësore, do të jetë përgjegjësi e qendrës, e cila do të përditësojë të dhënat e pacienteve. Gjithashtu, procesi i transferimit të pacienteve nga një mjek te një tjetër, ose nga një qendër shëndetësore në një tjetër do të jetë më i thjeshtë për pacientët.

“Me qëllim përgjigjen në kohë ndaj ankesave dhe problemeve të pacientëve që depozitohen në kutinë e ankesave që është e pranishme në çdo qendër, është vendosur si detyrim që kutia të hapet një herë në javë”,- pohon Elvana Hana duke shtuar se një nga qëllimet kryesore të ISKSH-së që në krye të herës së reformës në parësor, ka qenë motivimi i personelit shëndetësor për një shërbim sa më cilësor ndaj pacientëve. Ky motivim është kryer nëpërmjet rritjes së pagave dhe vendosjes së financimit të qendrës shëndetësore bazuar në realizimin e indikatorëve te ndryshëm (bonusi për përformancë dhe cilësi).

 

50 % është realizuar treguesi i cilësisë nga mjekët e poliklinikave

80 % është realizuar treguesi i performancës nga mjekët e parësorit

9350 punonjës të qendrave shëndetësore do marrin bonus nga ISKSH

2000 mjekë familje e të përgjithshëm do marrin bonus nga ISKSH

6600 infermierë të qendrave shëndetësore do marrin bonus nga ISKSH

750 punonjës të tjerë, sanitare, shoferë dhe do marin bonus nga ISKSH

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama