Politika perkujton Kongresin e Permetit

Politika perkujton Kongresin e Permetit

Përkujtohet 70-vjetorit i Kongresit të Përmetit. Ceremonia e organizuar dje me këtë rast është shoqëruar nga thirrjet “Parti-Enver”, “Rroftë Partia Komuniste” ndërsa në sfond kishte foto të Enver Hoxhës. Pjesë e kësaj ceremonie ishte dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i cili vlerësoi Kongresin e Përmetit, duke theksuar se në këtë Kongres u morën vendime të cilat përshpejtuan arritjen e çlirimit të atdheut në 29 nëntor. Meta theksoi se Kongresi i Përmetit, duke ecur në gjurmën e Konferencës së Pezës, realizoi atë hop të jashtëzakonshëm sasior dhe cilësor të Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga Kryetari i Bashkisë së Përmetit, z. Gilbert Jaçe, ministra të qeverisë, deputetë të mazhorancës si dhe nga dhjetëra veteranë dhe pasardhës të dëshmorëve të atdheut. Deputeti socialist Koço Kokëdhima, i pranishëm në këtë ceremoni, ka zhvilluar takime me shumë qytetarë dhe veteranë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë. 

 

“Shkëmbyem biseda e urime. Folëm për probleme të veçanta të njerëzve, për kërkesa e nevoja të tyre. Ata më dhanë shumë sugjerime. Shumë prej tyre më shprehën mbështetjen për përballjet e mia me Saliun. Ishte një ditë e gëzueshme. Të gjithë veteranëve që takova iu shpreha nderimin tim më të thellë për Luftën Nacional-Çlirimtare, për Kongresin e Përmetit dhe për kontributin e tyre të paçmuar për lirinë e atdheut”, - ka pohuar Kokëdhima.

 

Kongresi i Përmetit 

 

Pas thirrjeve të shumta të veteranëve të luftës në nder të Enver Hoxhës, ceremonia zyrtare në kuadër të 70-vjetorit të Kongresit të Përmetit është hapur nga kryetari i Bashkisë së Përmetit, Gilbert Jaçe, i cili falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pjesëmarrjen në këtë ditë të shënuar, ndërsa vlerësoi sakrificën e djemve dhe vajzave që dhanë jetën për çlirimit e vendit. Më tej Meta në fjalën e tij theksoi se më këtë Kongres u morën vendime të cilat përshpejtuan arritjen e çlirim-  it të atdheut në 29 nëntor. Kryeparlamentari theksoi se Kongresi i Përmetit, duke ecur në gjurmën e Konferencës së Pezës, realizoi atë hop të jashtëzakonshëm sasior dhe cilësor të Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare e cila në pak muaj u shumëfishua dhe u bë e aftë jo vetëm që të çlirojë të gjithë qytetet e Shqipërisë, por njëkohësisht, u bë e aftë për ta ndjekur pushtuesin deri në Bosnjë. 

 

“Ne vijmë sot këtu në Përmet dhe përkulemi me respekt të thellë ndaj atyre që realizuan Kongresin e Përmetit, por njëkohësisht, përkulemi me respekt të thellë ndaj popullit të Përmetit, këtij populli patriot dhe mjaft mikpritës, këtij populli që ka nxjerrë figura të jashtëzakonshme dhe madhore të historisë sonë, të Rilindjes sonë, të atyre burrave të mençur të cilët i çuan shqiptarët drejt 28 nëntorit të vitit 1912. Dhe për nderin e tyre ne nesër do të jemi në Frashër, për të kujtuar jo vetëm Naim Frashërin, dhe jo vetëm vëllezërit Frashëri, por njëkohësisht për të kujtuar të gjithë patriotët dhe rilindasit që nxori kjo trevë e jashtëzakonshme”, - tha Meta. Sipas tij Kongresi i Përmetit frymëzoi të gjithë shqiptarët për të realizuar 29 nëntorin e vitit 1944, Ditën e Çlirimit të Atdheut, ndërsa theksoi se shqiptarët duhet të ndihen krenarë që morën pjesë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Kryetari i Kuvendit theksoi se këto janë vlera para të cilave ne duhet të përkulemi me nderim dhe me respekt përpara atyre që bënë atë luftë të madhe Antifashiste Nacional-Çlirimtare.“Sot ka vende në Evropë që u vjen turp që i pritën nazistët me lule, të cilët shpikin dëshmorë se nuk patën dëshmorë. Ndërsa ne nuk mundet kurrsesi të lejojmë që të hidhet baltë mbi luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, të hidhet baltë mbi dëshmorët e atdheut sepse ata janë krenaria jonë e përjetshme dhe janë një frymëzim për ne për të bërë më të mirën,për t’i çuar deri në fund realizimin e ëndrrave të tyre. I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve të atdheut”, tha Meta.  

 

Ruçi: Nuk kemi komplekse nga e kaluara, jemi krenarë për të

 

Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi ishte pjesë e ceremonisë përkujtimore të Kongresit të Përmetit. Gjatë fjalës së tij ai u shpreh se 24 maji është i veçantë pasi hodhi themelet e 29 nëntorit që është 70- vjetori i çlirimit të atdheut. Ruçi theksoi se e gjithë historia e luftës është e lavdishme, ndërsa veçoi si të paharruar Konferencën e Pezës dhe Kongresin e Përmetit. “Ja pse së bashku me Kryetarin e Parlamentit, z.Meta, ja pse së bashku me dy ministra, z. Ahmetaj dhe Veliaj, ja pse së bashku me të gjithë kolegët deputetë të dy forcave politike, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, dy forca politike që e kanë në themel të programit të tyre lavdinë, historinë, patriotizmin, atdhetarizmin dhe s’kemi asnjë kompleks nga e kaluara, se e kaluara jonë është e lavdishme. Dhe ne duhet ta rrisim atë, duhet të jemi krenarë për të. Pikërisht në këtë sallë ku u mblodhën edhe të majtë edhe të djathtë sipas përkufizimit të sotëm, u vendosën shumë gjëra të rëndësishme, por tre janë në themel të kësaj dite që jemi ne. Fronti për të çliruar në një luftë frontale Shqipërinë”, tha Ruçi.  

 

Mesila Doda: Diktaturat shemben, edhe kur çimentohen nga trafiqet 

 

Opozita parlamentare reagoi dje pas përkujtimit të 70-vjetorit të Kongresit të Përmetit. Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda e konsideron këtë ngjarje si legalizimin e diktaturës komunistë. “Mazhoranca e sotme përkujtoi 70-vjetorin e Kongresit të Përmetit, ditën e legalizimit të diktaturës komuniste në Shqipëri. Sot komunistët e rinj e të vjetër ndjehen më të fuqishëm e më vendimmarrës se kurrë, ndaj i sugjeroj udhëheqësve rilindës që ta çojnë deri në fund amanetin e Enver Hoxhës dhe ta rikthejnë emërtesën e turpshme "Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë"”, - shkruan ligjvënësja demokrate në rrjetin social facebook. Doda i rikthehet më pas kryefjalës së sotme opozitare ndërsa pohon se: “Me këtë rast i rikujtoj debatikasve të rinj që në këtë vend bustet hiqen dhe diktaturat shemben, edhe kur janë të çimentuara nga trafiqet dhe pushteti”. 

 

Peçi: Kongresi i Përmetit me rëndësi historike

 

Kryetari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it, Rustem Peçi ka përshëndetur ceremoninë në nder të 70-vjetorit të Kongresit të Përmetit. “Kongresi i Përmetit dhe lufta antifashiste i dhanë një kthesë të madhe historisë së vendit tonë. “Kongresi i Përmetit u mblodh plot 7 dekada. Që kur u mblodh Kongresi i Përmetit dhe koha as nuk ia humbi, as ia zbehu rëndësinë e tij historike. Që në ditën që u ndodh dhe deri më sot ata që kanë dashur t’i bëjnë varrin Shqipërisë, kanë dashur që ta fshijnë edhe këtë vend nga faqja e dheut, por ai mbijetoi dhe do t’i mbijetojë furtunave armiqësore sepse me vendimet që mori për kohën dhe rrethanat kur i mori, për vlerat që patën për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, për pushtetin e ri që po dilte nga gryka e pushkës, i dhanë një kthesë të madhe historisë së këtij vendi të lavdishëm”, tha ai me këtë rast.  

 

Pëllumbi: 70-vjetori duhet të përkujtohej nga gjithë politika 

 

“70-vjetori i Kongresit të Përmetit duhet të përkujtohej dhe nderohej edhe më gjerësisht, nga të gjithë forcat politike”. Kështu shprehet ish-kreu i Kuvendit, Servet Pëllumbi lidhur me ceremoninë përkujtimore të zhvilluar dje në Përmet në përkujtim të 70-vjetorit të Kongresit të Përmetit. Sipas Pëllumbit, Kongresi është në ngjarje historike ku u vendos përfundimisht pozicioni i Shqipërisë. “Kongresi i Përmetit ka një rëndësi historike ku përfundimisht u vendos fati i Shqipërisë si një fuqi anëtare e koalicionit antifashist botëror. Vendimet e Kongresit të Përmetit ishin vendimtare për të mos lejuar orekset e njohura për ndarjen e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë vendimet historike të Kongresit të Përmetit bënë një distancim të qartë nga forcat që bashkëpunuan me okupatorët fashistë”, - pohon Pëllumbi, ndërsa kritikon qëndrimet që e cilësojnë Luftën Nacional-çlirimtare si luftë civile. 

 

“Të gjithë ata që thonë se Lufta Nacional-çlirimtare ishte një luftë civile nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtrembërojnë të vërtetën historike. Prandaj ky 70-vjetor meritonte të përkujtohet më gjerësisht, nga të gjitha forcat politike”, - pohon ai. Krejt të vjetruara sipas ishkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, janë dhe deklaratat e mbështetësve të mbretit Zog. “Kritikat e legalistëve janë tepër të vjetruara dhe të ngjall habi që vazhdojnë t’i përsëritin ato nga një dekadë në tjetër”, - pohon ai. Për të nuk përbëjnë asnjë shqetësim as thirrjet e djeshme në Përmet “Pa  Enver” apo “Rroftë Partia Komuniste” në një kohë që dhe ceremonia përkujtimore është shoqëruar në çdo moment nga fotot e Enver Hoxhës. “Ato janë thirrje që u takojnë vetëm atyre që janë në Partinë Komuniste por jo forcave të tjera politike të cilat janë distancuar nga ato parulla me kohë”, - deklaron ai për “Shekullin”. 

 

Sa i përket nderimit me grusht, por dhe debatit të ashpër politik që lindi pas një veprimit të tillë të bërë nga socialisti Pandeli Majko, Pëllumbi pohon se kjo nuk përbën asnjë mëkat. “Në fund të fund të fundit nderimi me grusht ka qenë një nderim tradicional i shqiptarëve dhe nuk bën ndonjë mëkat të madh nëse dikush nderon në këtë mënyrë që shpreh unitet. Gjithsesi nuk ka ndonjë të keqe as nga kritikat, le të vazhdojnë dhe kritikat e opozitës. Secili le të mbajë qëndrimin e vet”, - pohon ai. Festimet e 5 Majit dhe nderimi i dëshmorëve u shoqëruan me debate të forta politike. Ish- kryeministri Pandeli Majko u fotografua tek monumenti “Nënë Shqipëri” me grushtin e ngritur lart. Dhe disa nxënës të shkollës 9-vjeçare “Nonda Bulka” u fotografuan duke nderuar me grusht në Varrezat e Dëshmorëve në Përmet. Këto veprime sollën reagimin e fortë të opozitës sipas së cilës nderimi i figurës së Hoxhës dhe simboleve të tij janë fyerje dhe përbaltje e kujtimit të dhjetëra e mijëra shqiptarëve të persekutuar, të internuar, të burgosur e të dënuar me vdekje apo të pushkatuar pa gjyq.  


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama