Vëllimi i parë i librit “Politika e jashtme e Shqipërisë” (1912- 1939) e historianit Paskal Milo, botim i “Toenës” me rreth 1000 faqe, u promovua dje. Rreth librit diskutuan historiani Arben Puto dhe drejtoresha e Arkivës së Ministrisë së Jashtme, Pranvera Dibra. Profesor Puto e konsideroi këtë libër si një vepër me vlera të mëdha. Sipas tij, ky vëllim që i paraqitet publikut është një trajtim mbresëlënës, për një nga aktivitetet më të rëndësishme të shtetit të pavarur shqiptar. “Është një tablo e plotë dhe gjithëpërfshirëse e periudhës 1912- ‘39. Në këtë vepër bëhet një analizë origjinale, krahasuese dhe teorike e zhvillimit nacionalist shqiptar, si pararendëse në zhvillimin e shtetit.
Ka një vështrim kritik për mënyrën sesi janë konceptuar disa aspekte në zhvillimin historik shqiptar, e sesi kanë qenë të interpretuara në të kaluarën, ashtu sikurse ka dhe interpretime të reja në lidhje me gjenezën e nacionalizmit në Shqipëri dhe në Ballkan”. Profesor Milo ka qëmtuar fakte dhe detaje të reja në dokumentacionin arkivor të huaj dhe shqiptar. Prandaj sipas prof. Putos, ka arritur të sjellë në mënyrë sa më realiste dhe sa më afër të vërtetën e procesit të shpalljes së pavarësisë dhe të portretizojë figurat kryesore që kanë dhënë kontributin e tyre. Për periudhën e Ismail Qemalit, profesor Puto thotë se: “Është e natyrshme që Milo të përqendrohet në personalitetin e Ismail Qemalit, si personaliteti kryesor i shpalljes së Pavarësisë dhe kryetar i qeverisë shqiptare.
Është jashtë çdo dyshimi se qeveria e I. Qemalit, nuk i kishte mundësitë për të dalë si subjekt më vete, si subjekt i së drejtës kombëtare, por kishte mundësi të pakta veprimi, pasi fuqitë e mëdha nuk e njohën. Është sinjifikative që fuqitë e mëdha në Vlorë kishin përfaqësuesit e tyre dhe qëndruan deri pas dorëheqjes së plotë të qeverisë së I. Qemalit. Por në kontaktet e vazhdueshme me ta bëheshin përpjekje për të shpjeguar dhe mbrojtur interesat kombëtare”.
Sipas Putos, autori i gjykon këto veprime si elemente të fillimit të aktivitetit të mekanizmit shtetëror në politikën e jashtme. “Ismail Qemali dhe shokët e tij u bën pionierë të politikës së jashtme shqiptare dhe vendosën gurët e themelit të politikës së jashtme të shtetit shqiptar”. Njohja e qeverisë shqiptare nga mbështesit e tij, njohja e statusit nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ishin padyshim në përputhje me këtë politikë që kishte për qëllim mbrojtjen pavarësisë së sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të vendit. Kurse për qeverinë e Vidit, e cila ishte krijesë e fuqive të mëdha, profesor Milo mendon se kreu disa veprime në politikën e jashtme, por gjithnjë në një mjedis të brendshme dhe me një politikë të paqëndrueshme. “Krijuan qeverinë e Princ Vidit, rrëzuan qeverinë e Vlorës dhe hartuan një lloj programi në politikën e jashtme.Kjo qeveri nuk kishte kurrfarë iniciative, nuk dilte me propozimet dhe kërkesat e saj, por gjithçka i imponohej nga dy fuqitë e mëdha, veçanërisht nga Roma dhe Vjena”.
Akti kryesor i politikës së Vidit ishte një akt dorëzimi, bëhej fjalë për Protokollin e Korfuzit në vitin 1914 për të pranuar autonominë vorio-epirote, me të cilin nënkuptohej krijimi i një shteti brenda shtetit. “Princit ia imponuan mendimin dhe ai e ratifikoi. Ndaj dhe autori mbështeti mendimin se principata e Vidit ishte një krijesë gjerësisht artificiale e fuqive të mëdha, mendim ky i mbështetur dhe në literaturën ndërkombëtare”.
Gjatë kësaj periudhe nuk mund të flitet për shtet shqiptar dhe për politikë të jashtme. Por cilat janë momentet kryesore sipas profesor Putos, që autori vë në dukje në këtë libër? “Tre janë momentet kryesore; shkelja e neutralitetit të shpallur nga fuqitë e mëdha në Konferencën e Londrës, kthimi i vendit në shesh lufte, dhe Traktati i Fshehtë i Londrës që parashikonte copëtimin e plotë të shtetit shqiptar në favor të shteteve fqinje”. Paskal Milo nga burime të ndryshme arkivore ka mbledhur informacione që tregojnë; nënshtrimin, servilizmin, pazaret në dëm të interesave kombëtare, por dhe meritat e një shumice. Gjatë kësaj periudhe nuk flet për politikë të jashtme shqiptare, por për interesa personale dhe grupore. “Autori ka dhënë kontributin e tij, për të lartësuar interpretime nga më të ndryshmet që janë bërë nga politikanë, historianë dhe qeveri të ndryshme pas Luftës së Parë Botërore për statusin e saj. Ai përmes një dokumentacioni të gjerë tregon se Shqipëria nuk mbeti as neutrale dhe as u bashkua me antantën dhe fuqitë e kundërta, por u bë shesh lufte dhe u pushtua nga fuqitë e vendeve ndërluftuese.
Pjesa tjetër e librit trajton periudhën e Ahmet Zogut. Politika e jashtme e Zogut zë një vend të rëndësishëm sepse është koha kur shteti ynë është konsoliduar definitivisht, si shtet shqiptar dhe kjo periudhë merr një dimension të ri, si në pikëpamje të politikës së brendshme ashtu dhe të asaj të jashtme. “Kjo periudhë është e re në këtë vëllim. Autori me pasion dhe këmbëngulje tregon se vendi përballon probleme serioze dhe duhet të veprojë në pozicione të ndryshme.
Mbreti Zog ka pasur ambicien e lavdisë dhe të kultit, por mbi të gjitha të pasurisë. Ka shpërdoruar pa fre, pasuritë e vendit, ka marrë nën dorë ryshfete të majme, që në dokumentet italiane thuhet se janë dhënë pa faturë. Kështu Zogu një vit para agresionit, Çianos dhe Musolinit i ka thënë se këtej e tutje çështja shqiptare nuk do të jetë më pjesë e politikës së jashtme të Italisë, por do të jetë e politikës së brendshme. Në fakt Zogu atë bën, e le dhe ikën. Thuhet se Zogu ka bërë një thirrje popullit, të rezistojë. Por sa mund të vlejë kjo, kur i thua një populli rezisto se unë po iki, kjo kuptohet” përfundon historiani Puto.