I pari, redaktori i albumit, Remzi Lani, drejtuesi i IShM, thotë se ky botim nuk pretendon të jetë as një histori e 100 viteve të fundit dhe as një histori e shtypit shqiptar. “Ai është thjesht një koleksion i faqeve të para, një përpjekje për të parë historinë ndërmjet asaj që është apo që nuk është në faqen e parë të nesërmen, pas një ngjarjeje historike”, thotë Lani. Në këtë botim prezantohen faqet e para të rreth 20 gazetave nga periudha e Pavarësisë deri në 1944.
Faqja e parë që hap albumin është e “Zërit të Popullit” (Nr. 17 dhjetor 1912, botuar në Nju Jork) me lajmin “Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Për të vijuar më pas me gazetat: “Atdheu”, “Perlindj’ e Shqipnies” (Organ për të mbrojtur të drejtat kombëtare, në Vlorë), me lajmin “Këqyrje politike”. Apo më pas, më 17 dhjetor... “Koha” e Korçës, e cila njofton qarkoren e Ilias Vrionit, ku komunikohet pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve” etj. Më 1939 “Gazeta Shqiptare” në Bari raporton në faqe të parë se “trupat italiane hynë në Tiranë” etj.
Lajmet që shkruheshin në faqen e parë të këtyre gazetave nuk janë më shumë se dy-tre. Gazetat janë pa ngjyra dhe ndihet përdorimi i vakët i fotografive ilustruese.
Periudha e dytë që prezantohet në këtë album është shtypi në vitet (1944-’90), vite në të cilat shtypi pasqyron ngjarjet gjatë sistemit komunist në rreth 7 gazeta. Pra shikojmë një censurë mbi gazetat të cilat kishin ekzistuar më parë. “Buletini i Luftës Nacional-Çlirimtare” shkruan në faqe të parë: “Para Fitores” dhe “Tirana u Çlirua”, apo “Bashkimi” pas zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese, të parat dhe të vetmet zgjedhje pluraliste në Shqipërinë e viteve 1945-1990. Në të shkruhen lajme mbi partinë si ky: “2 dhjetor dita e sanksionimit të fitoreve. Dita e shprehjes së vullnetit të popullit. Dita që sintetizon idealin e atyre që ranë për çlirimin e atdheut.”
Periudha e tretë që prezantohet në këtë album është shtypi pluralist (1990-2012). “Bashkimi” hap faqen e parë më datë 17 shtator 1990 në këtë mënyrë: “Sali Berisha, Demokracia dhe humanizmi-binom i pandarë”. “Zëri i Rinisë” hapet me: “Ismail Kadare, letërsia, koha, qytetërimi shqiptar” apo “Bashkimi” me “Ylli Popa, në kërkim të kohës së humbur”; “RD” me “Amerika mbështet një Shqipëri të lirë dhe të Pavarur”, “Koha Jonë” (1994) me titullin e madh “Dështim fatal i Partisë në Pushtet” dhe faqen e fundit 104 e mbyllin me lajmin e gazetës “Republika” (2012): ”Komisioni Evropian rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”. Për hartimin e albumit “Faqja e Parë”, kontribut të madh ka bibliografi Maksim Gjinaj.
Faqet e para të pluralizmit
Faqja e parë e shtypit të pas viteve 1990 përfaqësohet nga gazetat e periudhës komuniste si “Bashkimi”, “Zëri i Popullit”, por edhe nga “RD” (1991), e cila ka qenë gazeta e parë e periudhës pluraliste, më pas “Gazeta Shqiptare”, “Koha Jonë”. Dhe pse pretendohet se censura mbi shtypin nuk ka përmasat e frikshme të epokës 45-vjeçare regjim diktatorial, prania dhe influenca e politikës reflektohet qartë e shkoqur në faqet e para të gazetave. Lajme nga ndërkombëtarët zënë një vend kryesor në këto raportime. Si “Strasburgu duartroket: Shqipëria në Evropë” tek “Gazeta Shqiptare” apo tek “Zëri i Popullit” me “Bashkimi Evropian: Keqardhja jonë për Berishën”.
Ngjyrat e para në faqosje duken tek shiritat anash të “Gazetës Shqiptare” (1994). Gjithashtu dhe numri i shkrimeve vjen në rritje. Fillojnë të shkruhen opinionet e para. Të pasqyrohen dendur kronikat e zeza. Një nga kulmet e lajmeve nga ky kamp ka serish një sfond politik. Është fjala për lajmin: “Vritet para selisë së PD, lideri i dhjetorit ’90, Azem Hajdari”.
Edhe lajmet mbi çështje sociale fillojnë të shfaqen e të zënë vend mirë në faqet e para. Fotografia fiton tjetër peshë. Në vitet 2000 “Korrieri” nis të përdorë foton e madhe, duke pasur për fotoreporter Armand Babanin, një emër i spikatur në dhjetëvjeçarin e parë të shtypit të lirë. Por tani ka hequr dorë, si shumë reporterë që i do t’i hynin kësaj pune, pa çuar në fund. Gjithashtu në faqe të para del sigla e mbështetësve si Sigal, Sigma, Western Union etj.
Por çfarë mungon? Kultura. Nënvlerësimi i zakonshëm? Apo ta marrim të mirëqenë atë që tha dje zonja Dhurata Shehri se “kulturën e bëjnë politikanët”.
Sipas komentatorit politik Andra Stefanit inputet e sistemet demokratik janë shumë të vogla, pavarësisht se demokracia erdhi në një moment historik. Ai mendon se ka qenë më tepër një input i jashtëm sesa i brendshëm. “Një pjesë e gazetarëve, thotë Stefani, e në pasur të pamundur të ndryshonin stil.” Ja një shembull nga f. 78 e albumit, me titull kryesor: “Sali Berisha, njeriu që do ta çojë Shqipërinë drejtë Evropës”. Prandaj sipas tij nuk është e lehtë të mbash një shtyp të ri, por është e vështirë të përmbysësh një shtyp të së kaluarës”.
Këtij komenti Besnik Mustafaj i përgjigjet duke qeshur se “mendoj se Andreas po t’i heqësh temën e Sali Berishës, s’do të ketë më tema për të shkruar”. Ai e shikon shtypin shqiptar të këtyre 20 viteve, si një tregues të mirë të historisë. Pas një vëzhgimi të tërthortë të albumit ai vëren se ndihet mungesa e gazetave që kishin qenë gjatë periudhës komuniste, ndërsa gazetarët janë po të njëjtët. Me përjashtim të “Zërit të Popullit”, Mustafajt i bie në sy që shtypi është sa i lirë aq dhe i polarizuar. Lindin dhe humbasin gazeta të ndryshme.
Arben Muka për shtypin 1912-’44.
Botimet e para të këtyre viteve janë të periudhës së Shpalljes së Pavarësisë. Kjo ndihet nga gazetat që botoheshin në Korçë, Gjirokastër, Vlorë etj. Gjithashtu shikojmë se herë pas here kemi një shkëputje të disa gazetave dhe rikthim të tyre përsëri. Të bie në sy, tirazhi i paktë. Ndërsa protagonistët e politikës shqiptare, u ka takuar të jenë autorët dhe aktorët e shtypit dhe të politikës. Kjo ndihet në më shumë se një gazetë, me emra si: Mit’hat Frashëri, Branko Merxhani, Sterjo Spasse etj.
Dhurata Shehri për shtypin 1912-’44.
Ky album është një lloj promovimi që i bëhet historisë së shtypit publik. Shtypi shqiptar i këtyre viteve mendoj se ka aktorët dhe autorët e njëjtë. Janë ata që bëjnë politikën, e shkruajnë lajme dhe pastaj shkruhet si histori. Gazetat ndonëse shënojnë se janë “Gazeta politike dhe letrare”, por kjo është një lloj marrëveshje që ka ekzistuar. Vetë personazhet e kulturës shqiptare janë njerëz të cilët janë të përfshirë në politikë. Prandaj marrëdhënia midis historisë politike dhe publike, nuk bëhen nga një autoritet i vetëm, por krijohet një lloj platforme zërash, të politikës, së artistëve.
Shaban Murati për 1944-’90
Shtypi duhet parë përball pozitës që është në krye. Nëse mundet që të pasqyrojë një histori reale. Por mendoj se e njëjta gjendje që ka qenë në periudhën komuniste shikohet dhe tani në demokraci. Natyrisht që censura e saj kohe të impononte të ndaleshe. Nëse ka ndryshime në ngjarje ose data që kanë pasur lidhje me opinion publik, veçoj artikullin në “Zërin e Popullit” mbi vendet e lira të punës nga ambasadat franceze dhe intervista e Remzi Lanit me Ismail Kadarenë.
Briseida Mema për 1944-’90
Që në gazetat e para kemi të pasqyruar në faqe të parë atë që ndodh përditë dhe politikën editoriale dhe atë të një shteti autoritar. Duket sikur po shikoj historinë e Shqipërisë ndërmjet faqeve të para. Gjithashtu të bie në sy roli i shtypit para dhe pas rënies së murit të Berlinit. Më vjen keq që nuk është treguar se “Zëri i Rinisë” dhe “Drita” kanë qenë liberale. Pasi në to janë botuar dhe shkrime ku flitej me zë kritik ndaj Nexhmije Hoxhës apo ndonjë tjetri. Ka pasur poezi të mirëfillta për të ndërgjegjësuar shtresën popullore. Në vetë jemi paragjykues ndaj asaj epoke, por harrojmë se po bëjmë dhe një epokë.