Politika e vrau Universitetin e Prishtines

Politika e vrau Universitetin e Prishtines

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cilësuar me vite si tempulli i dijes në Kosovë, ka hyrë në rrugë qorre, nga e cila nuk ka dalje. Skandalet e fundit përveç që kanë dëmtuar rëndë imazhin e këtij institucioni, gjithashtu kanë ndikuar që të humbet besimi në gjithë sistemin arsimor publik.

 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të pozitës dhe opozitës, si edhe ekspertë të arsimit thonë se UP-ja është politizuar në skajshmëri dhe gjendet në një “vdekje klinike”.

 

Universiteti i Prishtinës ditëve të fundit ka qenë top-lajm i skandaleve. Janë arrestuar 11 zyrtarë të Fakultetit të Mjekësisë nën dyshimin se janë të përfshirë në afera korruptive, në mesin e të cilëve asistentë, punonjës administrate dhe ndërmjetësues që kanë ndërmjetësuar për t’u kryer regjistrimet në UP apo për të dhënë ndonjë provim me të holla. Por, skandalet në UP nuk përfunduan këtu.

 

Vetëm pas pak ditësh u raportua se rektori i UP-së, Ibrahim Gashi, një dekan dhe disa profesorë të UP-së kanë publikuar gjatë dy vjetëve punime në një “revistë shkencore” të Indisë dhe kjo u ka shërbyer për t’u avancuar në grada akademike.

 

Kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Ramë Vataj, i cili është edhe profesor universitar e pranon se ngjarjet e fundit e kanë dëmtuar në masë të madhe imazhin e UP-së.

 

Thotë se ndjehet keq për ngjarjet që janë raportuar, derisa pohon se është prekur imazhi i UP-së. Politika duhet të qëndrojë larg UP-së, ndonëse fatkeqësisht ky institucion është i politizuar”, ka thënë ai, duke përmendur këtu edhe emërimet e rektorëve që kanë ardhur nga politika.

 

Ndërkaq, partitë politike opozitare kanë drejtuar gishtin kah partnerët e koalicionit, të cilët i kanë bërë përgjegjës për skandalet e ndodhura në UP-në.

 

Jonuz Salihaj, i cli udhëheq Departamentin për Arsim në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ka adresuar një varg kritikash për rektorin e UP-së, sipas të cilit, jo vetëm arsimi i lartë në Kosovë, por arsimi në përgjithësi është bërë vend i lakmuar për skandale, krejt kjo si pasojë e ndërhyrjes direkte të politikës dhe grupeve tjera formale e informate dhe nepotizmit.

 

“Nëse vazhdohet kështu edhe në të ardhmen do të ketë skandale të tjera të ngjashme për shkak të inkuadrimit të politikës në këtë institucion dhe krejt kjo bëhet duke e shfrytëzuar arsimin për qëllime të ngushta politike e elektorale për rregullimin e farefisit. Për fat të keq në këto skandale janë futur titujt akademikë, marrja e titujve dhe kjo e ka devalvuar shumë sistemin arsimor dhe e ka bërë të pabesueshëm njëkohësisht”, ka thënë ai.

 

Truri i Kosovës në “sklerozë”

 

Salihaj, madje ka ironizuar me garniturën aktuale politike, sipas të cilit është përgjegjëse për degradimin e UP-së. “Nëse kjo garniturë për asgjë nuk mund të krenohet, për degradim të përmasave që do të mbahet mend gjatë, mund të krenohet. Kjo garniturë politike përmbysi të gjitha të arriturat e UP-së që dikur ka pasur rol të posaçëm në ngjarjet për Kosovën dhe rreth saj”, ka thënë ai.

 

Sipas tij, përgjegjësia për skandalet në UP, bie mbi koalicion qeverisës, pasi që, sipas tij, posti i rektorit ka qenë një lloj pazari politik. “Dihet se rektorit të tanishëm iu pat premtuar posti i ministrit të Arsimit, e më pastaj ky post i është shkëmbyer me atë të rektorit.

 

Gashi s’ka arritur t’i vërë në binarë çështjet e UP-së, sepse i ka hasur sharra në politikë, dhe në këtë drejtim është problem kur i ke bosët e fortë dhe duhet t’i dëgjosh ata që të kanë sjellë në atë pozitë. Prandaj është problem me qenë parimor kur bosët janë më të fortë. Imazhi i UP-së është dëmtuar shumë dhe fatkeqësisht trajektorja po e çon në rënie”, ka thënë Salihaj.

 

Zhytja e UP-së në skandale është shqetësuese për ekspertin e arsimit, Xhavit Rexhajn, sipas të cilit, çështja e arrestimeve të para disa kohëve për korrupsion dhe publikimet e rektorit janë vetëm manifestime individuale të vdekjes klinike të UP-së.

 

“Fatkeqësisht, imazhi i UP-së nuk është dëmtuar sot, ai është shkatërruar qysh kur, në konkurrencë të shumë profesorëve më meritorë, Qeveria përmes mesazheve telefonike ka zgjedhur për rektor një person autsajder dhe krejtësisht të papërgatitur për ta udhëhequr një universitet.

 

Realiteti në universitetin tonë është shumë më i rëndë se këto gjëra që janë shpërfaqur kohëve të fundit dhe, rrjedhimisht, edhe zgjidhja duhet të jetë shumë më sistematike dhe gjithëpërfshirëse”, ka thënë ai.

 

Me apo pa dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi, eksperti Rexhaj vlerëson se duhet ndërmarrë masa urgjente në mënyrë që praktika të tilla të mos ndodhin më në asnjë nivel, e lëre diçka e tillë të ndodhë nga vetë rektori.

 

”Kjo mund të bëhet vetëm më një mobilizim kombëtar dhe me ndihmë ndërkombëtare, sepse raste të tilla të keqpërdorimit me notat dhe provimet pranuese në UP ka me qindra dhe në të gjitha departamentet, prandaj, duhet të adresohen me një intervenim me gjithëpërfshirës të prokurorisë që të ndërpriten këto praktika”, ka thënë ai.

 

Shkëlqimi dhe rënia e UP-së

 

E ndërkaq, analisti Halil Matoshi, skandalet e fundit në UP i përshkuan me fjalët: “Shkëlqimi dhe rënia e UP-së”.

“Në vitet e 70 ka pasur përpjekje që në UP të bëhet shkencë dhe dije, dhe në atë kohë studentët kanë qenë të vetëdijshëm se s’mund të blihet nota, s’mund të ketë profesor dhe intelektual të korruptuar, ndërkaq atë që pas vitit 81 e bëri regjimi jugosllav, pas luftës së fundit në Kosovë, po e bën elita politike, duke e shkatërruar këtë institucion të dijes dhe etikën akademike dhe duke e kthyer UP në makineri të votës”, deklaroi ai.

 

Sipas Matoshit, po dëmtohet UP me korruptim të gjithçkaje aty, me korruptim të titujve shkencorë, doktoratave, magjistraturave, me korruptim të notës, parasë publike dhe “kjo po dëshmon se ky universitet ka kolaptuar me vetë ndikimin direkt të politikës”.

 

Matoshi ka shfaqur mendimin se është më se e nevojshme që Parlamenti i Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe një këshilli, i cili do të përbëhej nga profesorët më eminentë nga UP-ja ta bëjnë një grup hetues për të hetuar të gjithë titujt, gjitha librat, të gjitha doktoratat, magjistraturat e të mos flasim për diplomat e studentëve, që siç tha ai, blihen si me qenë në pazar.

 

“Përndryshe ky universitet po e stërkeq vetë idenë e arsimit shqip në Kosovë dhe objektivisht po krijon analfabet funksionalë. Merreni më mend, po del që vetë rektori Gashi është manipulues me titullin e tij, me dijen dhe duke qenë se vjen direkt nga politika, ai objektivisht po vazhdon agoninë e këtij universiteti”, ka thënë analisti Matoshi.

 

Ndërkohë, ka qenë i pamundur kontakti me rektorin e UP-së, Ibrahim Gashi, në lidhje me skandalet e ndodhura në institucionin që e drejton, derisa kohë më parë pati deklaruar se nuk ndihet fajtor për skandalin me arrestimin e zyrtarëve të Fakultetit të Mjekësisë. Ai pati thënë se drejtësia do të tregojë se kujt duhet t’i bjerë përgjegjësia, meqë veprat e dyshuara nxjerrin në sipërfaqe periudhën e vitit 2009, kur në krye të këtij institucioni ka qenë ish-rektori Mujë Rugova.

 

Edhe ky i fundit ka thënë se nuk e ndjen veten fajtor për ngjarjet e ndodhura në UP. “Pa marrë parasysh a janë studentë, asistentë, a janë teknikë, administratorë, apo profesorë, secili përgjigjet për punën dhe mospunën e vet”, ka thënë ai.

 

Ndryshe, disa studentë tashmë kanë kërkuar hapur dorëheqjen e Gashit nga detyra, por ai tha se “nuk e ka ndërmend ta bëj këtë”. Madje, sipas fjalëve të tij, ata që po kërkojnë dorëheqjen e tij janë vetëm 20 ose 30 studentë, nga 30 mijë sa ka UP. Sipas Gashit, ata janë të manipuluar.

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama