Polonia lokomotiva e re e Europes

Polonia, lokomotiva e re e Europes
Pas revolucionit të vitit 1989, vendi ka ndryshuar tërësisht: ekonomi në rritje të vazhdueshme dhe një begati e paparë, që ka fshirë nga memoria kujtimet e hidhura të Luftës së Ftohtë.

Grataçiela në horizont, që të sjellin ndërmend Majamin, Sidnein apo Shangain. Sapo zbret nga avioni, të sheh syri autostrada dhe rrugë në ndërtim. Aeroporti duket njëlloj si modelet gjermane. Kjo është Polonia, që me revolucionin e vitit 1989, i mbështetur nga Gorbaçovi, që nisi rënien e murit të Berlinit, do të marrë sot Presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Vendi ka ndryshuar totalisht: ekonomia po fluturon, lokomotiva e BE-së pas Gjermanisë, politikë e qëndrueshme, asnjë zënkë në Parlament, bashkëpunimin i përsosur mes fraksioneve të ndryshme politike në çështjet për të ardhmen e vendit. Të rinj elegantë, vajza të mrekullueshme të veshura bukur, të edukuara dhe makina marramendëse. “Për fat të mirë, në vitin 2008 dolëm nga kriza më mirë dhe më lehtë se çdo vend tjetër”, thotë Dominik Radziwill, zëvendësministër i Financave. “Mbështetja e ekonomisë na kushtoi shumë, një rritje deficiti në 7.9 për qind të GDP. Sigurisht që objektivi mbetet shifra 3 për qind e vendosur në kriteret e Manstrihtit. Rritja ekonomike na ndihmon dhe do të na ndihmojë: 4 për qind vitin e kaluar e ndoshta 4 për qind edhe këtë vit”.

Ekonomia është vitale, e gjallë, shumë prodhuese dhe pa probleme borxhi si Spanja apo Irlanda. “Ekonomia polake ka prej vitesh një rritje të rëndësishme, por të strukturuar. Ajo bazohet si në konsumin, ashtu edhe në kërkesën e brendshme, në prodhimin dhe eksportin dhe bankat operojnë në mënyrë shumë të kujdesshme, konservatore”, nënvizon Massimiliano Pasi, drejtor i “Unicredit” në Varshavë. Edhe fondet europiane ndihmojë shumë: 2.2 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto. “Po i përdorin sipas kritereve shumë të ashpra europiane”, tregon Radziwill: infrastrukturë, rrugë, hekurudha, aeroporte, kërkim shkencor, teknologji e lartë, mësimdhënie publike. Industri të reja dhe grataçiela të reja dalin e “ngrihen” çdo muaj, ndërsa autostrada për në Berlin është duke u ndërtuar në kohë rekord. 22 vjet pas vitit 1989, Polonia është shndërruar në kantierin më të madh të Europës.

“Në bursën tonë, çështjet e biznesit vlojnë”, tregon entuziast Przeslowski, ekonomist i njohur në Varshavë. Privatizimet e telekomunikacionit, të bankave dhe sektorit energjetik janë bërë pa asnjë problem. Ndërmarrje të vogla e të mëdha polake, tregon një diplomat perëndimor në vend, po investojnë bindshëm në Gjermani dhe në shtete të tjera të Europës Veriore. Begatia e Varshavës vihet re kudo: në qendrën tregtare “Europe Building” me dyqanet e veçantë, kopshtin e bukur dhe shatërvanin magjepsës të ndërtuar nga arkitekti Norman Foster në grataçielat që errësojnë Pallatin e Kulturës. Qendrat historike të restauruara me kujdes, shumë dyqane dhe të mbushur me të rinj, i sheh nga Danzika në Krakov, nga Poznani në Torun.

“Ne nuk jemi as në Rusi dhe as në Ballkan”, thotë një sipërmarrës gjerman. Aplikimi i modelit gjerman është çelësi i suksesit, tregon Rafael Baniak, zëvendëssekretar për çështjet e ekonomisë. Ankthi i hidraulikut polak të papunë që emigron në Perëndim për t’i kërkuar punë francezëve, gjermanëve apo italianëve, një metaforë shumë e përdorur nga Sarkozi nëpër mitingjet e tij, tashmë është shndërruar në objekt talljeje nga zyrtarët e Entit Shtetëror të Turizmit. “Po qëndroj në shtëpi. Eja dhe ti”, thotë në një poster gjigant një model që pas ka si sfond një ndërtesë të Rilindjes së restauruar bukur. Një boom i përbërë nga shumë sipërmarrës, shumë ish-revolucionarë të Solidarnosc-it, si Krzystof Olszewksi dhe gruaja e tij Solange. Aktualisht “Solaris”, ndërmarrja e tyre prodhon autobusët urbanë më modernë dhe teknologjikë edhe për Berlinin modern. Po ashtu rezervat e mëdha të gazit, të fshehura në nëntokën polake, e bëjnë Varshavën të ëndërrojë për pavarësinë e saj nga “Gazpromi”.

 Një tjetër qytet, ai i Papa Vojtilës, Krakovi, tregon për begatinë e vendit. “Me më pak se 1 milion banorë, 210 mijë janë studentë”, thotë Marek Sowa guvernatori i qytetit. Krakovi, me universitetin e tij është qendra pilote e zonave ekonomike të veçanta që polakët po financojnë me fondet e Bashkimit Europian. Parqe teknologjike, laboratorë të financuar nga universitetet ku të sapodiplomuarit, kompani të huaja dhe të rinj sipërmarrës punojnë së bashku. “Kështu ndërtuam rreth 10 mijë vende pune të reja brenda një kohe të shkurtër”, tregon Sowa. Universiteti i Krakovit të vjetër ku gestapo shfarosi të gjithë trupin pedagogjik dhe ku pas luftës disidentët sfiduan Moskën, mund të krahasohet me Kinën apo Korenë sa i përket risive në tregun botëror.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama