UPDATE/ Portugalia bëhet skuadra e parë që prek gjysmëfinalet e "Euro 2016". Luzitanët triumfuan me 11-metërsha mbrëmjen e së enjtes ndaj Polonisë.
Polonia dhe Portugalia e mbyllën 1-1 kohën e rregullt mbrëmjen e së enjtes. Këto shifra çuan skuadrat në luajtjen e dy pjesëve të tjera me nga 15 minuta secila, por edhe gjatë kësaj kohe nuk pati ndryshim rezultati.
Penalltitë
Trajneri i luzitanëve, Fernando Santos ia besoi penalltinë e parë Ronaldos. Ky i fundit nuk zhgënjeu duke i dhënë besim ekipit të tij.
Të njëjtën gjë bëri edhe trajneri polak, duke lënë Levandovskin në gjuajtjen e parë. Ylli i Bajernit të Mynihut shënoi, duke rikthyer barazimin në fushë. Por ai që përcaktoi rezultatin final të këtij takimi, ishte humbja e penalltisë Blazukovski.
Ndryshe nga pjesa e parë, në 45´ minutat e dyta polakët dhe portugezët zhvilluan një lojë të kujdesshme, duke u ruajtur nga goli që mund të ishte fatal për daljen nga turneu.
Kristiano Ronaldo pati një rast të mirë për të ndryshuar rezultatin në minutën e 84´, por ylli i Realit të Madridit nuk mundi të shënonte para Fabianskit.
Pjesa e parë:
Polonia e filloi me një ritëm më të lartë takimin duke gjetur shumë shpejt rrugën e rrjetës.
Një top i krosuar në zonë nga krahu i majtë përfundoi në këmbët e Levandovskit, i cili nuk fali duke gjuajtur fort para portës.
Goli i tij është cilësuar nga UEFA si goli më i shpejtë në këtë Europian, si dhe i dyti më i shpejtë në historinë e këtyre turneve, me 1 minutë e 40 sekonda.
Portugezët u kundërpërgjigjen me disa kundërsulme të shpejta të Ronaldos dhe Nanit, por ai që shënoi golin e barazimit ishte Renato Sançes, në minutën e 33´ të pjesës së parë.
Rezultati final:
Poloni 1 - 1 Portugali (në kohën e rregullt)
(3-5 me penallti)
Gol: Levandovski 02'/ Sançes 33'