Duke filluar nga dita e nesërme, përdoruesit e telefonisë celulare mund të ndryshojnë kompaninë duke mbajtur të njëtin numër. Baza e të dhënave për shërbimin e portabilitetit të numrit u përurua sot nga kryeministri Sali Berisha. Me këtë rast, Kryeministri nuk harroi të tërhiqte edhe njëherë vëmendjen e operatorëve celularë për tarifat e shërbimeve. Kryetari i Bordit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Piro Xhixho, tha se portabiliteti është një hap kyç për nxitjen e konkurrencës në tregun e komunikimit. Çdo pajtimtar i telefonisë celulare mund të realizojë portabilitetin e numrit, duke shkuar tek operatori ku dëshiron të kalojë dhe duke plotësuar një kërkesë të thjeshtë. Portabiliteti i numrit do të bëhet falas dhe brenda tre ditësh nga koha kur abonenti do të paraqesë kërkesën tek operatori marrës.