Tirana "rezervon" Ilion Likën për portën. Duket se merkatoja e bardhebluve do të nisë pikërisht nga katërkëndori. Dhe në fokusin e drejtuesve kryeqytetas është pikërisht një "ish". Gardiani 36-vjeçar pritet që t'i japë fund aventurës 2-vjeçare me Flamurtarin për arsye familjare dhe gjasat janë që destinacioni i tij i ardhshëm të jetë pikërisht kryeqyteti.
Ajo çka nuk u realizua me sukses gjatë "pazarit" dimëror, ndoshta do të marrë jetë pikërisht tani. Ende nuk mund të thuhet për negociata konkrete, por burime në klub pohojnë se shumë shpejt nuk do të vonojnë. Kujtojmë që "dashuria" mes tij dhe bardhebluve është e kahershme.
Ai ka mbrojtur disa herë fanellën e 24 herë kampionëve të vendit, konkretisht 3 vite (një herë në sezonin 2010-2013 dhe një tjetër në 2014-ën) ndaj nuk do të ishte habi që edhe sezonin e ardhshëm ai të vihej nën urdhrat e Ilir Dajës. Kujtojmë që ai ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit të Tiranës për një periudhë kohe. Pezull mbeten edhe dy portierët e tjerë të Tiranës.
Edvan Bakajt i ka skaduar kontrata, ndërsa Ilir Avdyli duhet që fillimisht të gjejë akordin për opsionin +1 që ka në kontratë. Nga sa mësohet, i pari e ka të sigurt qëndrimin. Gjasat janë që ai të vazhdojë bashkëpunimin, por fillimisht ai duhet të bisedojë me drejtuesit për të gjetur akordin. Sakaq, kosovari është në pritje të telefonatës nga klubi.
Te Tirana, edhe pse po punojnë për ndërtimin e ekipit për sezonin e ri, janë të varur edhe nga UEFA. Ata presin që fillimisht të vijë komunikimi zyrtar nga "qeveria" europiane e futbollit për pjesëmarrjen në Ligën e Europës dhe menjëherë do të nisin punën zyrtarisht. Ky fakt po i mban disi në "ajër", ndaj edhe drejtuesit çdo plan apo bisedë të zhvilluar e kanë parimore. Edhe pse sinjalet janë pozitive edhe nga vetë federata, Tirana do që të veprojë konform rregullave dhe pa u nxituar.
Nga Daja te lojtarët, pritet që sot të nisin negociatat
Rinovimet kanë mbetur pezull sikundër dihet. Përtej negociatave, i vetmi që ka zgjatur kontratën është Erjon Hoxhallari. Ed.Bakaj, El.Bakaj, Kërçiku, Fukui dhe Bulku janë zyrtarisht futbollistë të lirë që prej 31 majit, por shanset që të qëndrojnë të gjithë janë minimale. Sikundër edhe dihet, Elis Bakaj pret të luajë jashtë, me Fukuin ende nuk është gjetur akordi financiar, Kërçiku do të provohet në Austri dhe Kroaci, ndërsa Bulku me gjasa do t'i japë fund futbollit të luajtur. Sakaq, pezull janë Malaj, Smajli, Karan dhe Avdyli, që kanë opsionin +1. Malaj dhe Smajli pritet që sot të flasin me drejtuesit, ndërsa javë vendimtare është edhe për pankinën. Ilir Daja parimisht mbetet trajner, por deri më tani ende nuk është hedhur firma mbi kontratë.
Adela Merko