"Mashtrimi me kartat e kreditit dhe mashtrimet nëpërmjet internetit në Shqipëri janë raportuar në rritje. Që nga qershori i vitit 2009, janë identifikuar në vend tetë raste të vjedhjes me karta false dhe pesë raste të vjedhjes nëpërmjet internetit, ndërkohë që kanë nisur 15 procedime penale për 13 rastet e mësipërme, një rast tjetër i ndërhyrjes në sistem dhe një rast tjetër i shpërndarjes së pornografisë me fëmijë".
Derisa një njoftim i tillë raportohet nga agjencia e Këshillit të Evropës, ajo ka informacion lidhur me një rast të tillë nga shteti shqiptar, Prokuroria apo Ekzekutivi. Por opinioni shqiptar, deri tani, nuk është njohur asnjëherë me faktin që kriminaliteti "teknologjik" të ketë arritur deri në një nivel të tillë.
Pedo-pornografia është një ndër aktivitetet kriminale në internet, që synon të nxjerrë fitime nëpërmjet shfrytëzimit të fëmijëve dhe minorenëve në përgjithësi, duke hedhur pamje të tyre në akte të turpshme apo të zhveshur. Jo më larg nga dita e djeshme, policia amerikane arrestoi 190 persona në një operacion gjigand kundër pornografisë së fëmijëve. Operacioni "Orion" bëri të mundur edhe shpëtimin e 18 fëmijëve nga shfrytëzimi i rrjetit kriminal. Arrestimet janë bërë kryesisht në SHBA, por ka pasur edhe arrestime në Spanjë, Argjentinë, Filipine dhe Britani të Madhe. Mes të arrestuarve ishte edhe një dado 35-vjeçare në Luiziana, që dyshohet se përdorte një fëmijë shtatë vjeç për të bërë pornografi. Nuk janë dhënë detaje për arrestimet jashtë vendit. Por Departamenti i Drejtësisë ka listuar edhe Serbinë, Suedinë dhe Holandën si vende ku është zhvilluar operacioni. Prokurori i Përgjithshëm tha se ky grup i rrezikshëm shiste imazhe seksuale edhe të fëmijëve më pak se pesë vjeç.
Shoqëria civile shqiptare ka kërkuar miratimin e një ligji për mbrojtjen e fëmijëve nga faqet pornografike, por deri tani Kuvendi nuk e ka marrë në konsideratë. "Ne kemi bërë një kërkesë në Kuvendin e Shqipërisë, ku kemi kërkuar që, në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, të bëhen ndryshime në dy nene, për kriminalizimin e posedimit të materialeve pornografike ku ka fëmijë", ka deklaruar Altin Hazizaj, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri. Po kështu, ai thekson se kanë kërkuar të vendoset me ligj një program filtrimi i faqeve në internet dhe t'u kërkohet kompanive që ofrojnë internet të mundësojnë ofrimin e një filtri të tillë.
Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com, me 10 qershor 2012